Informaliteti
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaron se në kuadër të fazës së dytë kundër informalitetit, ka një qasje të re në komunikimin e administratës tatimore me sipërmarrjen. Në një postim në statusin e tij në Facebook Ahmetaj shprehet: “Një qasje e re në komunikimin e administratës tatimore me sipërmarrjen. Në kuadër të fazës së dytë kundër informalitetit, administrata tatimore ka nisur komunikimin intensiv me mbi 150 mijë biznese përmes sistemit të tatimeve dhe me mbi 88 mijë të tjerë edhe përmes adresave elektronike, për t’i njoftuar mbi riskun e evidentuar në sistem dhe për t’i këshilluar mbi hapat që duhet të ndërmarrin për vetëkorrigjim. Informaliteti është betejë e përbashkët, që fitohet vetëm me sensibilizim dhe bashkëpunim”. “Ministria e Financave, Administrata Tatimore dhe ajo Doganore, janë në shërbim të sipërmarrjes në çdo kohë. Kemi hapur një kapitull të ri, të standardizuar, në komunikimin me biznesin dhe shumë shpejt do t’i japim një profil të ri shërbimit ndaj tatimpaguesve në të gjithë vendin”, shkruan Ahmetaj.