“The Honeymoon” i regjisorit Jan Hrbejk prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës


Anna Geislerová“The Honeymoon”, filmi i regjisorit Jan Hrebjek, është shfaqur në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit që po mbahet në Durrës. Një film sa elegant dhe i fuqishëm, që solli për herë të parë në Shqipëri një aktore, të cilën publiku shqiptar ka mundur ta njohë përmes filmit të regjisorit shqiptar “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Prania e një publiku të shumtë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” konfirmoi edhe një herë lidhjet e kinemasë shqiptare me atë çeke. Filmi tregon historinë e dasmës treditore të Radimit dhe Terezës. Sekrete nga e shkuara e Terezës kthehen në jetën e saj gjatë dasmës së saj. E shkuara bashkohet me të tashmen në formën e një të huaji nga një qytet fqinj, i cili i bashkohet damës në mënyrë të paskrupullt me të ftuarit. Tereza mendon se ai është një nga të njohurit e Radimit, por Radimi e mohon. I paftuari e prezanton veten si Jan Benda dhe i rikujton Radimit se njihen që nga vitet e shkollës, duke zbuluar një të shkuar që do ta kthejë festën në makth.


Në konferencën për shtyp, regjisori Jan Hrebejk evidentoi se mesazhi i filmit qëndron te fakti se e shkuara mund të rikthehet dhe të orientojë të ardhmen nëse ti nuk je i aftë të përballesh me të. Më tej ai e vuri theksin se një nga mesazhet e tjera të forta është fenomeni i bulizmit në shkolla mes adoleshentëve. Ndërsa aktorja bukuroshe Anna Geislerova, një nga fytyrat më të dashura të kinemasë çeke që prej filmit shqiptaro- çek nga Pirro Milkani “Trishtimi i zonjës Shnajder”, u shpreh se “Është hera ime e parë që vij në Shqipëri dhe natyrisht kisha kureshtje, pasi kam punuar me Pirro Milkanin dhe po e shijoj mikëpritjen shqiptare. Sa i përket rolit, e kam shijuar maksimalisht, çdo moment xhirimi, pasi edhe me regjisorin kemi një bashkëpunim të hershëm, pasi ky është filmi i katërt që realizojmë bashkë”. Gjatë ditës së djeshme, në skenën e festivalit janë shfaqur filma retrospektivë për aktorin ikonë në filmat e Emir Kusturicës, Miki Manojlovic. Retrospektiva nisi me shfaqjen e filmit “Irina Palm” me një prezantim të Miki Manollovic. Ndërsa në mbrëmje u shfaq premiera e filmit shqiptar “Amaneti” me regji të Namik Ajazit, si dhe filmi “Fusha e qenve” nga regjisori polak Lech Majewski.