E ftuar në këtë episod të “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë Ermonela Jaho. Sopranoja e njohur me famë botërore në këtë intervistë ekskluzive ka ndarë me dëgjuesit detaje nga karriera e saj, se si nisi gjithçka, kush e frymëzoi dhe si ka arritur që përgjatë gjithë këtyre viteve të ndërtojë një bazë kaq të fortë dhe të arrijë majat me talentin e saj.
Cili është kumbari i saj në muzikën lirike?
Nuk mund të them që kam pasur një kumbar, por ka qenë një rrugëtim ku secili më ka dhënë diçka. Kam njohur njerëz të mrekullueshëm, por për muzikën operistike unë doja të hyja në Lice faktikisht. Mund të them se kumbari ka qenë opera “La Traviata”, tingëllon pakëz e çuditshme. Për t’u përgatitur për këtë konkurs në Lice, doja të dija, duhet të mësoja dhe të përgatisja një romancë në mënyrë operistike dhe klasike. Shkoj me vëllain e madh në Teatrin e Operas dhe Baletit ku atë natë ishte opera “La Traviata” e kënduar në shqip, në fillim mendova që çfarë janë këta që ulërasin kështu, por pastaj kur filloi gjithçka. akti i parë, akti i dytë dhe deri në fund unë kam ngelur pa fjalë sikur janë ato dashuritë me shikim të parë. Kjo ishte dashuri me dëgjimin e parë. Në fund i thashë dhe vëllait tim që unë e vendosa që do të bëhem këngëtare operistike dhe nuk do vdes pa e kënduar njëherë “La Traviata”-n. Që nga ai moment sikur unë i bëra një betim dhe një premtim vetes sime dhe që nga ai moment e kam kënduar mbi 300 herë dhe akoma vazhdoj e këndoj sepse më duket sikur shikoj atë Ermonelën 14 vjeçare ku fillojë ëndrra deri më sot me të njëjtën opera. Pra është ajo ëndrra që ecën dorë për dore me mua, rrëzohet me mua por që është sërish aty.