Reportazh
Në mëshirë të fatit Monumentet e Kategorisë së Parë
[callout]Mungesa e vëmendjes nis që me mosvëninen e një tabele informuese, në rrugën Librazhd – Përrenjas, dhe konkretisht në fshatin Qukës. Në këtë fshat fillon dhe kalvari i gjatë dhe i pambarimtë, përgjatë një rruge që vetëm e tillë nuk është, në kërkim të historisë mes maleve
Me Selcën ndihemi krenar, por edhe të turpëruar. Krenar, se me të i tregojmë botës dhe popujve të tjerë që kemi ekzistuar që atëherë kur ju nuk ishit në ato troje ku jeni. Të turpëruar, se nuk dimë të ruajmë identitetin tonë
Më vonë në fshat mësojmë se asfaltimi nga rruga kryesore deri në qendër të fshatit Selcë ishte bërë me urgjencë para shumë vitesh, se fshati do të vizitohej nga një ambasador i huaj [/callout]
Harresa ndaj monumenteve të kulturës nuk është më një çudi në vendin tonë, madje mungesa e vëmendjes ndaj tyre hera–herës të krijon përshtypjen se shkatërrimi bëhet me vetëdije nga institucionet përgjegjëse. Kjo harresë po ndodh dhe me varret monumentale të Selcës, në krahinën e Mokrës, në Rrethin e Pogradecit. Mungesa e vëmendjes nis që me mosvëninen e një tabele informuese, në rrugën Librazhd – Përrenjas, dhe konkretisht në fshatin Qukës. Në këtë fshat fillon dhe kalvari i gjatë dhe i pambarimtë, përgjatë një rruge që vetëm e tillë nuk është, në kërkim të historisë mes maleve. Sapo kthehesh në fshatin Qukës, përballesh me kantierin e nisur qyshkur dhe i lënë përgjysmë disa herë, për rrugën e re Qukës – Qafë Plloçë. Tek-tuk shikon ndonjë mjet që lëviz dhe që bën sikur punon, por rruga, edhe pse në fillim të punimeve, ka nisur të shembet në disa pjesë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Megjithëkëtë, ajo çka e ngushëllon një njeri që shkel për herë të parë në këtë rrugë, është fakti se nisja e këtyre punimeve mund të zgjatet deri afër fshatit Selcë. Por përshtypja e parë është e gabuar, pasi sapo kalon jo më shumë se dy apo tre kilometra të trasesë, vërtitesh në një rrugë fshati, njëkalimshe, dhe shumë të rrezikshme. Këtu nis dhe kalvari i vërtetë i endjes në male në kërkim të qytetërimit ilir.
Takimi i parë me Monumentet e Kulturës
Pas më shumë se një orë rrugë nga lënia e asfaltit, mbërrijmë në fshatin Golik, fshati më i afërt nga Librazhdi në krahinën e Mokrës. Heshtja dhe qetësia mbizotëron në shtëpitë e tij, tek–tuk sheh ndonjë banor që kujdeset për arat dhe kafshët shtëpiake. Duket qartë që dora e shtetit në këtë vend nuk ka ekzistuar. Por edhe pse në harresë nga shteti, është historia ajo që i ka lënë trashëgim pasurinë historike kësaj zone. Disa metra poshtë rrugës në të cilën kalojnë mjetet, në rrjedhën e lumit Shkumbin, ngrihet “Ura e Golikut”. E ndërtuar në shek. XVIII, me gjatësi rreth 17 m, 3 m gjerësi dhe 10 m lartësi, ajo ka qenë një ndër shumë urat e Rrugës Egnatia. Ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, por as kjo gjë nuk e ka shpëtuar nga degradimi dhe rrënimi i vazhdueshëm. Pothuajse gjysma e urës është mbuluar nga bimë kacavjerrëse, të cilat e kanë pushtuar dhe duket sikur duan t’i zënë frymën. Në disa pjesë të tjera të saj janë duke u shkëputur çdo ditë gurë, ndërsa në dyshemenë e urës është hapur një gropë e madhe. Pjesa e padëmtuar duket sikur lëngon duke i kërkuar shtetit ta shpëtojë nga vdekja e ngadaltë, dhe harresa e përjetshme… Për banorët e zonës ajo vazhdon të përdoret. Madje jetëgjatësia e saj deri tani është falë mirëmbajtjes së këtyre banorëve, që më shumë se sa u dhimbset ura si monument, kanë frikën se shembja e saj do t’i linte pa asnjë rrugë për të kaluar lumin. Ndaj siç duket janë kujdesur, për të mos përfunduar duke u kacavjerrë me litar, ashtu siç jemi mësuar të shohim edhe në kronikat televizive. Disa minuta mjaftojnë për të parë këtë vepër inxhinierike, të ndërtuar nga mjeshtër, por të harruar, për t’u nisur drejt një destinacioni tjetër. Sërish në rrugën drejt Selcës së Poshtme, sërish në rrugën e kalldrëmtë. Pas disa minutash, lëmë rrugën e prishur dhe kthemi në të majtë të saj, pasi ajo vazhdonte për në Komunën Proptisht. Ironia nuk ka të sosur, pasi rruga që të çonte për në fshatin Selcë, ishte e asfaltuar, ndryshe nga rruga kryesore që të çonte në qendër të komunës. Më vonë në fshat mësojmë se asfaltimi nga rruga kryesore deri në qendër të fshatit Selcë, ishte bërë me urgjencë para shumë vitesh, se fshati do të vizitohej nga një ambasador i huaj. Ishte mesditë dhe ishin dashur rreth 5 orë së bashku me ndalesat e herëpashershme për të shkuar deri në këtë fshat. Fshati është i vendosur në një shpat kodre, dhe përballë tij janë varret monumentale të gdhendura në shkëmb. Ky është edhe një nga 15 fshatrat e Komunës Proptisht, të Rrethit të Pogradecit. Selca e Poshtme ka rreth 50 shtëpi dhe mbi 200 banorë. Rruga të çon deri pranë varreve. Fshati është i qetë, në disa shtëpi kuptohet që ka jetë, vetëm nga tymi i oxhaqeve. Banorët janë miqësorë dhe mikpritës, na përshëndesin dhe na urojnë mirëseardhjen. Ndërsa pranë qytetit ilir na pret Kudret Barçi, një mesoburrë që do të jetë ciceroni ynë.
