Katër Stinët – The Four Seasons është një tog-fjalësh që u kthye në art nga Vivaldi në fillim të 1700, duke u shndërruar me kalimin e viteve në disa prej kompozimeve klasike më të njohura nga publiku i gjërë (shërben edhe si kolonë zanore edhe e serialit në fjalë); më pas një hotel me çmime të kripura, i përballueshëm nga fatlumët e këtij planeti mban gjithashtu të njëjtin emër.
Meqë jemi tek hotelet, mbas suksesit që fiksoi publikun të “White Lotus” – hoteli tek i cili ndodhin lloj e soj problemesh nga ato të sërës së lartë (dhe kryesisht të bardhë), kundërpërgjigjia e Netflix erdhi me “The Four Seasons”.
Por ndryshe nga “White Lotus” – “The Four Seasons” ka për protagonistë aktorë në të 50-tat e tyre që luajnë personazhe të së njëjtës moshë dhe që me siguri mund ta shohin, vlerësojnë, kuptojnë vetëm ky lloj publiku?! Ndryshe nga “White Lotus” konfkliti nuk është aq dramatik sa është vetëm emocional, duke e vënë atë në vështirësi. Seriali (i cili sapo është konfirmuar se do të ketë një sezon të dytë) mundohet të shpjegojë se si është të jesh ‘mes të mirave’ por të ndihesh ‘bosh’, si edhe të gjitha të tjerat që lidhen me [atë] moshë: problemet shëndetësore, kompromiset, martesat afatgjate ose jo, lumturia, ajo e vërteta jo ajo e filmave dhe librave.

Bazuar në filmin e Alan Alda (1991) me të njëjtin titull, “The Four Seasons” arrin të kapë shumë pak prej kompleksitetit të dy njerzve si një çift, apo një grupi miqsh, duke rënë në batakun e stereotipeve dhe prodhimeve televizive të dorës së dytë. Krijuar nga Tina Fey, Lang Fisher dhe Tracey Wigfield si edhe të tjerë kontributorë nga shtëpia e tyre e dikurshme “30 Rock”, serialit i mungon shkëndija; jo vetëm aq po ka një energji të patakuar nga aktorët me njëri-tjetrin, në një cikël vicioz, me çdo skenë që kalon.
Përgjatë 8 episodeve do të shohim katër pushime të katër çifteve në katër stinët e të njëjtit vit. Në dy episodet e para, në pranverë do të njihemi me Kate (Fey) dhe Jack (Will Forte) të cilët së bashkë me miqtë e tyre, çiftin homoseksual Danny (Coman Domingo) dhe Claude (Marco Calvani) do të shkojnë në shtepinë e Nick (Steve Carrell) dhe bashkëshortes Anne (Kerry Kenney-Silver) me rastin e 25 vjetorit të martesës.
Në dukje katër çifte të lumtura, me çdo episod do të kuptojmë se asgjë nuk është ashtu siç duket dhe miqtë do duhet të kalojnë nëpër peripeci emocionale të cilat do të trondisin themelet e tyre në shoqëri por edhe si çifte.

“Jemi si punëtorë në një objekt bërthamor, rrimë në heshtje duke parë ekrane gjatë gjithë kohës” – kështu është mënyra se si Nick e përshkruan marrëdhënien e tij me të shoqen.
Momente ‘të zgjuara’ si këto janë të rralla në serial. Carrell dhe Erika Henningsen (Ginny, e dashura e Nick) – ndihen si të vetmit që kanë kuptuar skenarin dhe nuk sillen si kufoma që zvarriten nga njëra skenë në tjetrën. Kimia e munguar për të tërhequr publikun mbas vetes është një aspekt që zhvillohet me çdo episod që kalon (episodet fatmirësisht janë të shkurtra, jo më shumë se 30-35 minuta). Edhe pse flitet për fenomene sociale të njohura – kriza e mesomoshës, martesa që vihet në rrezik me kalimin e viteve “The Four Seasons” nuk të bën as për të qeshur, as për të qarë, madje as ta vë trurin në punë fare.

Nëse e gjen veten që nuk pëlqen qoftë edhe një prej karaktereve të këtij seriali, mbase kjo mund të ketë qënë e qëllimshme. Po ashtu disa tema si auto-izolimi i një grupi shoqëror, pavarësisht moshës duke snobuar botën, apo frika që gratë dhe burrat në të 50-tat kanë frikë nga ndryshimi edhe kur ky mund të jetë për mirë, edhe pse ka një mundim nga show-runner-at për ta çuar në një konkluzion, ky i fundit është një klishe që tingëllon njësoj si ajo që me cinizëm personazhet dënojnë.
Në fund të ditës, mbase duhet të jesh në të 50-tat e tua o të kesh kaluar 25 vite martesë që të kuptosh se çfarë Fay dhe kolegët e saj kanë dashur të thonë me “The Four Seasons”. Mbase është normale edhe që mbasi ke kryer gjysmën ose çerekun e jetës të duash ta fillosh nga fillimi. Mbase martesa është punë dhe jo fushë me lule. Mbase të ruash një miqësi pas dekadash nuk është edhe aq e pamundur. Ah sikur të kishte të paktën një përgjigje të këtyre mbaseve, mbase Katër Stinët nuk do ishte një joshje nga kolosë të komedisë amerikane e cila shijon njësoj si ato ëmbëlsirat që duken të mira vetëm kur i sheh me sy, se kur i provon, nuk thua dot të njëjtën gjë.