Qeveria heq dorë, në heshtje, por zyrtarisht nga procesi. METE: Do ta rihapim
ARD KOLA
Pas pikës 2, shtohet pika 3: Mbylljen e procedurave të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a, Patos”. Kaq! Me këtë paragraf “të thjeshtë”, pjesë e VKM-së nr.74, qeveria mbyll zyrtarisht, pa zhurmë, një ndër proceset, që në rast se do të realizohej, do të hynte në histori si një ndër operacionet më të mëdha në fushën e privatizimeve, jo vetëm në Shqipëri.
Privatizimi i “Albpetrol”, shitja 100 për qind e aksioneve mbajti nën vëmendje dhe tension të lartë botën e financave shqiptare, për gjatë vitit 2012. U fol gjatë, madje edhe nga agjencitë prestigjioze të lajmeve, ndërsa kulmoi në muajin shtator, kur kompania amerikane “Vetro Energy”, ku pjesë kishte shoqëria shqiptare YPO, ofroi çmimin 850 milionë euro, baras me 10 për qind të Prodhimit Kombëtar ose sa 25 për qind e buxhetit vjetor.
Në vendimin e formës së prerë, qeveria nuk jep asnjë sqarim rreth arsyes së mbylljes së procedurave, kur më parë, në muajin shkurt kishte vendosur të niste negociatat me shoqërinë e renditur e dyta tek ofertat, kinezët e “Win Business”, që kishin dhënë çmimin 297 milionë euro.
Nga vendimi i marrë për t’i dhënë fund procesit, kuptohet se as shoqëria e renditur e treta, kanadezët e “Bankers” me ofertë rreth 106 milionë euro nuk kanë pasur interes për të biseduar me qeverinë, sikurse mësohet se as kjo e fundit (shteti) nuk e pa të arsyeshme të negocionte për një çmim 8 apo 4 herë më të ulët, nga sa ishin pritshmëritë.
Tashmë kur “ëndrra” 850 milionë euro është mbyllur njëherë e mirë, qeveria dhe konkretisht, Ministria e Tregtisë dhe Ekonomisë duhet të analizojnë shkaqet që çuan në dështimin e procesit. Sa i takon ofertës së parë, shumë të diskutuar, privatizimi u duk gati i mbyllur që në muajin nëntor, pra dy muaj pas hapjes së ofertave dhe skadimit të afatit për lidhjen e kontratës. Arsyeja e mosrealizimit të marrëveshjes duket sa banale aq shqetësuese për nivelin se ku përfundoi çështja e privatizimit.
“Vetro” garantonte se i kishte paratë në bankë dhe ishte e gatshme të derdhte me një këst të vetëm shumën prej 850 milionë eurosh, por kërkonte garanci nga shteti se kompania “Albpetrol” i dispononte të gjitha letrat në rregull, që në fakt nuk rezultonte kështu sipas një raporti të KLSH-së, ku thuhej se afro 60 për qind e aseteve të shoqërisë së prodhimit të naftës ishin të paregjistruara, u mungonin dokumentet bazë, etj.
Këtu nis diskutimi mbi interpretimin e ligjit të privatizimit, se çfarë po shiste qeveria dhe çfarë po jepte me koncesion për një afat prej 25 vitesh.
Gjithsesi, me skadimin e afateve, kryeministri urdhëron nisjen e bisedimeve me shoqërinë kineze, por kjo e fundit kthen përgjigje negative që nuk ishte më e interesuar për të blerë “Albpetrol” (një ndër arsyet ishte edhe klima jo e favorshme për të investuar në Shqipëri).