Shkëlzen Berisha/Pas përvojës në teatrot britanikë, regjisori nga Kosova vjen në Tiranë për të vënë në jetë “Fjongon e argjendtë”… Kriza e gjatë në teatrin shqiptar dhe si mund të shkohet drejt një teatri bashkëkohor 



Teatri i së ardhmes duhet kërkuar te fëmijët. Pas një përvoje të gjatë në teatrot britanikë, Shkëlzen Berisha, një regjisor i ri nga Kosova, është ndalur në Tiranë për të vënë në jetë një ide që e takoi për herë të parë në Londër. Për të pasur një teatër të mirë nesër, puna duhet të nisë nga edukimi i shijes për teatrin te fëmijët. Prej disa muajsh, Shkëlzeni ka nisur një iniciativë të cilën e ka quajtur “Fjongo e argjendtë”, e cila përfshin në një shfaqje teatrale fëmijë të shkollave të ndryshme. Më poshtë ai tregon çfarë synon kjo ide e tij dhe si e sheh krizën e gjatë që ka përfshirë teatrin shqip në të dyja anët e kufirit.


 


Mund të na flisni pak për projektin e edukimit të fëmijëve përmes teatrit?


Projekti “Fjongo e argjendtë” është program i metodologjisë “Teatri në edukim” i dizajnuar posaçërisht për fëmijët e klasës 1 dhe 2. Teatri në edukim është formë artistike e testuar dhe e dëshmuar që ndihmon aktivitetin edukativ, pasi zhvillohet në nivel të thellë interaktiv. Ai përfshin aktivisht fëmijët në atë mënyrë saqë krijon tek ata një lidhje emocionale dhe mendore ndaj problematikës së trajtuar nga procesi. Përveçse përmes ndikimit të dramës, marrin mësim për tema dhe çështje të ndryshme, nxënësit gjithashtu zhvillojnë edhe aftësi të tjera sociale, siç janë komunikimi, të folurit në publik, ndërmjetësimi, vetëdija për veten dhe të tjerët rreth tyre, puna në grup, përqendrim më të lartë dhe vetëbesim. Historia dramatike e strukturuar për një fëmijë që ka nevojë për mbështetje, i fut nxënësit në përgjegjësi aktive. Ky fëmijë nuk jeton si të gjithë ata, në shtëpi, por në barakë të vogël. Ai është ndryshe. Këtu fillojnë pyetjet, diskutimet dhe mënyrat si ta mirëpresin atë. Ai papritmas troket dhe hyn në klasë. Tani për ta është gjithçka e tanipërtanishme dhe duhet të veprojnë. I bëjnë një vend të ulet, i tregojnë për shkollën, gjërat, kulturën mësimore dhe interesohen për kulturën e tij, familjen e tij, prejardhjen e tij. Por djalit ndryshe, i pamësuar në një ambient të tillë shkollor, i duhet të kthehet edhe njëherë prej nga ka ardhur për të gjetur përgjigjet për pyetjet që ka marrë. Të gjej “frymëmarrjen”. Me vrap ai ikën nga aty dhe shkon te “shtëpia e tij”. Klasa merr vendim që të shkojë dhe të mësojë për ambientin, kulturën, gjendjen e tij… “Fjongo e argjendtë” është një histori që fton fëmijët ta imagjinojnë veten e tyre brenda zemrës së të qenët human. Hulumton dallimet dhe larminë njerëzore dhe kërkon nga ne që të qëndrojmë krah përkrah Xhorxhit, aty ku të gjitha rrugët tona bashkohen. Aty ku të gjitha frymëmarrjet janë një.


Projekti, si qëllim kryesor, ka afirmimin e kësaj forme artistike dhe edukative në shkollat e ciklit të ulët dhe afrimin e mësimdhënësve me këtë metodologji si medium i të nxënit dhe që ndihmon në përmirësimin e aksesit për grupet me nevojë. Ky program eksploron identitetin, dallimet kulturore, miqësinë dhe fton fëmijët në pyetjet kush janë ata dhe nga vijnë. Programi është një kontribut për ata që kanë mendjen e hapur për të eksploruar të qenët faktor shoqëror në frymën e organizmit ndërnjerëzor. Organizata jonë, “Qendra e hulumtimit progresiv”, harton gjithashtu programe të ndryshme për grupmosha të ndryshme, duke përdorur teatrin dhe dramën si medium i të nxënit. Projekti “Fjongo e argjendtë”, mbështetur nga Fondacioni SOROS dhe miratuar nga MASH, ka nisur udhën e tij në vitin 2012 dhe përgjatë këtij viti ka marrë shtrirje në 25 shkolla të kryeqytetit duke përfshirë rreth 900 nxënës, 35 mësues dhe shumë prindër.


