Në vendet më homofobike të Europës Lindore, si në Bullgari dhe Turqi, këngëtarët gej apo lezbike çuditërisht janë të gjithëpranuar dhe shumë të famshëm. Fitorja austriake në Eurovizion e ka shfaqur homofobinë si një ndarje kontinentale në Europë
Eurovizioni
Florian Bieber
Disa rusë kanë rruar mjekrat në shenjë proteste, zyrtarët e kishës kundërshtuan si dhe komentatorët e krahut të djathtë në një numër vendesh, përfshirë Serbinë dhe Kroacinë, ndihen të fyer dhe janë agresivë përballë suksesit të Konçita Vurst (Conchita Wurst) për shkak të shkrirjes së qëllimshme prej saj të kufijve të ndarjes gjinore dhe seksualitetit.
Në një blog shumë të mirë, Alen Renvik (Alan Renwick) vërejti se ndërsa pati një ndarje të qartë Lindje-Perëndim në fushën e votave të përgjithshme për Konçita Vurst të shtunën e kaluar, variacioni është i parëndësishëm mes publikut votues, ndërkohë që juria shfaqi një variacion më të madh. Argumentet e tij mund të nënvlerësojnë paksa variacionet. Ka një anësim në përzgjedhje mes atyre që votuan në garën e Eurovizionit. Në shumë vende të Europës Perëndimore pati njerëz që e shijuan performancën e tij të çuditshme, përballjen me “nacionalizmin banal” brenda sferës publike europiane me muzikën e tmerrshme.
Në vende të tjera, veçanërisht në Lindjen e Europës, gjithsesi Eurovizioni është një temë më e rëndësishme. Shtetet investojnë shumë për të fituar garën dhe pjesëmarrja në të është një mënyrë për të konfirmuar të qenët europianë prej tyre (dhe mes këtyre vendeve, investojnë më shumë ata, europianizmi i të cilëve është vënë gjithmonë në dyshim si Turqia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Armenia).
Për rrjedhojë, shikuesit dhe votuesit ka gjasa të vijnë nga një bazë shoqërore më e gjerë në këtë pjesë të kontinentit në krahasim me pjesën tjetër.
E gjitha kjo sugjeron se opinionbërësit, nga anëtarët e jurisë dhe politikanët, janë më homofobikë dhe të trishtuar nga fitorja austriake se sa publiku i gjerë. Kjo nuk është shumë e sigurt. Anëtarët e jurisë votojnë publikisht dhe në kontekstin homofobik, patriarkal dhe autoritar nga vijnë, mund të jenë shqetësuar për pasojat që mund të sillte për ta votimi për Konçitën ose mund të kenë votuar sipas shijes “zyrtare”.
Një pyetje më intriguese është nëse votimi për Konçita Vurts është një shenjë për një tolerancë më të madhe. Në pamje të parë, përgjigjja duket se është po. Votimi për një mbretëreshë me mjekër duket se nuk pajtohet me rolet gjinore të stereotipizuara. Gjithsesi, askush nuk duhet të dalë kaq shpejt në këtë konkluzion. Eurovizioni ka gjithashtu një histori të gjatë të krijimit të hapësirave për performancat e hapura gej apo lezbike se sa do të pranohej nga publiku i gjerë në shumë vende pjesëmarrëse në kontest.
Dana International fitoi për Izraelin 16 vjet më parë. Kini parasysh edhe Serbinë, ku paradat gej kanë dështuar në mënyrë të përsëritur dhe ku homofobia mbetet e pranueshme si sjellje në shoqëri. Nga Serbia, Marija Serifovic fitoi Eurovizionin në vitin 2007, ajo jo vetëm që ishte lezbike, por edhe rome. (Ajo nuk e pranoi këtë fakt deri vite më vonë, por kjo nuk ishte sekret për gazetat tabloide). Kjo nuk e pengoi atë të mbështeste Partinë Radikale Serbe, e cila nuk është shumë e hapur në këtë drejtim.
Por më e rëndësishme është fakti se edhe shoqëri shumë homofobike dhe patriarkale kanë treguar një dozë tolerance përballë këngëtarëve gej apo lezbike. Janë dy raste domethënëse: Azizi në Bullgari. Azizi është një nga këngëtarët më të suksesshëm të muzikës çalga, një muzikë jashtëzakonisht popullore që kombinon muzikën (pseudo)-tradicionale me popin perëndimor, njësoj si turbofolku në ish-Jugosllavi ali Arabeskja në Turqi. Azizi, i cili ka gjithashtu rrënjë rome, ka luajtur me rolet gjinore po aq shumë sa Konçita.
