Kristaq Skrami: Na duhet një godinë më dinjitoze
Pas shumë vitesh rikonstruktohen dhomat e aktorëve. Një fond prej rreth 38 milionë lekësh të vjetra është shfrytëzuar për të krijuar kushte normale për artistët
Oliverta Lila
Infrastruktura e Teatrit Kombëtar ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për artistët. Në skenë dhe pas saj, ata janë të parët që vuajnë pasojat e amortizimit. Ndërsa artistikisht teatri i ka mbyllur dyert, ky moment është shfrytëzuar për të bërë disa punime. Për herë të parë pas shumë vitesh, është vënë dorë edhe te dhomat e aktorëve. Besim Kurti, nëndrejtori i TK-së thotë se restaurimi i fundit mund të ketë ndodhur diku nga vitet ’70. Teksa ngjitesh në shkallët e ngushta e të errëta që ndodhen pas sallës “Kadri Roshi”, ka ende pluhur çimentoje, objekte të vjetra të lëna në korridor, tavolina me pasqyra mjaft të dëmtuara, karrige të çara që deri më sot kanë shërbyer si mjetet e punës për aktorët. Korridori mbetet pjesa e fundit ku duhet të punohet dhe ku ruhen ende gjurmët e viteve të gjata të mungesës së rikonstruksionit. Në një prej kthesave është ende e dukshme lagështira që depërtonte në një prej dhomave të aktorëve. Me fondin prej rreth 38 milionë lekësh të vjetra(3782085 milionë) akorduar nga Ministria e Kulturës nga zëri i investimeve, më në fund pak kushte normale për artistë. Dhomat janë shtruar me parket, ndërkohë që thuhet se tavolinat, pasqyra, varëset e rrobave, objektet e zakonshme që i nevojiten një aktori para se të dalë në skenë, do të jenë të reja. Ato që kanë qenë deri më sot, e që të grumbulluara në korridor ngjajnë si relike, do të zhduken. Pjesë e rikonstruksionit ka qenë edhe holli i zyrave të administratës, ku linoleumi i copëtuar në ngjyrë jeshile në myshk dhe ku kërcitja e shkallëve ishte e zakonshme. Në tërësinë e problematikave të infrastrukturës që shfaq kjo godinë, ndërtuar që në vitin 1939, ndonëse herë pas here aktorët janë shprehur për kushtet e punës, nuk i kanë bërë problematike këto kushte. “Ishte e domosdoshme të rikonstruktoheshin dhomat e aktorëve. Pritet që edhe arredimi të jetë bashkëkohor, duke e ndërruar tërësisht pamjen e nëntë dhomave. Para 2-3 vitesh me një fond të dhënë nga MTKRS-ja u bë një rikonstruksion i të gjitha zyrave, ndërkohë që vjet realizuam një pjesë të ndriçimit. Shpresojmë që vitin tjetër ta përfundojmë tërësisht, pasi magjia në teatër bëhet me ndriçim”, shprehet drejtori i TK-së, Kristaq Skrami. Në ambientet e teatrit është ngritur edhe një sallë e madhe, e cila sipas Skramit do të shërbejë për provat e shfaqjeve, pa cenuar rrjedhën normale të kalendarit artistik. Por ndërkohë që rreth 6 vjet më parë, u bënë punime në skenë, të gjithë ata që kanë shkuar në dimër në Teatrin Kombëtar e kanë provuar kërcitjen e dhëmbëve dhe xhupat e trashë që nuk guxon kurrsesi t’i heqësh dhe e kundërta kur koha ngrohet. “Kam marrë premtimin që vitin tjetër mund të kemi ngrohjen dhe ftohjen. Projektin dhe preventivin e kemi dërguar në ministri që vitin e shkuar dhe presim lëvrimin e buxhetit”, thekson Skrami. Ndërkaq, sipas tij, godina hëpërhë ka strukturë të qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje. Herë pas here, njerëz të teatrit kanë hedhur idenë e një godine tjetër dhe më dinjitoze për Teatrin Kombëtar. “Sigurisht që Teatri Kombëtar duhet të ketë një godinë dinjitoze, megjithatë salla aktuale, duke u nisur edhe nga mendimet e regjisorëve të huaj që kanë ardhur të punojnë, është funksionale dhe prestigjioze pavarësisht nga problematika e infrastrukturës. Me kaq fonde sa marrim nga ministria, ne mundohemi të plotësojmë atë që duhet të ketë një sallë e Teatrit Kombëtar”, shpjegon Skrami. I pyetur se cila mund të ishte godina e përshtatshme për një teatër të ri, Skrami thekson se salla e Parlamentit aktual, një ide e dhënë nga Kryeministri Berisha, do të ishte prestigjioze. “Në qoftë se Teatri Kombëtar do të marrë një ditë në administrim atë godinë, është e domosdoshme zgjerimi i skenës, paskenës dhe sistemi i ndriçimit, por ajo mund të funksiononte shumë mirë si teatër”, shprehet Skrami.