Vetëm pak orë na ndajnë nga finalja e madhe e “Top Fest 9”. Ethet e garës kanë përfshirë këngëtarët, ndërkohë që organizatorët garantojnë një spektakël madhështor. Do të jetë një natë e gjatë e plot surpriza nën drejtimin e Ledion Liços dhe motrave Vjollca. Kush do të jetë fituesi i Çmimit të Madh? Gjithçka për t’u ndjekur live në HD



Pallati i Kongreseve gumëzhin duke pritur finalen e madhe të “Top Fest 9”. Punëtorë të shumtë punojnë mbi skeletin e skenografisë, me ndriçimin, detajet artistike, ndërkohë që nuk neglizhohen as detajet më të vogla. Paralelisht, në një studio tjetër orkestra dhe aktorët bëjnë prova për të kënduar live. Orët e mbetura janë një vrap i vazhdueshëm. Finalja e madhe e “Top Fest 9” nuk do të jetë thjesht një garë, por një spektakël madhështor. Janë 18 finalistë në garë për Çmimin e Madh, ndërkohë që ethet e konkurrimit i kanë përfshirë të gjithë. Një gjë është e garantuar: finalja do të jetë një natë plot emocione dhe surpriza. Këtë vit interesi i publikut për t’i ndjekur nga afër ka qenë më i madh se çdo herë tjetër. Të gjitha biletat janë shitur një javë para mbrëmjes së madhe dhe kërkesat kanë qenë të vazhdueshme. Siç është bërë tashmë traditë, këngëtarët do të parakalojnë në tapetin e kuq, nën sytë e fansave që i shohin nga afër dhe në blicet e fotografëve. Asgjë nuk kalon pa u vërejtur e pa u komentuar. “Duke qenë se është konceptuar si një natë gala, e gjitha fillon që dy orë përpara daljes sonë në transmetim. Artistët do të kalojnë në tapetin e kuq dhe e gjitha kjo do të transmetohet live në ‘DigitAlb’”, thekson regjisori Ergys Lubonja. Në fakt ky do të jetë vetëm fillimi i një nate të gjatë festive. Pas më shumë se dy muajve, festivali i vetëm i muzikës moderne shqiptare kulmon me një spektakël të madh dhe me trofetë që u shkojnë më të mirëve. “Kemi 18 këngëtarë finalistë, nga të cilët 6 i zgjodhi publiku përmes televotimit dhe të tjerët bordi drejtues i ‘Top Fest’. Nata finale nuk është thjesht një konkurrim, por është bërë një punë kolosale për të sjellë shumë surpriza për publikun, që nga skenografia, ndriçimi, prezantimi i këngëtarëve. Transmetimi do të bëhet në HD si këto tre vitet e fundit, ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe elementet artistike, siç është edhe një numër i posaçëm kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, një kolazh me këngët shqiptare që ka realizuar çdo fundvit ‘”Top Channel’”, tregon regjisori Lubonja. Ledion Liço dhe motrat Vjollca do të shoqërojnë këngëtarët dhe publikun në këtë natë të gjatë, me skenar të shkruar nga Dalina Buzi.



Fituesi do të zgjidhet në balancë mes publikut dhe jurisë profesioniste që tashmë është përcaktuar. Janë kryesisht të rinj, por të gjithë emra të spikatur në fushën muzikore, profesionalistë të padiskutueshëm të fushës. Dorian Gjoni, Miriam Cani, Rona Nishliu, Gent Rushi dhe Sidrit Bejleri do të japin vlerësimet e tyre për të zgjedhur fituesin e “Top Fest 9”. Përveç çmimit të madh, 10 çmime të tjera do të shkojnë për kategoritë në garë. Për të ndarë trofetë do të ketë shumë të ftuar VIP nga bota e artit, e sportit, këngëtarë që fituan çmime edicionin e shkuar apo edhe personazhe të “Big Brother 5”. Ndërsa më parë ishte lajmëruar për një prani të këngëtares kosovare Rita Ora, e cila po korr sukses të madh në Angli, regjisori Lubonja sqaron se ajo nuk mund të jetë e pranishme, për shkak të përplasjes së datës së festivalit me angazhimet e këngëtares. Risi e këtij edicioni në fakt do të jenë vetë këngëtarët. Ashtu siç e pamë në netët gjysmëfinale, ku këngët e tyre u interpretuan njëkohësisht në variantin unplugged dhe origjinal, finalistët do të vijnë ndryshe. Dorian Gjoni, drejtori artistik i festivalit, na tregon detajet. “Ndryshe nga vitet e tjera ne po mundohemi që këngët t’i sjellim në format të përpunuar. Pothuajse të gjitha këngët do të kenë elemente të reja si në pjesën muzikore, ashtu edhe për sa i përket performancës. Po punojmë me artistët e po mundohemi që këngët t’i bëjmë më të përmbledhura, duke i dhënë hapësirë elementeve skenike, por edhe instrumenteve të reja.


