Dokumentari “25 vjeç”, i cili tregon jetën e përditshme të gruas së një të dënuari për vrasje, realizuar nga Elisa Gjerani, është fituesi i edicionit të II të konkursit “Rrathë”, organizuar nga fondacioni “Soros”, me mbështetjen e fondacionit “Dritan Hoxha”



Çfarë do të thotë të jesh 25 vjeç, e dashuruar, nënë e një fëmije dhe bashkëshortja e një vrasësi? “25 vjeç”, dokumentari i realizuar nga Elisa Gjerani, është fituesi i çmimit të parë në konkursin e video-dokumentarëve “Rrathë”, organizuar nga fondacioni “Soros”, me mbështetjen mediatike të fondacionit “Dritan Hoxha”. Në qendër të këtij dokumentari është jeta e përditshme e gruas së një të dënuari për vrasje. Vizitat e saj në burg dhe shpresat e vakëta të një jete të thyer…Juria e përbërë nga Enkel Demi, Besar Likmeta dhe Indrit Kasmi, vlerësoi historinë e treguar nga Gjerani, si më të mirën mes 25 video-dokumentarëve të shfaqur në ciklin e dytë televiziv “Rrathë”. Video-dokumentari më i mirë u shpall ai me titull “Të gërmosh jetën” me autor Gert Selenica. Në qendër të këtij dokumentari ishte beteja e përditshme me vdekjen e minatorëve tanë. Jeta qindra metra në thellësi të tokës me rrezikun e përhershëm të shembjeve masive të gurëve. Çmimin për Median me Pjesëmarrje e ka marrë dokumentari “Bulizmi” me autore Amela caci dhe Anxhela Koci. Dy gjimnazistë tregojnë se ç’është bulizmi, dhuna psikologjike dhe fizike ndërmjet nxënësve dhe fenomenin e përhapjes së shpejtë të tij në shkollën ku ata mësojnë. Çmimin inkurajues për median investigative e ka marrë dokumentari me titullin “Funeral”, me autor Kreshnik Ibrahimi. Biznesi i vdekjes ishte tema e këtij dokumentari. Një takim me njerëzit që mbase janë të vetmit të kënaqur kur dikush vdes. Një udhëtim në botën e funeralëve dhe të varrezave të superpopulluara të Tiranës. Me çmimin special nga fondacioni “Dritan Hoxha” është vlerësuar dokumentari “Merimanga” me autor Emiljo Leka. Tirana, jeta në një kryeqytet të mbërthyer nga lëmshi i rëndë dhe i ngatërruar telash. Interneti, telefonia, rrjetet tokësore, të gjithë këto na kanë mbyllur brenda një rrjete gjigante merimange. Kjo ishte ideja që përçohet në këtë dokumentar, i cili kërkonte të shpjegonte atë çfarë ndodh sot me të përditshmen tonë. 25 video-dokumentarët e prezantuar në këtë konkurs ishin një rrëfim për fenomenet që shqetësojnë shoqërinë sot. Nga “Shqipëria nën gërshërë” e Mirel Gjyzarit, ku flitej për historinë e tre berberëve në tre qytete të ndryshme të Shqipërisë, tek “Ninullat” që fliste për bebet e braktisura nga nënat, apo “Painted Red” që tregonte rrezikun që ndiejnë çdo ditë banesat e ngritura pak metra larg shinave të trenit, apo pasionet e të rinjve kryeqytetas, ajo çfarë ndodh jashtë kryeqytetit, ku varfëria në shumë fshatra na rikthen pas në kohë, ishin tema të trajtuara në këta dokumentarë. Qëllimi i këtij konkursi është nxitja dhe promovimi i punës së të rinjve, mbulimi më i gjerë mediatik i çështjeve sociale të vendit, si dhe promovimi i formave të reja të medias qytetare. Në edicionin e dytë të këtij konkursi erdhën 160 aplikantë, nga të cilët u përzgjodhën vetëm 25. Çdo të shtunë për nëntë javë rresht, këta dokumentarë u shfaqën në ekranin e “Top Channel”. “Rrathë II” u realizua gjatë vitit 2013. Këtë herë objektivi ishte më fort cilësia. Numri i aplikuesve nisur dhe nga suksesi i një viti më parë, ishte ku e ku më i madh. Interesi i të rinjve anekënd vendit dhe shumë herë, edhe matanë kufijve të Shqipërisë, madje edhe i gjimnazistëve ishte gjithnjë e në rritje, konkurrenca më e rreptë dhe kërkesat e përmbajtjes dhe ato teknike shumë më të larta. Kështu, pas muaj e muaj pune sistematike u përzgjodhën 25 video-dokumentarë, të cilët u transmetuan në “Top Channel” falë bashkëpunimit me fondacionin “Dritan Hoxha”, thotë Fatos Baxhaku, drejtor i redaksisë “Rrathë”. “Fate njerëzish të harruar, fëmijë të lënë vetëm në ëndrrat e tyre, qytete që mezi e përballojnë peshën e vrazhdë të modernizimit të pakontrolluar, peizazhe që ndryshojnë me minuta, pakica sociale dhe etnike që luftojnë për identifikimin e tyre të plotë, por edhe individë që i vënë shpatullat jetës në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, shumë prej këtyre temave janë trajtuar në “Rrathë II”, shprehet Baxhaku. Nëntë javët e “Rrathë II” sollën më afër problemet me të cilat përballet shoqëria sot, duke na bërë të ndërgjegjësohemi përmes atyre minutave të shkurtra për fenomene që janë aq pranë nesh, dhe që ka ardhur momenti të marrin një tjetër formë. Më shumë se reportazhe, këta dokumentarë shtronin pyetje mbi çështje që duhet të marrin zgjidhje në jetën tonë…