Filmi i 2017-ës, me protagonist Hugh Jackman dhe Rebecca Ferguson, është një ndër rastet [e shumta] kur audienca nuk bie dakord me kritikët e filmit. Ndërsa këta të fundit e kanë futur “The Greatest Showman” në listën e filmave mesatar, publiku e ka në listën e filmave të preferuar për t’u parë me familjen.
Edhe pse në traditën tonë kinematografike, zhanri i filmit muzikor (musical) numërohet me gishtat e njërës dorë, duke e bërë shikuesin shqiptar disi më pak entuziast kur vjen puna tek pëlqimi karshi, sheqerosja e tyre si karakteristikë në krye të listës se pse-rave, ata kanë një avantazh që filmat narrativ nuk e kanë. Këngët – të cilat – ngandonjëherë bëhen edhe më të mëdha se filmi vetë. Një nga këngët e “The Greatest Showman” – ‘The Greatest Show’ apo ‘This is Me’, janë disa prej më të përdorurave qëkurse u publikuan, në programe televizive, spote apo evente të tjera publike. Albumi i filmit mund të thuhet së është një nga më të bukurit e që të lë një shije të shkëlqyer pasi e dëgjon, duke u kthyer shpejt në të preferuarin tënd. Për filmin është e vështirë të thuhet e njëjta gjë.
Një nga aktorët më fluid të gjeneratës së tij – Z. Hugh Jackman, është i jashtëzakonshëm, i rrjedhshëm e i besueshëm. Por edhe pse i ndihmuar nga të tjerë emra të bujshëm hollywood-ianë si Michelle Williams, Zendaya apo Zach Efron, ky musical është kalimtar; shenja që lë, zhduket shpejt.
Historia në të cilët bazohet është ajo e Phineas T Barnum, njeriu që thuhet se është përgjegjës për shpikjen ‘biznesin të argëtimit’ siç e njohim sot. Barnum njihet në histori si një showman i vërtetë që në kohën e tij kënaqte turmat në SHBA.
Showman-i interpretuar nga Jackman është një familjar me ëndrra të mëdha, beson tek idetë që mund të ndryshojnë botën dhe perceptimin, dhe mbas hapjes së një muzeu, i cili rezulton i vështirë për të patur sukses, vendos ta kthejë atë në një shfaqe gjithëpërfshirëse performancash artistike me njerëz të cilët shpërfillen apo bullizohen nga shoqëria për shkak të pamjes së tyre të jashtme por që karakterizohen nga talente të mëdha. Këtu përfshihen gjigandë, njerëz të shkurtër apo gra me mjekra, sa për të përmendur disa.
I ardhur nga një familje e varfër, ai e shihte veten gjithmonë më shumë se rrethanat, e dinte që e shkuara nuk do të ishte edhe ardhmja e tij. Dashuria e madhe dhe nëna e fëmijëve të tij, vinte nga një familje borgjezësh të cilët nuk e pranuan kurrë atë si burrin e vajzës së tyre, ngjashëm sikunder ai nuk pranoi kurrë të kalonte kompleksin e inferioritetit dhe kompromiset që do të bëjë për t’u pranuar nga shtresa e lartë e shoqërisë që do ta shikonte gjithmonë vëngër, jo aq për atë që ishte se sa për atë që përfaqësonte. Kjo temë, bashkë me gjenialitetin e tij artistik janë temat që shtyjnë përpara një musical që në letër i ka të gjitha. Performanca në këngë dhe koreografi të xhiruara me një dinamikë për t’u patur zili, momente argëtuese me dialogje disi patetike por jo qesharake, konflikte të forta të personazheve mes vetes dhe njëri-tjetrit dhe një histori dashurie që ecën në kthesa të vështira për t’u marrë nga një tren që lëviz me shpejtësi.
Sakaq “The Greatest Showman” është më i sheqerosur se një bakllava fundviti dhe më i cekët se një politikan pasi ka fituar një mandat politik. Ajo që i ndodh është e ngjashme me “Moulin Rouge” (Baz Lurham, 2001), momente ngadhnjimi euforik të spektaklit të lidhura jo në mënyrë të qëndrueshme me zhvillimin dramatik ose psikologjik të protagonistëve. Por ndjesia, e ngjashme me atë të sheqerit në gjak, vrulli euforik i ngjarjes është gjithmonë aty.
Në secilin rast, interpretimi i Jackman, një tregues i mëtejshëm i aftësisë së tij magnetike për të qënë në plot kuptimin e fjalës i gjithëanshëm dhe këngëve që do të futen në listën e të preferuarave në Deezer-in që fëmijët dëgjojnë bashkë me ty rrugës për në shkollë duke kënduar fjalët sipër aktorëve, mjaftojnë që ta fusin “The Greatest Showman” në listën e atyre që duhet ti shihni në familje. Pikërisht për këtë kritikët nuk bihen dakord me shikuesit. Nëse të parët i shohin filmat me laps e letër në vetminë e tyre, të dytët shohin se çfarë një film mund të kontribuojë në kujtimet e pashlyeshme me njerëzit e tyre të dashur.

