Çudia: Kompania e vendit të dytë, pa uebsite
Çuditë në tenderin për shitjen e “Albpetrol”-it do të vazhdojnë gjatë. Kërkimi i parë për kompaninë e renditur paraprakisht e dyta, “Amber Shine” INC, ofroi për blerjen, 790 milionë euro, jo pak. Kërkimi i parë rreth profilit të kompanisë nuk ka të dhëna të qarta. Me këtë emër, del faqja zyrtare e internetit të një sportisteje britanike, më pas faqja e një servisi makinash në SHBA. Se sa serioze ishte kompania e renditur e dyta u duk që në fillim. Në hapjen e ofertave, juria konstatoi se shoqëria nuk kishte paraqitur formularin e garancisë, problem që e pengon të vijojë më tej procesin e kualifikimit.
Surpriza
“Vetro Silk Road Equity” jep ofertën më të lartë: Është vetëm fillimi. Injorojnë rusët
ARD KOLA
Aspiratori i prishur i sallës ku do të hapeshin ofertat marramendëse ndezi para kohe tensionin mes konkurrentëve. Komisioni i vlerësimit të ofertave, i përbërë nga më shumë se 10 veta, me kryetar zëvendësministrin e Ekonomisë, Sokol Dervishaj, mundohej të ruante qetësinë. Interesimi i mediave dhe vëzhguesve ishte tejet i lartë, ndërsa nuk mungonin rojet e shumta të sigurisë.
Oferta e fundit mbërriti në ministri 5 minuta para skadimit të afatit. Nuk pati fat kompania turke “Kurum”. Erdhi me vonesë dhe pavarësisht insistimit të drejtorit të saj, për të bindur kryetarin e jurisë, pakoja me zarfet nuk u pranua. Megjithatë u duk qartë se turqit nuk u impresionuan shumë nga ky vendim dhe qëndruan deri në fund për të ndjekur ofertat e konkurrentëve të tjerë.
Kompania e parë që paraqiti ofertën ishte multinacionalja “Ecolog”, me seli në Dubai, ku një familje shqiptaro-gjermane (nga Tetova) ka ndikim. Zarfet u hapën, por nuk kishin asgjë, as ofertë dhe as garanci, kështu që kaloi pa shumë zhurmë.
Oferta e dytë vjen nga konsorciumi “Win Business”, Kinë, me ofertën 297 milionë euro. Leximi i zarfeve ishte një proces i sikletshëm. Në jo pak raste, anëtarët e jurisë vonoheshin të gjenin ofertën në morinë e shkresave, ndërsa audio e sallës pengonte të mësoje saktë emrin dhe çmimin e ofruar. Për mediat ishte e vështirë të kuptohej se cilat ishin kompanitë dhe çfarë përfaqësonin. Intervalet e hapjes së zarfeve të jepnin kohë të bisedoje me përfaqësuesit e kompanive konkurrente. Njëri pranoi se kishte ardhur në momentet e fundit, duke zëvendësuar shokun që ishte sëmurë. Shenjë kjo jo serioze për rëndësinë e procesit.
Mbërrin heshtja. Është radha e “Gazprom”-it, gjiganti rus, për të cilin u fol gjatë në tre muajt e verës. Anëtarja e jurisë tregon zarfet dhe teksa i hap, shikimet dhe kamerat fokusohen te dokumentet. Oferta për të blerë 100 për qind aksionet e “Albpetrol” për rusët ishte 52 milionë dollarë, (40 milionë euro). Pati nënqeshje ironike, por edhe habi. Dukej si tallje, por fundja nuk mund të gjykohet. Rusët qëndruan më shumë se tre javë në Shqipëri për të parë nga afër asetet e kompanisë që do të blinin dhe aq e vlerësuan. Gati 10-fish më pak nga sa priste qeveria. Nuk munguan edhe batutat, që rusët i njohin mirë puset tona të naftës dhe nuk është çudi që për ta, aq vlen “Albpetrol”-i.