Instituti i Monumenteve të “varros” Varret Monumentale
Qyteti i Selcës u themelua rreth shek. VI para Krishtit dhe arriti të fuqizohej në shek. IV-III të erës sonë. Fati e deshi që Rruga Egnatia, të kalonte në këtë zonë, gjë e cila i dha zhvillim të madh ekonomik Selcës. Qyteti u ndërtua sipër një kodre, që kishte mbrojte natyrore nga ana jugore e saj, dhe që kishte fushëpamje shumë të madhe. Në anën veriore relievi është shkëmbor, ku dhe janë gdhendur pesë varre monumentale, të cilat janë unike në Europë për nga forma e ndërtimit. Katër prej tyre janë gdhendur si tunele në shkëmb, ndërsa njëri ka qenë i rrethuar me blloqe guri. Në fillim është një paradhomë dhe më pas është dhoma ku varrosej princi ilir në një sarkofag të gdhendur në gur. Së bashku me trupin e të vdekurit, vendoseshin edhe armë dhe stoli, që fatkeqësisht, deri në ditët e sotme vetëm materiali i njërit varr është ruajtur, pasi të tjerat janë vjedhur. Fasada e jashtme e varreve është e gdhendur me kolonada, të cilat veçse janë dëmtuar nga njerëzit, po treten edhe nga lagështira dhe uji. Ristelat e drurit që mbajnë një mbrojtëse të bërë disa vite më parë, janë kalbur nga lagështira, në disa pjesë ato kanë rënë madje dhe vetë mbrojtësja është dëmtuar vazhdimisht. Në fasadën e varreve ka dëmtime të shumta, si duket adoleshentë të zonës, kanë lënë shënim emrin e tyre, por këtë mund ta kenë bërë dhe turistë. Në të pesta varret mungojnë tabelat me informacion, madje dhe disa tabela orientuese me shigjeta ishin hequr dhe hedhur në shkurret e dendura pranë tyre. Por më i frikshëm është fakti i lënies në mëshirë të fatit për më shumë se 12 vite, pasi Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Korçë, kishte pushuar që në vitin 2002 punonjësin për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e varreve.
