Auron Tare – Fyerjet e bëra dje në Komisionin e Kulturës nga disa deputetë në adresë të të gjithëve ne që jemi të angazhuar në debatin publik mbi të ardhmen e trashëgimisë kulturore shqiptare, ishte një shëmtim publik. Përpos faktit që disa prej atyre që folën janë injorantë të kulluar në fushën e trashëgimisë, nja dy syresh nuk ishin as esëll në atë tavolinë debati. Është punë e zorshme të rrish e të dëgjosh njerëz pa asnjë kontribut në një fushë të caktuar të gjykojnë pa asnjë fakt, pa asnjë logjikë një debat, i cili del përtej kapacitetit të tyre intelektual. Është normale që për këta Baballarët e Kombit zhgërryerja në ndonjë mejhane mes mishit me lyrë dhe birrave të ftohta bëhet duke i ndërtuar këto mejhane në rrënojat historike. Është e vërtetë se këta Baballarët e Kombit nuk kanë shkelur as edhe një herë në ndonjë zonë arkeologjike apo monument kulture dhe nuk kanë asnjë lidhje shpirtërore me këto vende. E po kështu është e vërtetë se si Baballarët e Kombit që janë, mendojnë se kanë të drejtën jo vetëm për të folur vend e pa vend, por edhe të fyejnë dhe ofendojnë njerëz, të cilët prej vitesh kanë kontribuuar në ruajtjen e trashëgimisë. Kësaj trashëgimie, të cilën barbarët e sotëm po ia shkrijnë gurët për gëlqere dhe po ia shndërrojnë themelet në mure mejhanesh. Gjithsesi, përtej problemit të Baballarëve të Kombit, debati i dhënies me qira të monumenteve të kulturës është një problem shumë i mprehtë, i cili nëse realizohet, do t’i dëmtojë këto monumente pa rikthim. Është shumë e vërtetë dhe i drejtë mendimi i disa anëtarëve të komisionit, që sollën si rast në debat eksperimentet e kryera deri më sot në Lëkurës, Elbasan dhe Petrelë, se këto modele kanë dështuar. Këto modele (përveç rastit të Petrelës që nuk e njoh personalisht), kanë dështuar, pasi përpos faktit që në këto restorante mund të hash një drekë të mirë dhe Baballarët e Kombit të dhjamosur nga puna e tepërt mund të shkojnë për të drekuar me makinë, nuk kanë asgjë që reflekton kulturë apo trashëgimi kulturore. Në të tria këto raste, të cilat kanë qenë eksperimente të para në këtë fushë, nuk ka qenë aspak faji i biznesit privat, i cili është munduar të shfrytëzojë të gjitha hapësirat për të bërë para. Faji kryesor në këto dështime ka qenë tutela e institucioneve shtetërore dhe e Baballarëve të Kombit që nuk kanë ushtruar asnjë kontroll mbi ruajtjen e këtyre monumenteve të kulturës, të cilat për fat të keq, sot sillen si argumente zhvillimi. Nuk ka asnjë specialist të huaj të fushës, i cili mendon se modeli i Lëkurësit, i Elbasanit, i Kullës së Tepelenës, apo i asaj të Durrësit, janë modele të ekzekutuara me profesionalizëm dhe shembuj se si mund të zhvillohet menaxhimi i trashëgimisë. Këto modele janë dështime, por janë dështime të cilat erdhën si pasojë e një fushe të panjohur deri në momentin kur ato iu dhanë biznesit, i cili edhe ai nuk ishte i përgatitur për një menaxhim të kësaj trashëgimie. Të ecësh në gjurmët e një dështimi është krim dhe jo zhvillim. Por Baballarët tanë të Kombit në vend që të merren me ligje që në Shqipëri të krijohet terreni i duhur i menaxhimit të trashëgimisë, merren me shkollat se ku kemi mbaruar ne që flasim publikisht për dështimet e tyre faqe kombit. Baballarët e Kombit, të cilët nuk kanë shkuar një herë në Krujë për të parë se si po shpartallohet simboli i Mesjetës shqiptare. Ata të cilët nuk kanë folur një herë publikisht për këtë turp karshi historisë dhe brezave që do të vijnë, kanë sy e faqe të na akuzojnë ne se kërkojmë që t’i privatizojmë këto monumente kur të vijmë në pushtet. Vetëm një mendje e sëmurë rëndë mund të prodhojë të tilla habere, një mendje e mbushur me avuj alkooli, prandaj dhe mediokriteti ka dalë nga njerëz të cilët nuk janë realizuar asnjëherë në sytë e shoqërisë dhe si qen rrugaçë duan të përmjerrin kopshtin e tjetrit. Zoti na ruajt nga këta Baballarë Kombi!