Fëmijët e sotëm ndryshe nga gjenerata X ose Millenialët po rriten në kushte krejt të tjera. Të izoluar, në më të shumtën e rasteve me një ekran para, dhe gjithmonë të shoqëruar, sidomos nëse jeton në qytete të mëdha. Nëse në Japoni është ‘normale’ për një 5-vjeçar të shkojë në dyqan për të blerë diçka i pashoqëruar, në Tiranën e sotme pershembull kjo është e pamendueshme për prindërit. Ndryshe nga koha kur prindërit na linin përgjegjësinë e shtëpisë me çelsin e lidhur tek kanatjerja, e ku qyteti ishte i yni, sot fëmijët gjithçka e shohin nga dritarja. Kjo ka sjellë edhe shumë rregulla që dikur nuk ishin. Në fakt sipas të dhënave brezi i më i ri i prindërve janë më të dhënë dhe harxhojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre, më shumë se çdo parakohës i tyre.
Ndaj për shumë është e vështirë që pas fëmijëve të vazhdojnë të jenë vetja, të ndjekin të njëjta pasione dhe hobi. Krijimi i familjes është një përfundim i vetes dhe vënia në shërbim të tyre.
Kjo i ka ndodhur edhe çiftit Torres, të cilët në fillim ishin aventurierë: thonin “po” për të gjitha, për skydive, për “rock climbing”, për emocione të reja. Me ardhjen e tre fëmijëve – Katie (14 vjeç), Nando dhe Ellie – “po”-të e dikurshme u kthyen në “jo” të përditshme për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziku.

Kështu nis “Yes Day” një komedi-familjare amerikane e 2021-ishit, me regji të Miguel Arteta dhe skenar të Justin Malen, bazuar në librin për fëmijë të Amy Krouse Rosenthal dhe Tom Lichtenheld. Në rolet kryesore janë Jennifer Garner dhe Édgar Ramírez si prindërit Allison dhe Carlos Torres, dhe Jenna Ortega (para se të bëhej super-popullore me rolin e saj tek Wednesday) si vajza e tyre adoleshente Katie.
Në një takim shkollor, mes tensionit rreth mentalitetit autoritar të Allison, psikologu i shkollës, Z. Deacon, jep një sugjerim interesant: një “Yes Day”, një ditë gjatë së cilës prindërit nuk mund të thonë “jo” për asgjë (brenda kufijve të logjikës dhe sigurisë). Ideja prezantohet si një shpërblim nëse fëmijët sillen mirë, ngrejnë notat dhe bëjnë detyrat e tyre.

Çiftit Torres nga ana tjetër vendos këto rregulla: nuk lejohet sjellja jo ligjore apo e rrezikshme; gjithçka brenda një buxheti të arsyeshëm e brenda një rreze të kufizuar – pra nuk mund të kërkojnë të ikin larg, si edhe asgjë që është ‘në të ardhmen’. Katie është dyshuese duke njohur të ëmën me të cilën vë një bast: nëse deri në fund të ditës ajo nuk thotë ndonjë “jo”, do të shkojë në festivalin muzikor Fleek Fest me shoqen Layla, e pashoqëruar. Nëse ndodh ndryshe, Allison shkon me të në festival.
Kur dita e Po-së vjen, çdo gjë është në tavolinë. Prindërit do të kuptojnë nëse kjo është një zgjedhje e mirë apo jo e mbi të gjitha diçka që i bashkon ata apo i përcan akoma më shumë.
Filmi në vete ka një skenar të parashikueshëm, por argëtues. Skena klishe dhe interpretim telenovelash duke e bërë atë një limonatë. Por koncepti që prezanton vlen të diskutohet në familje.

Koncepti i “Yes Day” është i lidhur ngushtë me stilin “benign neglect” (neglizhencës benjine) në psikologjinë moderne të prindërimit: një qasje ku prindërit japin më shumë liri fëmijëve, edhe pse e kontrolluar brenda disa kufijve. Kjo rrit besimin, zgjidhjen e problemeve, dhe krijimtarinë. Të tilla mund të jenë, gatimi i mëngjesit, pastrimi i dhomës, qëndrimi vetëm i mbikqyrur së largu.
Efekte pozitive tek fëmijët janë zhvillimi i vetëbesimit, ndjesia e përgjegjësisë, kreativitet, dhe më pak shpërthime emocionale. Një studim nga EducationWorld zbulon se dhënia e zgjedhjeve të përshtatshme me moshën e fëmijëve mund të zvogëlojë konfliktet dhe të forcojë vetëdisiplinën dhe bashkëpunimin.
Në film, përmes Yes Day, fëmijët ndihen të dëgjuar, ndihen përgjegjës dhe marrin vendime që ndikojnë direkt në dinamikën familjare. Një aksiomë që mund të aplikohet edhe në jetë.

Nëse ata fëmijët janë përgjegjës për zgjedhjet e tyre i zhvillon atyre vendimarrjen, si edhe lidhjen mes shkakut dhe pasojës. Ata mësojnë se është ok të gabosh, të përpiqesh është më e rëndësishme se rezultati duke impaktuar vetëvlerësimin.
Rrespekti nuk kërkohet, fitohet. Dhe kjo mënyrë mund të jetë e duhura, brenda rregullave të mirë-përcaktuara; larg disave që shihen në film edhe si një pësim si mësim, për të mos u parë prindërit si dominues në marrëdhënien me fëmijët, të cilës do moshe qofshin ata, por edhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të vërtetë e të qëndrueshme.
Në vend që të planifikoni çdo gjë për fëmijët tuaj, lërini ata të planfikojnë ndonjëherë. Në vend që të merrni çdo vendim për ta, ose t’ia bëni gjithçka gati, disa gjëra lërjani atyre. Në vend që të thoni ‘Jo’ pa doganë, thoni ‘Jo’ vetëm atëhere kur e dini që është në të mirë të tyre. ‘Yes Day’ funksionon, është një përvojë që shkarkon negativitetin dhe e sjell familjen bashkë. Madje koncepti i të thënit vetëm ‘Po’ për një ditë duhet shpërndarë në çdo fushë të jetës suaj. Do të befasoheni nga rezultati.