Mendoj se do të jetë një finale shumë entuziaste, shumë ritmike, do të ketë shumë larmi, potencial, fuqi dhe këngët që kemi zgjedhur janë posaçërisht për një natë të tillë”, thekson Gjoni. Për bordin përzgjedhës ka qenë e vështirë seleksioni ashtu edhe përjashtimi i këngëtarëve nga finalja, krijimet e të cilëve kanë rritur nivelet e përfaqësimit, duke e bërë njëkohësisht garën më të fortë. “Në finale janë 18 më të mirët, por për shkak të formatit që ka ‘Top Fest’ kanë mbetur jashtë shumë artistë të mirë, që shumë mirë mund të ishin në finale. Ne zgjedhim këngë përmes kategorive: nëse janë shumë këngë rok të bukura, nuk i marrim dot të gjitha në natën finale, sepse do u lëmë vend edhe stileve të tjera. Kjo është arsyeja që shumë këngë të bukura kanë ngelur jashtë, por 18 këngët finaliste janë ndër më të mirat”, sqaron drejtori artistik i festivalit, Dorian Gjoni. Nga njëra fazë në tjetrën, Fatmir Minga ka punuar për të sjellë një skenografi që i jep jetë festivalit. Puna e tij kulmon në natën finale. Skena e Pallatit të Kongreseve është shndërruar e gjitha në një skenografi, që përveçse madhështore, sjell elemente të shumta artistike. Një punë në grup, ku teknologjia është vënë në funksion të një spektakli plot jetë. “Skenografia zhvillohet sipas fazave të këtij festivali. Ky edicion i ‘Top Fest’ nisi me një prezantim të këngëve konkurruese, shoqëruar me një skenografi dinjitoze për këtë eveniment dhe shumë të kuruar, por natyrisht në përmbajtje nuk ka madhështinë që kërkon nata finale. Duke hyrë në fazën e gjysmëfinaleve dhe prezantimit live, gjërat fillojnë e ndryshojnë dhe skenografia ndërtohet duke respektuar të gjithë komponentët: pajisjet, elementet audio, vendosjen e këngëtarëve, staturën e orkestrantëve. Nga gjysmëfinalja unë marr spunton për të bërë finalen e madhe që ka përgjegjësi të tjera. Hyjmë në një botë shumë të madhe, ku përveç këngës, kemi performancat, grupin e baletit, të ftuarit që ndajnë çmimet. Skenografia shkon në proporcion të drejtë me rritjen e imazhit të spektaklit dhe i shërben atij”, shprehet Minga. Pa dashur të tregojë detajet, të cilat publiku do t’i shohë menjëherë pas fillimit të finales, Minga premton një skenografi që do të ketë shumë ngjyra dhe jetë. E ndërsa ajo që është ngritur në sallën e Pallatit të Kongreseve duket më e madhe se çdo herë tjetër, Minga ka një tjetër shqetësim. “Unë dua vërtet të ngre një skenografi madhështore, por dua maksimalisht të vras mendjen për artin që dua të bëj këtu. Kjo është primare për mua”, shprehet Minga. Një punë e bërë në grup për të dhënë më të mirën. E ndërsa nuk do të mungojnë grafikat e punuara në 3D, Minga ka konceptuar një skenografi gjigante urbane që del jashtë kontureve të një Pallati Kongresesh. Për thuajse dy muaj publiku njohu këngëtarët pjesëmarrës, në një transmetim 8-javor, ku konkurruan më shumë se 130 këngëtarë. Një maratonë e gjatë që u përmbyll me tre net gjysmëfinale dhe me një risi të këtij edicioni. Për herë të parë publiku votoi për të çuar direkt në finale të preferuarit e tyre, 2 për çdo natë. Si rrjedhojë, Klajdi Haruni me “Mamica”, Julka me “Për mua je dashuri”, grupi “Burn” me “Njerëz që takoj çdo ditë”, Erik Lloshi me “Ajo është ajo”, Eugent Bushpepa me “Udhëtari” dhe grupi “Na” me “Jam zgjuar”, kanë shkuar direkt në finale si të zgjedhurit e publikut. Këtyre emrave u shtohen këngëtarë të tjerë si Besa Kokëdhima, Argjentina Ramosaj, Stresi dhe Xheraldina, Marsela Çibukaj etj. Për pak, finalja e “Top Fest 9” starton!


 


Çmimet


Best Female


Best Male


Best Group


Best Rock Alternative


Best Pop


Best Balade


Best HipHop @ RnB


Best Pop RnB


Best Internet


Top Albania Radio


Çmimi i Madh


 


Juria


Fituesi do të zgjidhet në balancë mes publikut dhe jurisë profesioniste që tashmë është përcaktuar. Janë kryesisht të rinj, por të gjithë emra të spikatur në fushën muzikore, profesionalistë të padiskutueshëm të fushës. Dorian Gjoni, Miriam Cani, Rona Nishliu, Gent Rushi dhe Sidrit Bejleri do të japin vlerësimet e tyre për të zgjedhur fituesin e “Top Fest 9”.


 


Këngëtarët


Për herë të parë publiku votoi për të çuar direkt në finale të preferuarit e tyre, 2 për çdo natë. Si rrjedhojë, Klajdi Haruni me “Mamica”, Julka me “Për mua je dashuri”, grupi “Burn” me “Njerëz që takoj çdo ditë”, Erik Lloshi me “Ajo është ajo”, Eugent Bushpepa me “Udhëtari” dhe grupi “Na” me “Jam zgjuar”, kanë shkuar direkt në finale si të zgjedhurit e publikut. Këtyre emrave u shtohen këngëtarë të tjerë si Besa Kokëdhima, Argjentina Ramosaj, Stresi dhe Xheraldina, Marsela Çibukaj etj.