Kinema “Imperial” çel dyert për premierën e filmit me regji të Carlo Fusco dhe një kast aktorësh të mirënjohur, ndër ta dhe aktori shqiptar, Ervin Bejleri, me mbështetjen e Digitalb


ervin-bejleri-002-n-carloNjë hakmarrje e shtrirë midis Sicilisë dhe përtej Oqeanit. Vrasje dhe kujtime… të çojnë në një subjekt që të kujton jo vetëm të shkuarën por dhe të tashmen. Një histori që të bën të mos heqësh vështrimin nga ekrani, për të ndjekur çdo sekuencë ngjarjesh dhe çdo fat personazhi. Këto janë vetëm disa ndjesi që mund t’i thuash natyrshëm për premierën e filmit “Sins” që u dha mbrëmë në kinemanë “Imperial”, pranë “Kristal Center” me mbështetjen e “Digitalb”. Të pranishëm në premierë ishin dhe regjisori i njohur italian Carlo Fusco, dhe aktorët Ervin Bejleri, Mario Pupella dhe Francesco Vella. Kasti i aktorëve të “Sins” përfshin edhe emra të tjerë të yjeve të kinemasë botërore si Danny Glover, Michael Madsen, John Savage e të tjerë.


Historia fillon të ndërtohet mbi kujtimet e një ish-vrasësi të mafies siciliane në rrëfimin që i bën një prifti afro-amerikan, interpretuar nga aktori me famë botërore Danny Glover, gjatë një udhëtimi në tren, si dhe mbi vetë historinë e errët të së shkuarës së klerikut. Më pas, gjithçka ndryshon dhe papritur ngjarjet e së shkuarës fillojnë të manifestohen në trenin e së tashmes. Filmi të përfshin në një histori dhune, pendese dhe hakmarrjeje ku loja e aktorëve të mban pezull deri në momentet e fundit të filmit, ndërsa situatat përmbysen pa paralajmërim dhe zhvillimi i ngjarjeve është kurdoherë i paparashikueshëm.


Histori komplekse, një seri vrasjesh, një histori aktuale ndërthurur me kujtimet e së shkuarës. Davidi, pjesë e familjes Cortello dhe një hakmarrje.


“Sins” është një histori që shtrihet nga kufijtë e ligësisë dhe brutalitetit klanor deri në ato që zëri i rizgjuar i ndërgjegjes dhe moralit personal ndërton në jetët e disa prej personazheve kyç. “Është një histori surreale që flet për mafien, por jo vetëm. Ngjarjet ndodhin në Sicili. Një italo-amerikan kthehet në vendlindje dhe kërkon të marrë të gjithë tregun e kriminalitetit”, është shprehur regjisori Fusco. Për sa u përket aktorëve të njohur të Hollivudit në këtë prodhim kinematografik, regjisori është shprehur se “Gjithçka lindi një vit më parë në Festivalin e Kanës, ku njoha dhe Danny Glover. Kur i ofrova një rol, ai më kërkoi që të shikonte një film timin të mëparshëm. E pa dhe e pranoi ofertën, por filmi nuk u realizua për mungesë fondesh atëherë. Kur erdhi një mundësi tjetër, ai pranoi sërish. Glover ishte një njeri i thjeshtë që ka pasur vuajtjet e tij në fëmijëri, dhe kishte humanistet që shumë aktorë të tjerë nuk e kanë. Ai më pyeti nëse doja amerikanë të tjerë në film. Unë doja shumë, por nuk kishim buxhet. Gjithsesi ai i mbushi mendjen Michael Madsen-it e të tjerëve që të ishin pjesë e filmit tim”. Për sa i përket aktorit shqiptar Ervin Bejleri në film, ai u shpreh se “Më pëlqeu Ervini kur e pashë në aksion, ka pasion dhe nuk e them se jam këtu në Shqipëri. Aktorët italianë nuk e kanë këtë pasion, ndaj zgjodha Ervinin”. Regjisori ka treguar se tashmë ka një tjetër projekt në mendje ku do të përfshijë dhe aktorin shqiptar Bejleri.