 


Ju vini nga një përvojë angleze në fushën e teatrit. Sa mund të implementohet kjo përvojë në një vend si ne?


Jam i bindur se çdo përvojë, e sidomos përvojat e vendeve më të zhvilluara për vendin tonë janë shumë të rëndësishme. Megjithatë, jo të gjitha përvojat përputhen me kontekstin e zhvillimeve vendore, kështu që në të shumtën e rasteve ato duan që të përshtaten sipas terrenit në dispozicion. Gjithsesi mua më kanë hyrë shumë në punë. Konkretisht, përgjatë punës sime si drejtor artistik në Teatrin e Gjilanit, eksperienca e fituar nga vitet e punës në Britani, më ka orientuar dukshëm drejt rimëkëmbjes të atij institucioni. Duke krijuar një infrastrukturë ligjore, që u bë themel për statusin e teatrit, stafin e tij, mënyrën funksionuese dhe veprimtarinë artistike zhvillimore të teatrit, si dhe me hartimin e një plan biznesi, ku në mënyrë shumë të saktë paraqitej se si do të duhej të dukej teatri në vitet që do të vinin, bënë që institucioni në vitin 2011 të rikthejë publikun dhe të arrijë numrin rekord të tyre. Gjithsesi, unë besoj se ka përvoja që mund të implementohen këtu dhe se një përshtatje e mirë e tyre me rrethanat ekzistuese në vendin tonë, do të sillte një përparim të hovshëm në sistemet e zhvillimit, mënyrat funksionuese, planifikimet dhe politikat e teatrit të domosdoshme për një funksionim normal të teatrit.


Si do ta vlerësonit atë çfarë ndodh sot me teatrin tonë, Shqipëri- Kosovë?


Sot jemi lodhur me fjalët “këtë herë do të bëjmë diçka NDRYSHE”. Nuk besoj se teatri ka NDRYSHUAR qëllimin e tij që nga epoka kur është krijuar. Kuptohet se kjo formë artistike ka evoluar, sepse ka evoluar edhe vetë qenia njerëzore, por marrëdhëniet e njeriut në raport të kërkimit të një drejtësie kolektive janë po ato si në kohët e ashtuquajtura primitive. Dhe pikërisht mbi këtë prirje biologjike evoluese të njeriut, si qenia më e zhvilluar sociale, është krijuar edhe teatri, si një mjet mendjendjellës për t’i dhënë mundësi njeriut t’i identifikojë cenimet e kësaj drejtësie kolektive, ku pastaj ai të jetë pjesë aktive në këtë proces zhvillimi human. Duket sikur ky funksion qenësor i teatrit, rrallëherë haset në të mirat artistike që prodhohen në skenat shqiptare, ku tendencat për të bërë diçka NDRYSHE, ngecin në një subjektivizëm formal që nuk paraqet rezonancë përmbajtësore me aktualen e shoqërisë së sotme shqiptare apo universalen njerëzore. Do të ishte e padrejtë nëse këtu nuk do të përmendja neglizhencën e vazhduar të institucioneve të shtetit për një financim të qëndrueshëm të kësaj veprimtarie, por megjithatë do të konsiderohej pasive ideja se ky është problemi kryesor. Në mungesë të një bashkëpunimi të sinqertë mes komunitetit teatror dhe një organizimi ad-hoc, jo të qartë dhe jo të hapur, institucionet teatrore nuk kanë arritur akoma të konsolidojnë një reputacion të qëndrueshëm kreativ, ku cilësia e punës do të sillte qasje më serioze nga institucionet financiare publike apo private. Mund ta imagjinoni edhe vetë se çfarë detyre duhet t’i japë vetes ky komunitet, kur kam dëgjuar, por edhe dëshmuar se në shumë raste, pak minuta para se shfaqja premierë fillon prezantimin e saj në skenë, disa aktorë në vend se të jenë me përqendrimin maksimal rreth asaj se çfarë do të paraqesin, pyesin nëse në auditorium kanë ardhur anëtarë të familjes apo shoqërisë së tyre.