Në mënyrë të ngjashme në Turqi ka pasur këngëtarë jashtëzakonisht të suksesshëm që kanë sfiduar rolet ligjore: Bulent Ersoi dhe Zeku Muren. Kerol (Carol) Silverman, në librin e saj të mrekullueshëm “Shtigjet e romëve: Politika kulturore dhe muzika e Ballkanit në diasporë”, analizon me kujdes suksesin e Azizit dhe performancën e tij, lojën me stereotipat gjinorë dhe imazhin e romëve apo orientalizmit.
Në njëfarë mase, kombinimi i ekzotikes me rolet gjinore të përziera i ka bërë të dyja më të pranueshme. Gjithsesi, Bullgaria dhe Turqia mbeten mes vendeve europiane më pak tolerante ndaj homoseksualitetit, duke sugjeruar kështu një mungesë lidhjeje mes suksesit të këngëtarëve homoseksualë apo transeksualë dhe sjelljeve popullore.
Në thelb, po thuhet se është në rregull të jesh gej apo lezbike në botën e dëfrimit por jo në “jetën normale”. Për shkak se bota e dëfrimit është joreale dhe artificiale edhe kur nuk luan me rolet gjinore, këtu ka më shumë hapësirë për ata që mund të mos përputhen me pritshmëritë konvencionale të shoqërisë. Në fakt, suksesi në dëfrim mund të përmbledhë disa role gjinore që perceptojnë gejt dhe lezbiket si flakërues dhe, në fund, dëfryes.
Natyrisht, performuesit e hershëm gej, lezbike dhe transeksuale kanë qenë në gjendje të lulëzojnë përmes ambiguitetit, duke mos pranuar hapur homoseksualitetin e tyre, por Azizi në Bullgari është bërë popullor në këtë vend, pavarësisht referencave të tij të hapura mbi homoseksualitetin.
Ajo që është më goditëse është politizimi i festivalit. Në njërën anë është interpretimi i Konçita Vurst dhe suksesi i saj si fitore e diversitetit dhe tolerancës, siç e deklaroi ajo vetë në fjalimin e fitores.
Në mënyrë të ngjashme organizatat LGBT dhe partitë politike (me të drejtë) nxisin për më shumë të drejta për gejt dhe lezbiket në termat e martesës dhe adoptimit (veçanërisht në Austri ku fitorja e saj u festua gjerësisht, edhe nga Partia Konservatore, por jo nga Partia Ksenofobike e Lirisë). Në anën tjetër është kritika e ashpër dhe refuzimi nga politikanët konservatorë dhe nacionalistë, veçanërisht në Europën Lindore.
Kjo reflekton zbulimin më të gjerë të homofobisë si një temë e fuqishme për të djathtën nacionaliste dhe konservatore në Rusi, por edhe në Europën Juglindore.
Ndërsa të drejtat gej dhe lezbike zakonisht kanë qenë në fund të listës së argumenteve politike të grupeve konservatore një dekadë më parë, dhuna në paradën e parë gej në Serbi në vitin 2001 ishte simptomatike për atë që u bë një çështje referuese për të djathtën.
Politizimi merr edhe një dimension të ndryshëm. Jo vetëm klonët rusë që rastësisht thirren politikanë, e përdorën fitoren e Konçita Vurst për të theksuar identitetin e tyre në një Europë seksualisht konfuze dhe hedoniste.
Në Rusi, aktualisht një retorikë e tillë nuk vjen si surprizë, por surprizë nuk është as zemërimi i shprehur në internet nga Europa Juglindore ku mesazhet homofobike janë të përziera me skepticizmin përballë BE-së si dhe argumentimit të llojit “kjo nuk është Europa që dëshirojmë”.
Natyrisht, mendime të tilla të ndryshme mund të gjenden në çdo vend, nga vendi fitues i Eurovizionit e më tutje. Por ajo që dallon është balanca mes këndvështrimeve dhe intensitetit të tyre. Është e rëndësishme të mos lejohet homofobia e hapur apo e fshehur si një justifikim për ato mendime që promovohen nga e djathta populiste në disa vende europiane, siç është rasti i ekstremistëve Wilders në Holandë, të cilët përdorin homofobinë për të justifikuar ksenofobinë e vet.