Nuk pati shumë kohë, pasi i erdhi radha ofertës, për të cilën do të flitet gjatë. Djali biond që dorëzoi pakon me zarfet dhe ofertën e “Vetro Silk Road Equity” dukej i tensionuar, nervoz, ndoshta sipas tij, diçka nuk shkonte. Dhe ja ku vjen oferta marramendëse: 850 milionë euro. Në sallë pati ovacione dhe fërshëllima, sikur të ishte bingo. Nisën shkëmbimet e sms-ve dhe kërkimet në internet për të mësuar kush fshihej pas kompanisë. Info e parë që erdhi ishte se shoqëria zotërohej nga dy djem të rinj, nga Çikago (SHBA), me disa aktivitete, edhe në restorante, por jo në naftë.
Oferta tjetër, ajo e kanadezëve, konsiderohej jo pak e rëndësishme. Rreth 303 milionë euro nga “Banker’s”, dukej si çmim më realist. Shoqëria i njeh mirë puset tona, punon në Shqipëri prej vitit 2004 dhe zotëron mbi 90 për qind të zonave naftëmbajtëse të njohura.
Oferta e fundit vjen sërish e majme, nga “Amber Shine” INC, për 790 milionë euro. U tha se kompania ishte nga Dubai, por kishte një problem, nuk dispononte te dokumentet formularin e garancisë së parave.
Mbyllet tenderi në pritje të fituesit, ndoshta pas një jave. Sakaq, përpiqemi të kontaktojmë me djaloshin e ofertës më të lartë, i cili quhej Essad Puskar. Kërkoi të pinte ujë dhe rrëmbeu një shishe të pahapur të një anëtari të jurisë. Dukej nervoz, por të paktën i tha dy fjalë. “Jemi të gëzuar për veten tonë, por edhe për Shqipërinë. Është shpejt të flas më konkretisht, ky është vetëm fillimi”. Nga ai mësojmë se “Vetro Silk Road Equity” është një shoqëri, me seli në Çikago dhe degë të rëndësishme në Singapor, bashkim i “Vetro Energy” dhe “Silk Road Equity”. Oferta zyrtare e amerikanëve për blerjen e “Albpetrol” kishte ardhur pikërisht nga zyra e Singaporit.
Renditja e kompanive
“Vetro Silk Road Equity” (SHBA) 850 milionë euro
“Amber Shine” INC (Dubai) 790.000 milionë euro
“Bankers Petroleum” (Kanada) 303.8 milionë euro
“Win Business” (Kina) 297.6 milionë euro
“Gazprom” (Rusia) 40 milionë euro
“Ecolog International” (Dubai) pa ofertë
Profili
“SilkRoad Equity”, pa përvojë në naftë, por në bar-restorante
Kompania që befasoi në hapjen e ofertave për shitjen e “Albpetrol”, shoqërisë shqiptare që nxjerr pasurinë e naftës nga nëntoka, rezulton me një profil të ulët. Sipas faqes së saj zyrtare të internetit “SilkRoad Equity është një firmë private investimesh, me bazë në Çikago, me interes në një portofol të diversifikuar të kompanive private dhe publike. E bashkëthemeluar nga Andrew “Flip” Filipowski dhe Matthew Roszak në 2003, “SilkRoad Equity” investon kapitalin e saj në kompani me pozicione të forta në treg, marka të njohura me potencial të madh në rritje. Shuma e ofruar për blerjen e “Albpetrol” është sa 17 për qind e së gjithë vlerës së transaksioneve që kompania ka realizuar në 20 vitet e fundit, sipas të dhënave të paraqitura në faqen e saj të internetit. Kompania ka aktivitet kryesor në fushat e teknologjisë, medias dhe zbavitjes, kujdesit shëndetësor energjisë dhe pasurive të paluajtshme. Investimet e saj kryesore të listuara në faqen e internetit janë në fushën e restoranteve, bankave të gjakut, shëndetësi, teknologji, zhvillimin e markave, pasurive të paluajtshme.