Ministria e Financave pagoi 200 mijë USD rroga për 7 të larguar padrejtësisht


ARD KOLA


Pushimet nga puna ne Administraten publikeShkarkimet në administratën publike vijojnë të mbeten gangrena e arkës së shtetit. Punonjësit me status nëpunësi civil, të larguar nga eprori e çojnë çështjen në gjykatë dhe e fitojnë, duke i vjelë shtetit jo pak, kur nga ana tjetër, zgjidhja duhet të ishte më e lehtë: rikthimi në punë.


Rastet janë të shumta, por nuk ka një faturë të plotë për shumën totale që paguhet. Të paktën në Ministrinë e Financave ekziston një auditim i kryer nga KLSH-ja për vitin 2011, nga ku zbulohen fatura me shuma të majme për të shlyer gabimet e eprorit për largimet e padrejta nga puna. Edhe ministri i Financave ka rolin të ruajë financat e shtetit, firma e tij për emërime dhe shkarkime po vijon të shkaktojë humbje të padrejta për taksapaguesit shqiptarë.


Fenomeni dhe faturat 


Vetëm për vitin 2011, ministria pagoi për 7 zyrtarë dhe punonjës të larguar një faturë me vlerë prej rreth 200 mijë dollarë. Kjo është vetëm për një vit, pasi duke nisur nga 2006, kur nisi reforma e largimeve masive në administratë pas ardhjes në pushtet të të djathtëve, faturat janë disa herë më të larta. P.sh, vetëm nga tatimet, për shkak të largimeve masive dhe emërimeve me militantë, buxheti i shtetit ka paguar rreth 1.7 milionë dollarë.


Por çfarë ndodh me të larguarit dhe si paguhet dëmi? I larguari nga puna, me status nëpunësi civil, ankohet te Komisioni i Shërbimit Civil me pretendimin se i është kryer padrejtësi. KSHC, e cila ka funksionet e një gjykate, trajton çështjen dhe i jep të drejtë ankuesit, pasi faktet janë të qarta për largim pa motivacion dhe të padrejtë, duke njoftuar institucionin për rikthimin e punonjësit në punë. Titullari e çon çështjen në gjykatën e shkallës së parë, pasi nuk e pranon vendimin e KSHC-së, por edhe këtu humbet, ndërsa gjyqtari kërkon rikthimin në punë, ose në listëpritje. E thënë ndryshe, derisa të kthehet në punë apo t’i gjendet vendi që i takon, i larguari me status nëpunësi duhet të marrë pagën e pozicionit të punës. Ministri nuk e merr në punë, pasi vendin e ka të zënë dhe pranon të paguajë dëmin, që zakonisht shkon me 12 paga, dy vjet paga etj.


Duke monitoruar shpenzimet e buxhetit 2011, KLSH konstaton fatura me efekte financiare nga viti 2006 dhe që sërish vijohet të paguhet. Vendimet e gjykatave për të rikthyer në punë të larguarin nuk respektohen dhe kështu dëmet bëhen akoma e më të mëdha. Çështja në fjalë (reforma në administratë) është dhe një nga kushtet për anëtarësimin në BE, e cila nuk po zbatohet si duhet.


Rasti i sekretarit


Gazeta “Shqip” disponon dosjet e 7 ish-punonjësve të Ministrisë së Financave, dhe për të kuptuar qartë fenomenin, publikon rastin e sekretarit të përgjithshëm, si më i veçanti, pasi çështja arriti deri në nivelet e larta të gjyqësorit, ku natyrisht edhe fatura financiare ishte e konsiderueshme.


