I ashtuquajtur babai i Inteligjencës Artificiale, Geofrey Hinton prej kohësh ka dhënë alarmin për rreziqet që i kanosen njerëzimit prej këtij avancimi shkencor i cili nëse nuk ‘mbahet në kontroll’ mund të kthejë planetin në një skenar të ngjashëm me ato të filmave fantastikoshkencorë (e mbani mend Terminatorin). Edhe kur morri çmimin Nobel për arritjet e tij nuk ngurroi të ishte i kobshëm në fjalimin e tij.

“The Wild Robot” ndërkaq është një antitezë e kësaj. Vendosur në një të ardhme jo edhe aq të largët duke parë zhvillimet (edhe Elvana Gjata tashmë ka një qen robot që quhet Ego), filmi i animuar i Dream Works tregon historinë e një roboti i cili gjendet në një pyll dhe i duhet të përshtatet me një situatë jo familjare për të – një robot i krijuar për të ndihmuar njerëzit në punën e tyre të përditshme.

Me regji nga Chris Sanders, i bazuar në romanin e suksesshëm të Peter Brown, “The Wild Robot” është më shumë se një histori për fëmijë. Është një fabul filozofike që prek disa nga pyetjet më të mëdha që njerëzimi ka ngritur ndonjëherë: Çfarë na bën njerëzorë? A është ndjeshmëria e programueshme? Dhe, mbi të gjitha, a mund të mësojë një robot të dojë?

Në qendër të filmit është Rozzum 7134 – më vonë “Roz” (sepse njerëzit nuk mund të kenë numra në emrin e tyre) – një robot që mbas një tajfuni e gjen veten e vetme mes kafshëve dhe natyrës. Roz përballet me një sfidë të padëgjuar për të: të mbijetojë jo përmes fuqisë, por përmes mësimit, adaptimit dhe, në fund, përmes ndjeshmërisë.

Në një epokë ku Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën tonë, The Wild Robot shkon përtej pyetjes së zakonshme: “A mundet teknologjia të mendojë?”, duke kaluar tek një më e ndërlikuar: “A mundet teknologjia të ndiejë?”

Roz, fillimisht një qenie e ftohtë, që komunikon me fjali alla ‘Siri’ dhe lëvizje mekanike, gradualisht fillon të ndryshojë. Jo përmes rikonfigurimit të kodit të saj, por përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me jetën: me zogjtë që e shikojnë me frikë, me arinjtë që e sfidojnë, me rosakun e vogël që ajo rrit si një nënë.

Ajo mëson të komunikojë, të kuptojë ndjesitë e të tjerëve, të sakrifikojë veten – jo sepse është programuar për këtë, por sepse mjedisi e transformon. Në këtë kuptim, filmi mbështet një ide thellësisht optimiste dhe njerëzore: se ndjeshmëria nuk është ekskluzivitet biologjik, por mund të jetë rezultat i përvojës, i përkushtimit dhe i marrëdhënies me të tjerët.

Pika kulmore e filmit është marrëdhënia e Rozit me ‘të birin e adoptuar’, të cilin ajo e rrit pas vdekjes së nënës së tij biologjike. Kjo marrëdhënie përbën bërthamën emocionale të filmit dhe është mënyra më e thjeshtë dhe më e ndjeshme për t’i përgjigjur pyetjes: “Çfarë është dashuria?”

Për Rozin, dashuria fillon si një detyrë – “të kujdeset për zogun” – por shumë shpejt kalon në një ndjenjë që e tejkalon logjikën. Ajo rrezikon veten për të, ndjen dhimbje kur ai është larg dhe përjeton një formë të plotë empatie që është thuajse njerëzore. Brighbill (rosaku), nga ana tjetër, e sheh Rozin jo si një makinë, por si “mamanë” e tij. Kjo është forca e dashurisë: aftësia për të përthithur edhe atë që është ndryshe, edhe atë që nuk është “njeri”.

Ky mesazh përforcohet edhe nga ndërveprimet e tjera të Rozit me natyrën. Në fillim, kafshët e shikojnë si kërcënim – një qenie metalike në një botë organike – por me kalimin e kohës, ajo fiton respektin dhe dashurinë e tyre përmes sjelljeve të saj, përmes vullnetit për të ndihmuar dhe për të qenë pjesë e komunitetit.

Në thelb, The Wild Robot nuk është vetëm një tregim për një robot që bëhet “njeri”. Është një histori për transformimin: të teknologjisë, të perceptimit, të qenies. Roz është simbol i çdo të panjohure që shfaqet në botën tonë dhe që, në vend që të shtypet, mëson të bashkëjetojë, të bashkëkrijojë dhe të bashkëndiejë.

Kjo e bën filmin aktual dhe universalisht të rëndësishëm. Në një epokë kur njerëzit ndihen gjithnjë e më të shkëputur nga natyra, një robot na mëson pikërisht vlerën e lidhjes me mjedisin, me krijesat e tjera, me ndjesitë që nuk mund të maten me algoritme.

Me zërat e disa prej yjeve më në zë të kinemasë si Pedro Pascal (Dhelpra Fink), Ving Rhames, Lupita Nyong-o, Bill Nighy, stili vizual i filmit është interesant– një përzierje mes teknologjisë 3D dhe një fryme akuareli që i jep një atmosferë të ngrohtë e njëkohësisht melankolike. Ishulli nuk është thjesht sfond – është një personazh më vete. Kjo qasje regjisoriale e Chris Sanders (i njohur edhe për “How to Train Your Dragon” dhe “Lilo & Stitch”) është thellësisht poetike: ai kombinon tensionin me butësinë, konfliktin me qetësinë, teknologjinë me shpirtin.

Muzika, dritat, ritmi i ngadaltë i disa skenave, i japin filmit një ndjesi meditative – si të ishe duke parë një haiku të animuar. Nuk është thjesht një film për të vegjlit, por për të gjithë ata që kërkojnë një reflektim të ndershëm dhe të bukur për natyrën njerëzore.

Ndryshe nga sa kemi dëgjuar, Roboti i Egër nuk është një paralajmërim për dominimin e teknologjisë. Është një lutje për bashkëjetesë. Është një kujtesë se, nëse një robot mund të mësojë të kuptojë një zog, të mbrojë një pyll, të sakrifikojë për dashurinë, atëherë edhe njerëzit – që kanë harruar ndonjëherë këto vlera – mund të mësojnë sërish.

Në këtë mënyrë, dashuria paraqitet jo si një ndjesi romantike apo sentimentale, por si forma më e avancuar e inteligjencës. Dashuria, siç e portretizon ky film, është aftësia për të ndjerë përgjegjësi për tjetrin, për të qenë i butë në një botë të egër, për të qenë i vërtetë edhe kur je prej çeliku dhe çipesh.

The Wild Robot është një nga ato rrëfime që, me thjeshtësinë e tij, arrin të jetë i thellë. Është një përrallë për një të ardhme ku robotët ndoshta do të duken si njerëz, por do të mësojnë prej nesh, ashtu siç ne mund të mësojmë prej tyre – për durimin, për përshtatjen, për përkujdesjen dhe mbi të gjitha, për dashurinë.

Sepse në fund të fundit, ajo që na shpëton nuk është fuqia, as inteligjenca, por aftësia për të dashur. Edhe pse kjo është e vështirë edhe prej disa prej nesh, kur e mëson një robot, sa e vështirë mund të jetë?…