Aktorja shkëlqen gjatë interpretimit në veprën “Sonte do të luajmë pa tekst”
Aktorja e njohur Yllka Mujo është duartrokitur gjatë nga publiku, gjatë shfaqjes “Sonte do të luajmë pa tekst”, këtë fundjavë (15 tetor) në skenën e Teatrit Kombëtar, mbrëmje e cila përkonte dhe me ditëlindjen e saj. Një nga aktoret më të dashura të Teatrit Kombëtar, Mujo solli një interpretim emocionues, në një vepër ku interpretonte dhe i biri aktori Amos Zaharia. E lindur më Tiranë më 15 tetor 1953 teatri është gjithë jeta e saj. Mujo mbaroi për kanto në Liceun Artistik dhe më pas për aktore në Institutin e Lartë të Arteve, ndërsa më 1974 u emërua në Teatrin Popullor. Në teatër ka interpretuar në dhjetëra shfaqje, midis të cilave te “Orët e Kremlinit” e Pogodin, “Luiza Miler” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e K. Jakovës, “Vizita e Inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit. Ka interpretuar në filmat “I teti në Bronx”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Kur hidheshin themelet”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Është aktore me kërkesa, me plastikë të zhdërvjelltë, energjike, shpërthyese; dallon për trajtimin e mençur dhe të kulturuar të roleve, duke rikuptimësuar në kohë idetë dhe gjendjet e tyre emocionale. Yllka Mujo kalon lehtësisht sa nga drama në komedi, sa nga personazhet me mbartje psikologjike e përjetime të brendshme, tek personazhet komike, deri paroditë dhe groteskë. Më 1995 fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” si aktorja më e mirë e Festivalit Kombëtar të Teatrove për rolin e Julias në dramën “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër” të Dorstit. Mban titullin Artiste e merituar. “Sonte do të luajmë pa tekst” është një vepër e ndërtuar brenda një konflikti thelbësor – ( që zhvillohet në sy të publikut) një konflikt mes regjisorit që do të imponojë rregull e formë edhe kur improvizohet dhe aktorëve që duan t’u japin jetë personazheve.
Piandello lëviz këtu, rreth temës kryesore të veprës së tij : teatri dhe mekanizmat e tij. Nëse në dy veprat e para të trilologjisë, teatraliteti është ngjizur si një tentativë shpëtimi prej jetës, këtu teatri është një iluzion..
Tema e pjesës ngre pikëpyetje në lidhje me tekstin dhe si do të vihet në skenë, punës së regjisorit dhe të aktorëve që duhet t’i japin jetë botës së tij.
Teatri për Pirandelon është një metaforë e jetës, që na tregon se ashtu siç aktorët, janë dënuar brenda kufinjve të skenës dhe kohës skenike, për të pasur një ekzistencë, ashtu edhe teatri, “para se të jetë një forme tradicionale e letërsisë, është një shprehje e natyrshme e jetës, e cila, ashtu si shfaqja, ka një fund…” Nën regjinë e Driada Dervishit në skenë intepretojnë aktorët Yllka Mujo, Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Gent Hazizi, Neritan Licaj, Marsel Rupi dhe Elton Cefa . “La vita, o la si vive o la si scrive” -Luigi Pirandello.(“Jeta, ose shkruhet, ose jetohet.”) Më 28 qershor të 1867 në Girgenti, sot Agrigento, lindi Luigi Pirandello, dramaturg, shkrimtar dhe poet italian .Ai shkruan veprën e tij të parë “Barbari” vetëm 11 vjeç.
“Unë jam bir i Kaosit, dhe kjo jo e thënë në një mënyrë alegorike, por të vërtetë, pasi kam lindur në një fshat, që quhet Càvusu nga banorët e Girgenti, një fjalë dialektore që nga fjalori antik grek do të thotë “Kaos”.
Kaosi i sjellë nga Pirandello për të shpjeguar origjinën dhe fatin e tij, në fakt i takon dhe veprës së tij, e cila është një përshfaqje dramatike dhe ironike e vetë kaosit.
Teatri i tij inskenon dramën e jetës në pasqyrë , un- i që ndahet nga jeta e tij dhe e sheh veten nga jashtë, të reflektuar në formën e një narcizismi tragjik . Konflikti mes Formës dhe Jetës, është origjina e dramës së tij. “Kur dikush jeton vërtet, jeton dhe nuk arrin ta shohë veten. Nëpërmjet teatrit ne bëjmë që ai ta shohë atë, pikërisht gjatë aktit të jetuarit, i mbërthyer nga pasionet e tij, duke i vënë një pasqyrë përpara”, kjo gjë shpesh shkakton reagime të forta zemërimi, të papritura dhe ” nëse ka qarë dikur, tani nuk do të qajë më, e nëse ka qeshur nuk do mundet më…Ky telash është teatri im.”shprehet Pirandelo. Teatri i Pirandelos është quajtur “teatri i pasqyrës”, pasi në të duket jeta e vërtetë, ajo e zhveshura, e hidhura, pa maskat e hipokrizisë dhe të konvencioneve shoqërore, në mënyrë që publiku të shohë veten të reflektuar dhe kështu, duke e parë të ndryshojë për të qenë më i mirë.
Suksesin e tij më të madh ai e arriti në 1922 kur u vendos në teatër.