Ish-drejtori i Doganave


Petrit AgoIsh-drejtori i përgjithshëm i Doganave, Petrit Ago, që ka drejtuar pas ardhjes në pushtet të PS-së në vitin 1997, kundërshton qëndrimin e Pandeli Majkos për ashpërsimin e masave kundër informalitetit. Në një deklaratë të bërë publike dje, i drejtohet Majkos duke i kërkuar t’i kërkojë ndjesë elektoratit të majtë, përse nuk i ka futur në burg kontrabandistët kur ishte kryeministër. “I nderuar zoti Majko! Jam befasuar dhe ndihem super i fyer si qytetar e biznesmen dhe me këtë rast dua t’ju kujtoj deficitin gjigant të vitit 1999 dhe atë të gjashtëmujorit të dytë 2002 ku mbizotëronte kontrabanda e naftës, hekurit dhe ajo e autoveturave. Do të më pëlqente që kriminelët e asaj kohe t’i fusje në burg, por e kishe të pamundur. Ju dhe kolegët tuaj duhet t’i kërkoni ndjesë popullit, por sidomos elektoratit të majtë të shkëlqyer. Nëse këto nuk qëndrojnë, jam gati për ballafaqim me ju, e cilindo nga ju”, shkruan Ago në mesazhin e tij. Majko deklaroi në Komisionin e Ligjeve: “Kushdo që bën evazion dhe vjedh shtetin duhet të dënohet me burg”.