Ka pak filma që mund t’i kthejnë shqiptarët e brezit të viteve ’80 pas në kohë me një goditje të vetme emocionale, siç bën “Kickboxer” (1989) me Jean-Claude Van Damme. Edhe pse askush nuk ja mban mend titullin sot (e pata vështirë ta gjeja për vete), sepse të gjithë e mbajnë mend me emrin e të ligut – Tong Po-së. Një histori e thjeshtë hakmarrjeje, një Van Damme, pre Bleona Qerreti me muskuj atleti dhe sy naiv, koreografi luftarake që përzienin brutalitetin me një lloj elegance baleti (ka edhe një skenë kërcimi me sparkatë brenda dhe një kanatjere që mos o Zot) – ky ishte ushqimi shpirtëror i një brezi që deri në atë kohëkishte parë vetëm filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe filma bardhezi nga kinematografia kineze ose sovjetike. Për ne, “Kickboxer” nuk ishte thjesht një film; ishte një dritare e re që hapej me forcën e një grushti kung-fu mbi një mur dekadash izolimi.

Për ata që e kanë harruar ose që nuk kanë pasur fatin ta shohin atë në një televizor “Orion” me antenë të improvizuar, të piratuar nga televizioni italian: “Kickboxer” rrëfen historinë e Kurt Sloane (Van Damme), i cili udhëton në Tajlandë me vëllain e tij kampion të karatesë për të garuar kundër mjeshtrit lokal Tong Po. Pas një ndeshjebrutale, vëllai i tij mbetet i paralizuar, dhe Kurt betohet për hakmarrje. Nga ky moment, filmi shndërrohet në një udhëtim trajnimi(tip Karate Kid por për të rritur), përgatitjeje shpirtërore dhe fizike, dhe në një duel final që do të përmbyllte gjithçka.

Sot, kjo fabul duket si një klishe e konsumuar – e kemi parë në dhjetëra versione: “Rocky IV”, “Bloodsport”, “Best of the Best”. Por në 1989, e sidomos në Shqipërinë e sapohapur ndaj botës, kjo ishte një histori epike. Thjeshtësia ishte virtyt: e kuptonte kushdo, nuk kishte labirinte psikologjike, nuk kërkonte të dije asgjë përpara. Ishte një betejë e qartë mes së mirës dhe së keqes, dhe publiku e dinte saktësisht kë do të duartrokiste.

Me syrin e sotëm, “Kickboxer” mund të duket një film modest, madje qesharak në disa skena – sidomos në ato të trajnimit, ku Van Damme bën sparkatën mbi dy karrige ose vallëzon i dehur në një bar lokal.

Shqipëria e viteve ’90 nuk kishte as multiplex, as Digitalb, as mundësi për të zgjedhur mes mijëra titujsh. Sallat e kinemave ende funksionale u kthyen në nevojtore, ndërsa kasetat e VCR-ve (nëse nuk e dini ç’janë, google-ojeni) ishin luks i atyre që kishin emigruar në gjermani apo gjetkë. Një film aksioni që vinte nga Perëndimi ishte një xhevahir e një bote të ndaluar. Në vitet e fundit të diktaturës dhe fillimin e tranzicionit, çdo imazh i një qyteti aziatik me neon, i një muzike me sintetizator tipike të viteve ’80, apo i një skene ku njerëzit goditeshin me stilet e arteve marciale, ishte për ne një përplasje kulturore. Për herë të parë, shihnim një film ku heroi nuk ishte partizan, dhe armiku nuk ishte gjerman apo sabotator, por një luftëtar i huaj i mbushur me tatuazhe e mister.

Ky kontrast ishte magjik. Çdo gjë dukej e re: mënyra si ndriçohej skena, si filmohej një ndeshje, si shfaqej trupi i aktorit – ishte një “teknologji” tjetër e tregimit. Dhe për këtë arsye, edhe pse sot e shohim me sy kritik, atëherë “Kickboxer” ishte një revolucion estetik.

