Ndahen çmimet e mëdha të letërsisë


virionRomeo Çollaku dhe Virion Graçi janë fituesit e çmimeve të mëdha letrare që ndahen çdo fundviti nga Ministria e Kulturës. Çollaku është vlerësuar si përkthyesi më i mirë për përkthimin e vëllimit poetik të Paul Claudel, ndërsa Graçi si autori i vitit me romanin “Stina e hijeve”. Në garë për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer” ishin dhe veprat “Mobi Dik” e Herman Melville nën përkthimin e Rudi Erebarës, “Pedro Paramo dhe rrafshina në flakë”, e Juan Rulfo, nën përkthimin e Bajram Karabolli, “Ferdydurke” e Witold Marian Gombrowicz nën përkthimin e Edlira Llohës dhe “Ne” e Evgenij I. Zamâtin nën përkthimin e Agron Tufës. Në garë për çmimin “Vepra më e mirë e vitit” ishin librat “Histori (e)skatologjike” me autor Arben Dedja, “Poezi e zgjedhur”, e Ferik Ferrës, “Vrima” e Rita Petros, dhe “Kohë për nuse” e Lazër Stanit. Romeo Çollaku është i njohur si autor i disa romaneve dhe librave me poezi, por dhe për kontributin që ka dhënë për përkthimin nga gjuha greke në shqip. Poetë të njohur të vendit fqinj kanë ardhur në shqipërimin që Çollaku u ka bërë. Përkthimet e tij janë vlerësuar për gjuhën dhe elokuencën me të cilën i përshtaten shqipes. Paul Claudel, të cilin ai e solli në gjuhën shqipe në vitin 2014, është një ndër poetët më të njohur francezë.


kulture


Një stilist jashtëzakonisht i ndërlikuar, e ka quajtur Çollaku, shkrimin e Claudel, vargjet e së cilit përshkohen nga muzikaliteti, që është dhe pika më e fortë e tij. Çollaku ka nisur ta përkthejë këtë poet që në vitin 1999 dhe vetëm një vit më parë do ta sillte të botuar. Duke folur pak kohë më parë për revistën “Saras” për përkthimin që u kishte bërë dy poetëve të njohur si Odiseas Elitis dhe Claudel, Çollaku do të shprehej se “Të dy kanë nota të theksuara lirike, tone aspak të ulët; të dy kanë lëvruar forma të mëdha, si poemat e odetë, dhe i kanë dhënë vargut frymëmarrje të gjerë; të dy janë pinjollë dhe ithtarë të betuar të Rimbaud-së. Për më tepër, Elitisi i ka çmuar, i ka mbajtur si udhërrëfyes përfaqësuesit e modernizmit themelor, ndër të cilët bën pjesë, doemos, edhe Claudel-i. Dihet që vepra e këtij të fundit ka miq dhe armiq të shumtë, por, duke i besuar arsyetimit, Elitisin do ta radhitnim te miqtë. Atëherë – kam pyetur veten – ç’është kjo shpërfillje ndaj një personaliteti kaq të lartë?”. Me gjithë miqësinë mes dy poetëve Elitis nuk e ka përmendur asnjëherë Claudel në intervistat e dhëna gjatë asaj kohe. Virion Graçi, fituesi i çmimit si “Autori i vitit” nuk është një emër i panjohur në letërsinë e bërë pas viteve ’90. Autor i disa romaneve, ai është vlerësuar për stilin e të rrëfyerit. Romani “Stina e hijeve” do të sillte sërish prozën e Graçit për lexuesin pas disa viteve heshtjeje në botime. Fabula e romanit merr shkas nga një histori e vërtetë, të cilën autori e rikrijon në libër duke bërë paralele me baladën e Kostandinit dhe Doruntinës. Është historia e një prindi shqiptar, vajza e të cilit luftonte nga një sëmundje e pashërueshme. Ata e çojnë për t’u mjekuar në Greqi, duke shfrytëzuar dokumentet e sigurimit shëndetësor të kushërirës së saj, por nuk mbijeton. Vajzën e vdekur e sjellin në fshehtësi në Shqipëri, duke i shpëtuar zbulimit nga policia, duke e vendosur në pozicionin e një pasagjeri. Kjo ironi e realitetit shqiptar këto vite vjen me nota tragjike në këtë roman, që i bën një skaner të pasojave që solli tranzicioni i gjatë. Të tjera botime të këtij autori janë “Zonja pa emër”, “Babai në shi”, “Bijtë e zotit majmun”, etj.