Ministria reagon për marrëveshjen e Bllokut 8: Shumica e kontratave, me kompani “offshore”. Ligji nuk e ndalon


Albania-calls-for-oil-gas-exploration-bids-664x400Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) pranoi dje se ka lidhur kontrata hidrokarbure me kompanitë e “parajsave fiskale”, përfshirë edhe marrëveshjen me Albanides Energy sh.p.k. “Është fakt i ditur që pjesa më e madhe e kontratave hidrokarbure në Shqipëri, por edhe jashtë saj janë nënshkruar me shoqëri, aksionerët e të cilave janë të regjistruar në vendet e njohura si ‘offshore'” deklaroi dje MEI në një reagim për kritikat mbi marrëveshjen e sapolidhur nga qeveria për kërkimin e naftës në Bllokun 8. Duke marrë shkas nga raportimet e fundit në media rreth miratimit të marrëveshjes me ndarje, prodhim, ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Albanides Energy sh.p.k., për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në bllokun “8”, MEI sqaron se ligji nuk i pengon kompanitë “offshore” të marrin koncesione në Shqipëri. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje hidrokarbure është bërë në përputhje me ligjin e vitit 1993 ‘Për hidrokarburet (kërkim-prodhim)'”, deklaron MEI. Sipas njoftimit, negociatat për këtë marrëveshje kanë zgjatur më tepër se një vit dhe janë kryer nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Në fakt, kontrata për të cilën negociohej ishte me shumë interes, sepse gjatë këtij viti u shitën aksionet e kompanisë duke përfshirë të drejtat e supozuara se do të fitoheshin nga marrëveshja me qeverinë shqiptare. Kontrata e dhënë nga autoritetet shqiptare për Albanides Energy është transferuar disa herë, që prej kohës së negocimit me AKBN-në, që ka nisur në vitin 2014, përpara se të miratohej nga qeveria. Sipas agjencisë Reuters, Dinaric International Energy, pronare e Albanides Energy, ia ka shitur për 90 mijë dollarë aksionet dhe të drejtat që mund të përfitojë për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës në zonën e “Bllokut 8” në Shqipëri, një shoqërie kanadeze të quajtur Columbus Copper, e kuotuar në Bursën e Torontos. Shitja ka pasur si kusht marrjen e licencës deri në qershor të vitit 2015, por nëse palët gjenin akordin, ajo mund të rrinte në fuqi edhe nëse shkeleshin afatet. Në korrik të 2015-s, Columbus Copper ia ka kaluar aksionet Energulf Resources. Pjesë e kontratës së fundit, siç del nga dokumentet, janë edhe të drejtat e kërkimit të naftës në Bllokun numër 8 në veri të vendit. Lidhur me këto fakte, MEI shpjegon se në bazë të ligjit “Për hidrokarburet”, si dhe ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, nuk parashikohet asnjë kufizim për sa i përket vendndodhjes së aksionerëve të shoqërive me të cilat nënshkruhen marrëveshje hidrokarbure apo transferimit të kuotave të aksioneve nga një subjekt te tjetri. “MEI nuk ka asnjë të drejtë ligjore, që të vendosë kushte që kufizojnë vendndodhjen e aksionerëve të këtyre shoqërive apo të drejtën e disponimit lirshëm të aksioneve”, deklaron ministria që drejton Damian Gjiknuri. Sipas zyrës së shtypit të MEI-t, “aludimi që bëhet për këtë marrëveshje për lidhje me investigimin ‘The Panama Papers’ është rastësor për të mos thënë spekulativ”. Nga ana tjetër, ministria deklaron se kompanisë me qendër në “parajsën fiskale” i është dhënë një zonë e parëndësishme dhe pa interes. “Blloku 8 është i pozicionuar në pjesën e veriut të Shqipërisë, zonë për të cilën nuk ka pasur asnjëherë më parë interes kërkimi nga kompani të tjera vendase apo të huaja për shkak edhe të mungesës së studimeve sizmike dhe riskut të lartë të kërkimit”, informon ministria. Sipas ministrisë, kontrata përcakton investimin e 5.300.000 dollarëve për kërkimin e naftës në Bllokun 8.