Një foto e shkëputur nga filmi tij i parë “Rrugë të Bardha” në rolin e profesorit, me aktoren e talentuar, Elida Cangonji.


Një rrëfim për aktorin e karaktereve dhe regjisorin që solli absurdin në një kohë kaotike për vendin/



Silueta e tij e heshtur prej pesë vitesh mungon në rrugën që të çon në Teatrin Kombëtar. Në kafenenë ku i pëlqente të rrinte gjatë paraditeve, sidomos muajve të fundit të jetës, ku trupi ia tregonte çdo ditë që orët e ikjes po afroheshin, qenia e tij mungon. Ka mungesa që janë më shumë se të tilla. E tillë është dhe ikja e Agim Qirjaqit jo vetëm për teatrin shqiptar, por edhe për miqtë. Pasi ishte shumë herët për të marrë rrugën nga ku nuk ka më kthim. Por aktori zgjodhi të shkonte drejt vdekjes duke jetuar, duke mos humbur atë ritualin e zakonshëm të ditës që niste gjithnjë me rrugën për teatër. Kishte një diçka filozofike portreti dhe qëndrimi i tij, diçka që tregonte aktorin ndryshe që ishte nën lëkurën e Qirjaqit, aktori që mund të transformohej lehtë duke u futur në psikikën e personazhit. Ishte regjisori Viktor Gjika ai që e spikati herët këtë cilësi të karakterit të Qirjaqit, kur në moshën 24-vjeçare i besoi rolin e profesorit te  filmi “Rrugë të bardha”. Dy vjet më vonë, regjisori Dhimitër Anagnosti do t’i jepte rolin e drejtorit të shkollës te filmi “Lulëkuqet mbi mure”. Dhe pse shumë i ri Qirjaqi me këtë interpretim kishte krijuar tashmë profilin e një aktori karakteri. Në të njëjtin vit, regjisori Kristaq Mitro i jep rolin e “Kolonelit gjerman” te filmi “Dimri i fundit”. Në kinematografinë shqiptare pas viteve ’80, Agim Qirjaqi do të spikasë me role të rëndësishme, duke e bërë një prej figurave më të dashura për publikun. “Tela për violinë”, “Rrethi i kujtesës”, “Apasionata”, “Stolat në park” etj., do të dallonin personalitetin e një aktori, që do të kishte marrë të tjera përmasa në një kohë tjetër. Pas viteve ’90, Qirjaqi do të interpretonte një nga kryerolet e tij në kinema, siç është “Kolonel Bunker” nën regjinë e Kujtim Çashkut. Muro Neto, një ushtarak profesionist që jetonte ankthe reale të një kohe që kishte qenë gjithë jeta e tij, nuk mund të interpretohej nga një tjetër aktor përveçse Qirjaqit. Përmes anktheve të këtij personazhi, Qirjaqi duket sikur interpretoi vetveten, gjithë ankthet e pafundme të një artisti në një vend si Shqipëria. Por teatri mbeti dashuria e Qirjaqit, një dashuri të cilën donte ta jetonte sa më gjatë dhe muajt e fundit të jetës. Ndoshta se teatri ishte më pranë botës së brendshme të njeriut, dhe futej lehtë brenda dramave që mund të ishin të shumta dhe brenda një burri. Që pas viteve ’80, ai është një protagonist i rëndësishëm i Teatrit Kombëtar me një sërë rolesh. Por Qirjaqi nuk ndenji vetëm nën lëkurën e aktorit. Pas viteve ’90, ai shfaqet si regjisor i një sërë pjesësh të teatrit absurd. Në nëntor të vitit 1993, ai shpallet si regjisori më i mirë i Festivalit të Parë të Teatrove mbarëshqiptarë me komedinë “Fando dhe Lis” e Fernando Arrabal. Vetëm një vit më parë ai kishte ngjitur në skenën e teatrit “Rikardi III” nga Shekspir. Dukej që Qirjaqi shkonte drejt teatrit që kërkonte të shpjegonte psikikën njerëzore. “E ndjeva si një nevojë shpirtërore, artistike të flas me një autor të teatrit absurd, sepse në atë pozicion, në atë gjendje shpirtërore u ndodha në ato momente”, do të shprehej në atë kohë Qirjaqi. Ai shkonte drejt teatrit që përpiqej të merrte përgjigje dhe për pikëpyetje që i ngrinte vetes. Pasi bota e individëve është e njëjtë. Në vitin 1994, ai vë në skenë në bashkëpunim me regjisorin Mehmet Xhelili veprën e Joneskos “Këngëtarja tullace”. Ekzistenca e artistit, fati i njeriut, shpresat,  iluzionet e zhgënjyera, procesi i tranzicionit, liria që kishte sjellë demokracia të gjitha këto kishin sjellë një turbullirë, që shoqërohej me zhvillime kontradiktore, intolerancë. Qirjaqi donte të sillte një teatër që t’i fliste dhe inteligjencës e cila ishte në kaos, pasi detyra e artit është ndërgjegjësimi. “Kaos i brendshëm, boshllëk universal. Ky është një këndvështrim mbi fatin e njeriut. Përvoja përballë realitetit…”, do të shprehej Qirjaqi. Duke e parë teatrin si një mënyrë për të kuptuar një realitet që po ngatërrohej në kaosin që solli ndryshimi i sistemeve, Qirjaqi zgjodhi autorë që shihnin thellë individit. I tillë ishte Jonesko. Depresionet e Joneskos, ankthet e ekzistencës, idetë esteitike të tij, elementët autobiografikë të tij do të zinin vend në filozofinë ku Qirjaqi besonte në atë kohë. Më 19 prill 1995, ai ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë “Marrëzi e madhështisë” të Jani Durit dhe Vangjel Kozmait sipas motiveve të romanit të famshëm “Don Kishoti”. Shihet sërish ndjeshmëria e regjisorit ndaj aktualitetit. “Nëse Don Kishoti më përpara ishte një njeri që donte ta kthente rrotën e historisë prapa, sot ai është pranë nesh, ai ka në vetvete një lloj frymëzimi, një lloj aspirate shpirtërore një lloj zhgënjimi një lloj përpjekjeje për të frymëzuar njerëzit për të mirën, për të drejtën për të luftuar mëkatet. Po ka dhe anën tjetër, çmendurinë e tij për t’u rënë me kokë mureve që vetë njerëzit i kanë ngritur”, do të shprehej Qirjaqi për këtë vepër. Disa vite më vonë, ai ngjit në skenën e Teatrit Ibsenin me dramën “Armiku i popullit”, e cila vazhdon të mbetet një nga dramat më të mira të vëna në skenën e këtij teatri. Janë të pafundme rolet dhe kujtimet që një aktor i përmasave të Qirjaqit ka lënë në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Ai i foli kaosit, këtij kaosi dhe tranzicioni të gjatë nga i cili teatri ende nuk ka dalë. Por në një kohë tjetër, kur gjithë ky kaos të ketë mbaruar, emri i Qirjaqit dhe kontributi i tij do të mbetet i çmuar në historinë tonë të artit. Foli shumë rrallë në media, dhe gjithë filozofinë ku besoi e dha përmes artit që bëri. Në këta pesë vjet asnjë aktivitet nuk ka kujtuar këtë artist të rëndësishëm të skenës sonë, i cili vazhdon të jetojë përmes karaktereve që u dha jetë, në skenat e filmave ku interpretoi. Një kujtesë ndaj Qirjaqit, është një kujtesë ndaj historisë sonë.


a.b