Kujtoj që filmi është transmetuar disa ditë rrjesht, me spikeren e stacionit të vetëm televiziv të kohës, atij shtetërore, që thoshte përpara tij – “Për shkak të kërkesave nga publiku do të transmetojmë edhe një herë filmin…”

Brezi i viteve ’80 e ka Van Damme-in si një figurë mitike. Ai nuk ishte vetëm aktor; ishte një simbol i vetëkontrollit, përkushtimit dhe disiplinës fizike. Shumë djem të rinj, pas shfaqjes së “Kickboxer”, nisën të bëjnë trupinsi ai, të provojnë sparkatën mbi dy karrige të kuzhinës ose të ëndërrojnë një udhëtim në Tajlandë për t’u stërvitur te një mjeshtër misterioz.

Në sytë tanë, ai ishte një version modern i gladiatorit. Nuk kishte efekte speciale kompjuterike, nuk kishte superhero me superfuqi; gjithçka varej nga aftësia fizike e aktorit. Dhe kjo ishte një pjesë e rëndësishme e magjisë: të shihje dikë që bënte vërtet atë që tregonte ekrani.

Me syrin e sotëm, shumë gjëra te “Kickboxer” janë naive deri në komike. Mënyra si paraqitet antagonisti Tong Po – një karikaturë e “të keqit” pa motivim tjetër përveç dëshirës për të shkatërruar – është një tipar i gjithë filmave të asaj periudhe. Po ashtu, sekuencat e trajnimit me mjeshtrin Xian janë të mbushura me stereotipe ekzotike: përleshje me pemë bananesh, shtriqje nën ujë, përdorim i forcës së natyrës për të rritur fuqinë e trupit.

Por ky naivitet nuk ishte një dobësi atëherë. Përkundrazi, ishte pjesë e sharmit. Brezi i viteve ’80 nuk kërkonte narrativë të thellë; kërkonte një histori të qartë, një hero karizmatik dhe një moment kulmor ku ai të fitonte. Dhe kjo formulë funksiononte në mënyrë të pagabueshme.

Në Shqipëri, filmat si “Kickboxer” u bënë më shumë se filma; u bënë rituale shoqërore. Një kasetë VHS qarkullonte nga një familje te tjetra, shpesh e regjistruar mbi ndonjë koncert të vjetër ose pjesërisht e fshirë.

Në një botë ku arti kishte qenë i filtruar nga censura, pamjet e Bangkokut, tempullit, tregjeve të gjalla, klubet me vajza të zhveshura dhe një muzike pop me ritëm të shpejtë, totalish e ndryshme nga ajo e Kozma Dushit, krijonin një ndjesi “largësie magjike”, të një bote që mund të ishe pjesë, që mund ta zbuloje duke na dhënë shpresë dhe ëndrra. Këto filma na bënë të ndjenim se bota ishte shumë më e madhe dhe më e gjallë se ç’na kishin treguar.

Nëse e shohim sot, “Kickboxer” është një film tipik i aksionit të fundviteve ’80: dialogje banale, personazhe dhe motive njëdimensionale, dhe koreografi që për publikun modern mund të duken të ngadalta krahasuar me dinamikën e filmave të sotëm. Për shikuesin e “John Wick” apo “The Raid” – “Kickboxer” duket prodhim për ‘You Tube’.

Megjithatë, ajo çfarë humb në teknikë, fiton në nostalgji. Shumë nga ne e shohim sot jo për adrenalinën që jep, por për kujtimet që ngjall. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse filmat e asaj periudhe vazhdojnë të kenë një vend të veçantë në kulturën popullore: sepse janë të lidhur me një kohë kur gjithçka ishte e re dhe emocionuese.

“Kickboxer” dhe Van Damme edhe pse jo tipikisht Hollywood, u kthyen në një kryefjalë e zhanrit aksion të kinemasë së atyre viteve, duke u njëhsuar me heronjtë e “Bloodsport”, “Cyborg”, “American Ninja””Delta Force” apo “Rambo” – që formuan shijen tonë të hershme për kinemanë e huaj .

Për brezin e sotëm, këta filma janë shpesh meme, nostalgji ironike, ose “guilty pleasures”. Por për brezin tim, që i pamë në moshë të re, ishin shkolla e parë e fantazisë, vendi ku mësuam se bota mund të ishte e madhe, ekzotike, e rrezikshme dhe e bukur.

Sot, mund të qeshim me shumë skena të “Kickboxer”.

Ama, nuk është e rëndësishme nëse “Kickboxer” qëndron i fortë artistikisht përballë kohës. E rëndësishme është se për një brez të tërë, ai ishte një nga ato filma që ndryshuan përherë mënyrën si e shihnim kinemanë dhe botën.