Vendi i cili para pak kohësh u godit nga një tërmet i fuqishëm me shumë viktima dhe dëme materiale, në sezonin e tretë të “White Lotus”, një prodhim i HBO, duket si kartolinë parajse më shumë se si kronikë mjerimi. Mike White, që pak-kush mund ta kujtojë që karrierën televizive e nisi me një tjetër serial hit (për adoleshentët e brezit tim) “Dawson’s Creek”, zgjedh bukurinë ekzotike dhe misticizmin e brigjeve tajlandeze pas Italisë dhe Hauait në dy sezonet e para. Natyrisht qasja e marrëdhënieve njerëzore mes debutimit të Z. White në ekran dhe kësaj që bën tani është vite dritë larg.
E ndërsa dy sezonet e para, ishin mbërthyese në shumë aspekte, duke mbërthyer shikues nga mbarë bota, me çdo seri që transmetohej, ky sezon, me çdo seri që del të dielave, po kthehet në një zhgënjim, a thua se White ka humbur busullën në Tajlandë, ose idetë e tij kanë shterruar. Mbas suksesit [sidomos] të sezonit të dytë, publiku mezi priste të tretin, i cili vazhdon të ndjekë një grup turistësh (kryesisht amerikanë, kryesisht të bardhë, kryesisht të krimbur me para) që shkojnë të pushojnë në një resort me 5 yje – që quhet “White Lotus”. Thuajse asnjëri prej tyre, apo asnjë prej marrdhënieve që shohim në nisja nuk janë të tilla.

Çdo copëz televizive në kohët që jetojmë është aq e mirë sa ç’është potenciali për t’u kthyer në virale – për të kapur rrjetet sociale ku shumica e banorëve të tokës harxhojnë orë e orë të tëra. E deri më tani – mbas 6 episodesh – nuk ka akoma asgjë të tipit “these gays, they’re trying to murder me”; vetëm një pritje e gjatë për të ndodhur diçka që nuk ndodh kurrë. [ok incesti mes dy vëllezërve deri diku, po prapë larg. Në sezonin e dytë edhe sigla hapëse u bë virale duke u kthyer në hit diskotekash, këtë sezon, qartazi diçka nuk ngjit.
Sezoni i tretë vjen vërdallë tre mikeshash fëmijërie që tani janë në të dyzetat: Jaclyn (Michelle Monaghan, Luarie (Carrie Coon) dhe Kate (Leslie Bibb), tre bjonde në një konkurencë të pashpallur me njëra tjetrën; Familjes Ratliff, një çift në të pesëdhjetat, me dy djemtë dhe vajzën e tyre që do ti iki rrënjëve klasore të familjes nga vjen. Çifti dhe djemtë gjithashtu kanë bagazhet e tyre emocionale. Kryefamiljari Timothy (Jason Isaacs) kalon shpejt nëpër një zhvillim karakteri interesant që deri diku të lë të presësh më shumë.
Një prej djemve është djali i Arnold Schwarzenegger, Patrick – të cilit i është dashur të ketë skena të gjata nuditeti dhe të puthet me atë që në serial është vëllai i tij. Veç personazheve të tjerë që prezantohen për herë të parë – rikthehen nga sezonet e kaluara: Greg Hunt (Jon Gries) bashkëshorti i Tayna-s së ndjerë të cilin e gjejmë të vendosur në një vilë ngjitur me hotelin, i lidhur me një vajzë të re edhe pse vazhdon të jetë në kërkim ndërkombëtar për atë që ndodhi në Siçili në sezonin e dytë. Po ashtu, Belinda (Natasha Rothwell) të cilën e njohëm në sezonin e parë në Hauai, tani është duke bërë një trajnim në White Lotus-in e Tajlandës, e në skenat e para njihemi me djalin e saj.

Ajo që po ndodh në sezonin e tretë të “White Lotus” është e ngjashme me atë që ndodhi me “Succession” [një tjetër prodhim i fortë i HBO] me çdo sezon që kalonte; Edhe pse vizualisht episodet vazhdojnë të tregojnë parajsën mbi tokë, dhe ndjesia e diçkaje të kobshme vjen rrotull në ajrin e lagësht aziatik, historia është lodhur dhe ecën si një makinë që në mungëse të motorrit të ndezur shtyhet nga dikush e pafutur në marsh. White i cili shërben edhe si regjisor i disa episodeve ka humbur tharmin e dikurshëm, e mbi të gjitha ritmikën duke zvarritur konfliktin në pafundësi deri në momentin që mendohesh disa herë para se të vendosësh të shohësh episodin e rradhës.
Ndaj përtej faktit që seriali na josh të shkojmë për pushime në Tajlandën ekzotike e mistike, rrethi vicioz në të cilin e gjejmë në sezonin e tij të tretë, edhe pse i mbushur me një kast aktorësh amerikanë dhe vendas të cilët bëjnë një punë shumë të mirë me skenarin që kanë në duar, edhe pse këndvështrimi cinik që White ka mbi marrëdhëniet e qënieve njerëzore në shekullin e 21 vazhdon të jetë prezent me hidhësinë e tij, etosi i “White Lotus”, duke se po venitet ngase po i qëndron besnik një formule që tashmë shikuesi e ka ‘shijuar’ të paktën dy herë. E si një pjatë e shkëlqyer në një restorant, gjasat janë të mos ta pëlqesh më si dikur pasi e ke ngrënë disa herë.