Më 24 shkurt të vitit 2006, KSHC merr vendimin për të rikthyer në punë sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave, shkarkuar (sipas vendimit) pa motivacion nga ministri Bode. Vendimi thoshte se sekretari jo vetëm që duhet të rikthej në punë, por edhe t’i jepej paga e munguar për shkak të shkarkimit. Largimi kishte ardhur në janar të 2006-s, me motivacionin, sipas Bodes, “moskryerje si duhet i detyrave funksionale si sekretar i përgjithshëm”. Çështja shkon në Gjykatën e Apelit dhe në maj të 2006-s rrëzohet vendimi i KSHC-së për rikthimin e sekretarit në punë, duke pranuar si të drejtë urdhrin e Bodes për shkarkim. Por në prill të vitit 2007, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë rrëzoi vendimin e apelit, duke shfuqizuar kështu edhe urdhrin e ministrit, duke i dhënë të drejtë KSHC-së, ose më saktë ankimuesit, sekretarit të përgjithshëm. Në vendim, Gjykata e Lartë thoshte se, “ankuesi duhet të kthehet në detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Financave, pra në pozicionin që kishte, si detyrim ligjor. Çdo emërim tjetër i përkohshëm dhe pa miratimin e DAP-it është i paligjshëm”. Pas këtij vendimi, ministri Bode sërish nuk pranon ta rikthejë në punë ish-sekretarin e tij, por nga ana tjetër preferon t’i paguajë për ditët e që i takonin të ishte në punë.


Fatura? Deri në prill 2009, ish-sekretari kishte marrë nga shteti 50 mijë dollarë, ndërsa ende vazhdon të paguhet (fatura e fundit, maj 2012, por s’dihet shuma) edhe pse nuk punon në këtë institucion. Ai do të vazhdojë të paguhet derisa Bode ta kthejë në punë!


 


 


Rasti


Gjykata, i shkarkuari përfiton 28 paga 


Vendi i punës në BSH “kushton” mijëra dollarë


Vetëm për një shkarkim të padrejtë dhe të pamotivuar të kryer nga guvernatori detyron institucionin e Bankës së Shqipërisë të paguajë dëmin me vlerë mijëra dollarë dollarë. Çështja e trajtuar nga Gjykata e Apelit i dha në fund të drejtë ankimuesit, i cili pretendonte se ishte larguar nga puna jo në mënyrë të drejtë. Si dëmshpërblim, ish-punonjësi do të përfitojë 28 paga! BSH e kishte humbur çështjen në shkallën e parë dhe kërkoi ta fitonte të drejtën në shkallën e dytë, atë të apelit, por edhe këtu dështoi. Paditësi kishte punuar te BSH për rreth 20 vjet dhe nisur nga paga që merrte, ushtronte detyrë të funksionit të lartë. Në qershor 2011, guvernatori vendosi ta largonte nga puna me motivacionin “se në mënyrë të përsëritur nuk kishte respektuar orarin e punës”. Për ta provuar motivacionin, BSH i kishte paraqitur gjykatës ekstrakte të regjistrit elektronik ku shënohen hyrjet dhe daljet nga ambientet e ndryshme të institucionit, ku rezultonte se në disa raste kishte cenim të orareve. Paditësi thotë se shkarkimi erdhi në mënyrë të menjëhershme, pa paralajmërim, kur nuk kishte marrë asnjëherë vërejtje në 20 vjet punë. Po si e fitoi gjyqin i shkarkuari nga guvernatori?


“BSH nuk ishte në gjendje të provojë para gjykatës se në ato raste kur paditësi ka cenuar orarin, a e ka bërë këtë për të shkuar në një zyrë tjetër të Bankës së Shqipërisë, apo për t’u larguar për motive personale. Kjo për faktin se Banka e Shqipërisë i ka zyrat në disa vende dhe paditësit i është dashur të spostohet nga një vend në tjetrin, brenda ditës së punës”, thotë gjykatësi i çështjes. BSH ka disa ambiente zyrash në Tiranë, por mesa duket vetëm te njëra është instaluar regjistri elektronik, për pasojë nuk ishte në gjendje të provonte se ku ishte në të vërtetë punonjësi i saj. Për këtë motiv, gjykata e ka cilësuar të padrejtë shkarkimin dhe nisur nga faktorë të ndryshëm (mosha dhe gjendja emocionale) i ka dhënë të larguarit të drejtën për të marrë dëmshpërblim 28 paga.


A.Kola