Kudret Barçi, njeri që jeton me borxhe për të ruajtur Varret Monumentale…
Ka qenë pikërisht Kudret Barçi, roja me pagesë i varreve monumentale që prej vitit 1992 dhe deri në vitin 2002. Por që prej vitit 2002 është pushuar nga puna, por pavarësisht kësaj, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga kujdesi për qytetin atik të Selcës dhe varret monumentale. Barçi duket një njeri i dashur, varfëria duket qartë në trupin e tij. Ai mban veshur një pallto me shumë arna. Në këmbë mban veshur një palë këpucë të grisura, ku në njërën këmbë dallohet gishti i madh që ka dalë nga çorapet e grisura dhe ato zharga që nuk dihet se kur mund të jenë blerë. Flokët i janë zverdhur dhe duart i ka me kallo prej punëve të rëndomta të fshatit, por të gjitha këto nuk ia zbehin dot bujarinë dhe zemërgjerësinë këtij njeriu. Motivi i jetës së tij ka qenë të ruajë këtë pasuri të madhe që ka Selca. Kudret Barçi përveçse ish- mirëmbajtës i varreve dhe qytetit antik, ka shërbyer dhe vazhdon të kryejë punën e një ciceroni. Ai ka mësuar përmendësh gjithë historinë e varreve, dhe fati ka dashur që të jetë i pranishëm në shumë ekspedita arkeologjike, të cilat kanë kryer gërmime në Selcë. Mungesa e mirëmbajtjes nga specialistët ka bërë që kolonadat, që dekorojnë fasadën e varreve të gdhendura në shkëmb, të treten nga lagështira duke bërë që jeta e tyre të shkurtohet nga dita në ditë. E pyes me kuriozitet pse janë lënë në këtë gjendje. Kudreti më thotë se “këto varre janë lënë në harresë. Nuk kujdeset askush. Unë kam punuar këtu që nga viti 1992 deri në vitin 2002, pastaj më prenë rrogën dhe varret mbetën pa mirëmbajtës”. Por insistimi im bëhet edhe më i madh, për të kuptuar se çka ndodhur realisht dhe e pyes nëse është interesuar pranë Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës për këtë gjë, ai thotë se “ish-drejtoresha e Monumenteve në Korçë më tha që të mos i ruaj më. Unë i thashë se ato janë të rëndësishme për mua, më dhemb shpirti, por ajo ma preu shkurt” , – “nuk të detyron njeri” – thotë Barçi me një zë indinjues. Pas një pauze dhe disa foto të shkrepura, vazhdoj rrugën së bashku me Kudretin. Veç degradimit dhe mungesës së mirëmbajtësit, në këto varre nuk ka as tabela, të cilat japin informacion për monumentin. Madje nuk ka as tabelë “Monument Kulture”! I interesuar për vizitorë të huaj dhe se si ia bën që të komunikojnë me ta, ai më pohon se turistët nuk kanë munguar, madje mahniten nga bukuria e këtyre varreve dhe vlerat historike të tij. “Unë e kam pasur të vështirë në fillim të komunikoj me ta, por prej disa vitesh kam filluar të mësoj pak italishten (nga xhepi nxjerr një fjalor italisht- shqip, të palosur), se më vinte turp të mos komunikoja me ta, qoftë dhe pak. Këtu vijnë arkeologë të huaj dhe unë kam punuar me ta, nga ata kam mësuar disa fjalë dhe tani mundohem të flas ndonjë gjë”- më përgjigjet vendasi bujar.
Pas varreve ngjitemi sipër në sheshin e kodrës, aty ku dikur ngrihej qyteti antik. Vetëm pak muaj më parë aty ishin kryer gërmime arkeologjike dhe ishin zbuluar disa banesa që i përkisnin periudhës helenistike. Me Kudretin vazhdojmë bisedën duke e pyetur për gjithçka e ai përgjigjet për aq sa di. Në një moment e pyes për jetën në fshat, për punët me se merret dhe të ardhurat financiare. Kudreti me dëshpërim, dhe pa shpresë, më tregon se jeta aty është shumë e vështirë. “Unë jam invalid, se kam rënë kur isha fëmijë dhe nuk punoj dot. Marr borxhe për të çuar fëmijët në shkollë, se ata nuk duan t’ia dinë ke lekë apo jo, ata shikojnë shokët dhe duan të shkojnë në shkollë. Unë kam shumë tokë, por nuk e punoj dot se s’kam mundësi, prandaj e jap me qira ta shfrytëzojnë të tjerët. Nuk mbaj dot as bagëti se nuk u shërbej dot…” – më thotë Kudreti dhe ul kokën duke heshtur dhe duke dredhur një duhan. Nuk e shqetësoj më, pasi m’u duk sikur po e vija në siklet, duke e bërë të flasë për jetën e vështirë në këtë zonë.
Koha kalon shpejt dhe ne duhet të zbresim në qendër të fshatit, për t’u kthyer në Elbasan. Kudretit i lë numrin tim të telefonit e përqafohemi me të. Lëmë pas Selcën dhe varret e saj monumentale. Jeta në fshat është në heshtje, e në heshtje lëmë copëza historie shqiptare, dëshminë e gjallë të autoktonisë të popullit tonë, por që me ritme të shpejta po tretet nga uji e ngrica që përshkojnë sipërfaqen e mureve të këtyre varreve. Largohem nga Selca me një lloj dhimbjeje, ndaj hodha këto radhë si apel ndaj shtetit dhe institucioneve që duhet të ndërhyjnë për të parandaluar “varrosjen” e varreve të Selcës. Një thirrje kjo sa e dëshpëruar, aq edhe nevojshme për të mbrojtur e për të ruajtur, çfarë i ka mbijetuar kohës. Me Selcën ndihemi krenar, por edhe të turpëruar. Krenar, se me të i tregojmë botës dhe popujve të tjerë që kemi ekzistuar që atëherë kur ju nuk ishit në ato troje ku jeni. Të turpëruar, se nuk dimë të ruajmë identitetin tonë. Dhe pastaj ankohemi se dashakeqësit ndaj popullit tonë kërkojnë të na ulin vlerat historike e të na konsiderojnë si një popull i ardhur vonë në këto troje, madje dhe me të drejtë në disa raste gjendemi gafil, duke mos njohur historinë e popullit tonë…
Julian Hoxhaj, Student Master Shkencash në “Trashëgimi Kulturore” Universiteti “A. Xhuvani” Elbasan.