Ishte 27 Gushti i 1953 kur Gregory Peck dhe Audrey Hepburn do të shiheshin në ekranin e madh të Radio City Music Hall në New York, në një nga historitë më të pafajshme por njëkohësisht më të mëdhatë të dashurisë në një film që konsiderohet si një nga klasikët më të rëndësishëm të artit të shtatë – “Roman Holiday”.

Rikthimi i tij në qëndër të vëmendjes nga Netflix ka bërë që shikuesi (t) t’i rikthehet për herë të 239739427 ose për herë të parë. Pushimet Romane ishte komedia e parë e William Wyler në thuajse 20 vjet.

Nga premisa e vjetër sa bota, e një historie ku një princeshë bie në dashuri me një njeri të zakonshëm, Ian McLellan Hunter dhe John Dighton kanë shkruar një skenar të pavdekshëm që koha mund ta pluhurosi por shijen e ka të pakrahasueshme, si të një vere të mirë të harruar në raft prej dekadash.

Bukuria e një ndër yjeve më shkëlqyes të Hollywood-it debutoi aty pikërisht me rolin e princeshës e cila donte të ndjente e të kishte më tepër sesa jeta luksoze që bëntë – ishte në kërkim të diçkaje të vërtetë, autentike, të thjeshtë e njëkohësisht të rrallë, të vogël por madhështore e të përjetshme.

Princesha Hepburn e gjen veten të shkëputur e të lodhur nga angazhimet e saj sipërfaqësore prej princeshe dhe vendos të shohë Romën me dëlirësinë e një të vdekshmi të zakonshëm. Roma, sot e kësaj dite ngelet një prej qyteteve më eksituese në planet, e vetmja mundësi për ta shijuar vërtet është ta bredhësh në këmbë, me rrugë e rrugica që asnjëherë nuk e di se ku do të çojnë. Në vitet ’50 ishte një magji e një tjetër lloji. Pikërisht në atë magji ajo njeh një gazetar (Peck) i cili bën sikur nuk e njeh princeshën për të shitur historinë e saj në gazetën ku punon, por rrugës bie në dashuri me atë grua e cila është shumë më shumë se ajo që përfaqëson.

Edhe pse një film me të rritur e për të rritur, ky është një film për të gjitha moshat, është një histori e pamundur po aq sa e besueshme, iluziunuese po aq sa frymëzuese. Kotësia e hidhur e dashurisë idilike apo platonike këtu merr një vlerë empirike. Gërshetuar me skena humori genuine në naivitet dhe me performanca të pavdekshme të protagonistëve apo rroleve mbështetëse (të cilët janë aq autentikë sa duket sikur janë kalimtarë të rastit) “Roman Holiday” është një testament i kinemasë së mirë të dikurit, që sigurisht nuk e gjen dot në kinemanë e sodit, aq më pak atë jo-autor.

“Në filmat e vjetër, aktorët e kanë gjithmonë përgjigjen gati” – thotë Parthenopé tek filmi i vitit të shkuar i Sorrentino-s, dhe në fakt ashtu duhet të jetë, edhe në jetë. Thjesht koha na ka bërë të mërzitshëm, nuk besojmë dot më në magjinë fantastike të aksiomës ‘sot çdo gjë mund të ndodhë’.

Mbase rrjetet sociale në larguan aq shumë nga njëri tjetri sa në vend të ushqenim dashurinë për të papriturën, ushqyem cinizmin.