Arkëtime rekord me 365% rritje. Zgjidhje e re pas dështimit me taksat
Administrimi i taksave ka dështuar në çdo drejtim për shkak të reformave të gabuara dhe tashmë qeveria shqiptare, e shtyrë nga kriza në buxhet, po shikon si zgjidhje rritjen e arkëtimeve me anë të gjobave. Janë të shumta rastet e raportuara nga administrata tatimore për aksione të ndryshme në sektorë të veçantë, por kanë munguar të dhënat rreth masës së ndëshkimit. Dy muaj më parë, dolën me shkelje rreth 250 shoqëri ndërtimi, por Tatimet nuk pranuan të jepnin shifra rreth masës së gjobës. Po ashtu, edhe në sektorin e ndërtimit. Mungesa e transparencës prek edhe autoritet doganore dhe kjo sjellje nuk është gjë tjetër veçse tentativë për të fshehur “dorën” e fortë të ndëshkimit. Kjo pasi, në raportin e fundit të Ministrisë së Financave, te pjesa e të ardhurave, duke i ndarë me zëra më vete, zbulohet fakti se të ardhurat nga gjobat jo vetëm që nuk janë shtuar, por kanë pësuar një rritje rekord prej 2 mijë përqindësh.
Sikurse duket nga tabela me të dhëna, janë të afishuara të gjitha burimet e të ardhurave, madje me detaje, duket edhe sa merr qeveria nga tatim-fitimi ndaj Bankës së Shqipërisë, nga tarifat e shërbimeve, dividenti i ndërmarrjeve shtetërore dhe deri tek zëri “të tjera”, me të cilën identifikohen gjobat. Këto nuk janë thjesht vlera të raportuara si gjoba të vendosura, por të arkëtuara në thesar për llogari të arkës së shtetit.
Në total, nga muaji janar e deri në qershor janë arkëtuar rreth 4 miliardë lekë të ardhura nga gjobat dhe sanksionet, ose 40 milionë dollarë, me një rritje 365 për qind për qind me planin dhe 3200 për qind me vitin e kaluar, ku për të njëjtën periudhë u volën 877 milionë lekë.
Edhe në vitin 2010 qeveria theu një tjetër rekord nga të ardhurat prej gjobave, në vlerë prej 5 miliardë lekësh, ndërsa mesatarja e viteve të tjera nuk arrin më shumë se 700 milionë lekë, po si 6-mujor (përjashto vitin 2002, me 3 miliardë lekë). Viti 2010 do të mbahet mend për shkak të aksioneve të mëdha në sektorin e hidrokarbureve, ku tatimet vendosën gati 3 miliardë lekë gjoba për shkak të evazionit dhe mosvendosjses së kasave fiskale.
Të dështuar nga të gjitha drejtimet e menaxhimit sa më optimal të sistemit fiskal, tashmë qeveria shqiptare është kthyer në gjobvënëse. Këtu futen edhe bashkitë e mëdha, të cilat në fillim të këtij viti nisën aksione të shumta në terren për bizneset e vogla, qarkullimin dhe ndotjen.
Kjo rritje rekord nuk i atribuohet vetëm punës së “mirë” nga ana e administratave tatimore dhe doganore, por edhe institucioneve të tjera, si Policia Rrugore apo inspektoratet e shumta të kontrollit. Te ky grup institucionesh, veçohen gjobat e qarkullimit rrugor, të cilat në vitin 2011 ndryshuan, duke u katërfishuar. Kjo ndoshta ka dhënë një tjetër kontribut në krijimin e të ardhurave nga sanksionet.
Edhe në vitin 2010 qeveria theu një tjetër rekord nga të ardhurat prej gjobave, në vlerë prej 5 miliardë lekësh
