Sitaristi indian, Ravi Shankar, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Muzikanti, i cili muzikën indiane e bëri të njohur në të gjithë botën, vdiq të martën në një spital në afërsi të shtëpisë së tij në Kaliforni, raportojnë mediat botërore.


Sipas gazetës “The New York Times”, Shankar vuante nga probleme në traktin e sipërm respirator dhe sëmundje të zemrës, në vitin e fundit. Ai iu nënshtrua një operacioni të zëvendësimit të valvulës së zemrës, të enjten e kaluar.


Shankar ishte mjeshtër i sitarës, një instrument ky tradicional indian, jo shumë i njohur në botën perëndimore. Këtë instrument dhe muzikën lindore, ai e bëri të njohur në mbarë botën. Madje, muzika indiane për Perëndimin është gati sinonim me emrin e Shankarit, shkruan ndërkaq “The Guardian”.


George Harrison e quajti atë “kumbari i muzikës botërore”.