Së shpejti, trupa profesioniste e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit vjen për herë të parë me një shfaqje kukullash për fëmijë, “Çamarrokët”. Me regji të Adelina Muçës, skenografi dhe kostumografi të Lira Zahirit, shfaqja pritet të mbulojë boshllëkun e madh të fëmijëve durrsakë për shfaqjet teatrale, duke i larguar qoftë dhe për pak kohë nga ekranet e kompjuterit dhe televizorit. Regjisorja e shfaqjes, Adelina Muça, shprehet se ka qenë nisma e një grupi aktorësh profesionistë të teatrit për të sjellë në skenë shfaqje dedikuar fëmijëve. Drejtues të teatrit “Aleksandër Moisiu” pohojnë se pas një sërë suksesesh të arritura nga artistët e këtij teatri, të cilët kanë marrë vlerësimin e publikut artdashës durrsak, aktorët kanë menduar për një tjetër linjë, atë të teatrit të fëmijëve. Me ndihmën e teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe kompanisë teatrore “Princi i vogël”, ata duan t’i japin qytetit dhe fëmijëve një mundësi tjetër argëtimi, edukimi, nëpërmjet mesazheve të pjesës që do të përcjellin, si dhe largimin e tyre për pak nga teknologjia mbytëse. “Mendojmë që me energjinë dhe dëshirën e mirë për të bërë shfaqje për fëmijë, të vazhdojmë edhe më tej, duke mos e ndalur rrugëtimin tonë këtu. Në Durrës, aktivitetet për fëmijë nuk janë të shumta”, thotë regjisorja Muça. Edhe për aktoren Aishe Stari, shfaqja për fëmijë shënon një ngjarje të madhe në jetën artistike të qytetit. Katër personazhet e shfaqjes do të interpretohen nga katër aktorë: Ervin Doko dhe Xhejni Fama në rolin e dy fëmijëve çamarrokë, Aishe Stari në rolin e gjyshes, si dhe Gjergj Doçi në rolin e zdrukthëtarit. Personazhet janë interesante dhe shfaqja pritet të ofrojë kontraste ngjyrash e kostumesh, si dhe të përcjellë mesazhe pozitive për vogëlushët durrsakë. Shfaqja ishte parashikuar të jepej këtë të diel, por një takim elektoral e ka shtyrë atë për një ditë tjetër ende të papërcaktuar.
V.Qyrfyçi
