Ai është padyshim një nga trajnerët që përveç anës profesionale i ka dhënë shumë humor “The Voice of Albania”. Sidrit Bejleri rikthehet në sezonin e dytë, me qëllimin që të gjejë zëra që bëjnë diferencën
Sidrit Bejleri: Jo më “repart ushtarak”, do të punoj me femrat
Oliverta Lila
Sidrit Bejleri është një nga ata këngëtarë që deri një vit më parë ka pasur një marrëdhënie nga ato që mund të quhen korrekte me publikun. Prania e tij në “The Voice of Albania” zbuloi atë pjesë të humorit që shumë pak ia njihnin. Në fakt, ai është kthyer në një protagonist të vërtetë të këtij talent shou shqiptar. Si profesionist dhe si njeri që nuk i kursen batutat. Rikthehet në edicionin e dytë të “The Voice” dhe duket se ka qëlluar në shenjë. Ka marrë tashmë disa zëra që kanë spikatur e do të vazhdojë të kërkojë talentet që do t’i shtohen skuadrës së tij. Në këtë rast, epiteti i “repartit ushtarak” e ndjek nga pas, por ai premton që këtë vit do të punojë mirë edhe me femrat.
Cili ishte reagimi i parë kur iu propozua që të ishit pjesë edhe e edicionit të dytë të “The Voice of Albania”?
Të them të drejtën ftesën e prisja, por dhe nuk doja ta prisja. Eksperienca e një viti më parë ishte shumë e ngjeshur dhe m’u duk se edicioni i dytë erdhi shumë shpejt, ndoshta edhe për arsyen që pas “The Voice” kam pasur shumë angazhime të tjera. Ne iu përkushtuam me mish e me shpirt këtij programi, e nisnim punën në orën 10:00 të mëngjesit dhe mbaronim diku nga ora 8:00 e darkës. Kjo ishte një ndër arsyet që unë nuk doja që të bëhej ftesa, por kur erdhi, nuk e refuzoja dot, sepse ka qenë një ndër përvojat më të mira të jetës sime artistike.
Në fakt, u rikthyet të katërt…
Kjo do të thotë që kemi qenë një katërshe e suksesshme. Vjet kemi treguar një frymë grupi dhe nuk ka pasur asnjë moment egoizmi mes nesh. Publiku besoj se e vuri re që kemi qenë të hapur, kemi bërë edhe lëshime kur kemi dëgjuar vokale që mund t’i përshtateshin njërit apo tjetrit anëtar të jurisë. Ndonjëherë nuk e kemi shtypur me vetëdije butonin, duke e lënë p.sh një vokal të mirëfilltë xhazi të shkonte tek Alma se ajo mund të punonte mirë. Secili nga ne ka një drejtim të tijin.
A mund ta zbulojë veten një konkurrent në katër muaj?
Përsosja e tyre në katër muaj e gjysmë varet se sa ata janë të aftë të përthithin teknikat dhe këtë dikush e bën më shpejt e të tjerë duan më tepër kohë. Megjithatë, mendoj se kjo është një fazë selektive, që u jep mundësinë këtyre talenteve të reja të shfaqen dhe u shkurton shumë rrugë. Mua më janë dashur vite punë për të ardhur deri këtu ku jam, ndërkohë që këta konkurrentë me anë të “The Voice” e kanë shumë të shkurtër rrugën dhe publiku i ka të prekshëm shumë më herët.
Keni bërë vetëm zgjedhjet e para, po cilët do të jenë ata që do të bëjnë pjesë në skuadrën tuaj?
Do të jenë zërat që kanë shtrirje më të madhe. Megjithatë nuk është e thënë të bëjnë namin në skenë, mjafton të jenë zëra stili që dinë të bëjnë diferencë me të tjerët, në mënyrën e interpretimit. Ai që ofron më tepër emocion, ai do të jetë tek të përzgjedhurit e mi.
Vjet u bë i famshëm “Reparti juaj ushtarak”. Do të keni sërish një të tillë?
Gjej rastin të them që nuk qëndron aq kjo puna e “repartit ushtarak”, sepse nëse ju rikujtoj, në ekipin tim prej 14 vetash ishin 8 djem dhe 6 vajza. Megjithatë, meshkujt mesa duket ndjejnë më shumë besim tek unë për nga ana teknike apo profesionale, por e them me bindje që di të punoj më mirë me femrat.
Në “The Voice of Albania” keni zbuluar një anë plot humor të karakterit tuaj. Sa e njohin këtë pjesë?
Humori më ka karakterizuar që në fëmijëri. Në shkollën fillore, klasa ime më mbështeste gjithmonë e shkrihej me mua. Publikut nuk i është dhënë mundësia të më shohë, sepse kur del në skenë për të kënduar, është thuajse e pamundur të shfaqësh këtë dhunti. Po ja që erdhi “The Voice” dhe publiku e mori vesh këtë anë timen si dhe shumë të tjera.