 


Çfarë sipas jush prodhon krizë në teatrin shqiptar?


Interesat dhe dëshirat individuale që ngatërrohen me qëllimin kolektiv që përmban veprimtaria teatrore apo artistike, gjë që sot ndjeshëm është e pranishme edhe nga shkaku i një infrastrukture aktuale të çakorduar juridike që paraprin funksionimin e teatrit, e cila ka trazuar rrugë për një dukuri të tillë. Edhe teatri është një punë si gjithë të tjerat, dhe se edhe ajo kërkon një plan përgatitor e konstruktues para se të fillojë inskenimet e veprave. Në këto plane teatri duhet të ketë politikat artistike, menaxhuese dhe financiare, por mesa unë jam i njohur ne kemi tendencën për të bërë menaxhime afatshkurtra dhe të atypëratyshme dhe si rrjedhojë kanë ndikuar ndjeshëm në qëndrueshmëri dhe cilësi. Duhet ta pranojmë gjithashtu se, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, veprimtaria teatrore nuk ka gjetur identitetin e vet autentik krijues, është gjithmonë në kërkim të një niveli më të efektshëm organizativ dhe se çalon për të arritur një cilësi të vazhdueshme. Edhe këtu them se ngjajmë shumë; kemi më shumë shfaqje të përcipta sesa nxitëse dhe mendjebluarëse. Por kjo ngjashmëri problemesh nuk ngjan se po gjen një bashkëpunim të qëndrueshëm për zgjidhje. Jemi komunitet i vogël për t’i zgjidhur problemet secili në vete. Nuk marr të drejtën të them se nuk ka pasur iniciativa, por ato duket të jenë të lokalizuara mes dy apo tri institucioneve dhe janë zigzage. Një orientim i nevojshëm që do të t’i drejtonte teatrot përgjatë një zhvillimi progresiv, do të ishte bashkëpunim shumë i ngushtë i kompanive teatrore dhe i të gjithë artistëve të teatrit për të shkëmbyer sinqerisht përvoja nga më të ndryshmet.


Si mund të shkohej drejt një teatri bashkëkohor, pa humbur edhe traditën?


Cilën traditë? Unë nuk njoh ndonjë traditë të konsoliduar dhe të profilizuar të teatrit, para asaj të periudhës soc-realiste, ku siç e dimë teatri ka prodhuar për të propaganduar pikëpamje të sforcuara moraliste e idealiste dhe shumë pak ose aspak vlera të cilat nxisin njeriun për të vlerësuar pikëpamjet individuale në raport me ato politike dhe sociale që do të shtynin atë për të kuptuar funksionin dhe rëndësinë e tij në këtë mes. Megjithatë, unë mendoj që edhe kjo traditë, sado e shkurtër, mund të na shërbejë që të mësojmë nga e kaluara për të gjetur shkaqet që çojnë drejt prodhimeve bashkëkohore, por më mirë do të thosha drejt atyre që i qëndrojnë kohës. Dhe këtu vjen në fjalë dramaturgjia jonë, e cila, sipas mendimit tim, është duke notuar në një cekëtinë stilesh të ndryshme që turbullojnë një rrjedhë të qartë për një dramaturgji origjinale. Teatri nuk mund të ekzistojë pa dramaturgji. Nëse fillohet të punohet mbi zgjidhjen e problemeve të sipërpërmendura, duke e kuptuar teatrin si punë kolektive dhe jo subjektive, atëherë mund të gjejmë të përbashkëtat ku krijohen parametra kolektive për të krijuar një rrugë drejt një kreativiteti të qëndrueshëm artistik, por edhe organizativ. Një teatër e bën bashkëkohor rezonimi i punës së tij në aktualitet. Ai duhet të jetë një pasqyrë e qartë e shqetësimeve të sotme të shoqërisë dhe duhet të jetë mjet i fuqishëm që t’i nxisë njerëzit për të qenë aktivë në përballjen me këto shqetësime.