Violinisti është një nga 12 finalistët e një prej konkurseve më të rëndësishme në botën e muzikës klasike “Queen Elisabeth Competition” që zhvillohet në Bruksel. Në datën 26 maj shpallen fituesit


Violinisti shqiptar, Emir Abeshi, është një nga 12 finalistët e një prej konkurseve më të rëndësishme në botën e muzikës klasike “Queen Elisabeth Competition” që zhvillohet në Belgjikë. Këtë vit, ky konkurrim i themeluar që në vitin 1937 për nder të kompozitorit dhe violinistit Eugène Ysaÿe, njëkohësisht mik i mbretëreshës Elisabeth të Belgjikës dhe burrit të saj, Albert, shënon 75-vjetorin e krijimit. Pas fazës paraprake dhe asaj gjysmëfinale, mesnatën e së shtunës, Arie van Lysebeth, presidenti i këtij konkursi ka shpallur 12 finalistët, mes të cilëve edhe violinisti shqiptar, Emir Abeshi. Ai nuk ka qenë i vetmi muzikant shqiptar në garë, pasi deri në fazën gjysmëfinale konkurroi edhe violinisti tjetër, Kristi Gjezi, i cili nuk ka mundur ta vazhdojë më tej garën. Emir Abeshi, violinisti nga Elbasani shkon në këtë konkurrim të rëndësishëm pas një sërë vlerësimesh në konkurse të tjera ndërkombëtare. Ermir Abeshi e ka nisur violinën në moshën 6-vjeçare. Ka studiuar në konservatorin e muzikës “Ghedini” në Itali e më pas në konservatorin e Bostonit “New England”. Vitin e shkuar ai mori çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga fondacioni “Rodolfo Lipizer” në Itali, fitues i çmimit “Uto Ughi” dhe i të tjerëve ndërkombëtarë. Ai është një nga bashkëthemeluesit e ansamblit të dhomës “Artur”, me të cilin ka dhënë shumë koncerte. Ndërkohë që violinisti Tedi Papavrami ka krijuar tashmë një emër dhe një karrierë ndërkombëtare, në të njëjtat gjurmë është edhe Emir Abeshi. I zgjedhur mes 12 finalistëve të “Queen Elisabeth Competition”, tashmë Abeshit do t’i duhet të luftojë për çmim. Ky konkurs, i cili mbahet në Bruksel, ka një jehonë në botën muzikore ndërkombëtare, i ngritur që në krye të herës për të mbështetur talentet e reja. Faza finale e këtij konkursi do të mbahet nga data 21 deri në 26 maj, ditë në të cilën do të shpallen edhe fituesit. Nëse në dy fazat e para, materiali muzikor i konkurrentëve është i përcaktuar nga organizatorët, tashmë violinistët do të konkurrojnë me një pjesë të cilën do ta zgjedhin vetë. Këtë vit, në konkurrim u përfshinë 88 artistë të rinj, nga mosha 18-30 vjeç, të zgjedhur mes qindra aplikimeve me DVD nga e gjithë bota. Konkurrimi i tyre filloi më 30 prill, nga të cilët vetëm 24 shkuan në fazën gjysmëfinale, përfshi këtu edhe dy violinistët shqiptarë. Nga Belgjika konkurruan 4 artistë, Koreja kishte pjesën më të madhe të konkurrentëve me 16 artistë, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 13, Rusia me 11 dhe Franca me 7 konkurrentë. Violinisti dhe kompozitori belg, Eugène Ysaÿe, kishte shprehur dëshirën për organizimin e një konkursi ndërkombëtar për të rinj të talentuar, të cilët do të kishin mundësi të shfaqnin talentin e tyre, por ai vdiq para se të arrinte ta bënte një gjë të tillë. Queen Elisabeth, përkrahëse e arteve dhe mike e ngushtë e Ysaÿe, në nder të tij e  ngriti këtë kompeticion në vitin 1937. Dy vitet e para triumfoi shkolla sovjetike, ndërsa deri në vitin 1951 konkursi nuk u zhvillua më për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe të disa skandaleve mbretërore. Në vitin 1951, konkursi mori emrin “Queen Elisabeth”(Mbretëresha Elisabet) dhe sot feston 75-vjetorin e themelimit. Ky konkurs zhvillohet për piano, violinë, këngëtarë dhe kompozitorë. Çdo vit i kushtohet njërës prej këtyre fushave artistike. O.Lila