Procesi


Ministria thotë se nuk ka asnjë vendim për të paraqitur draft në qeveri


Bode ne KuvendGatishmëria e Kryeministrit për të miratuar një paketë të plotë të amnistisë fiskale të hënën e javës së ardhshme, ka kapur në “flagrancë” Ministrinë e Financave, e cila thotë se “deri më tani nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare nga ‘lart’ për të nisur procesin e hartimit të draftit, ose kalimit të tij në qeveri”. Përpos faktit se miratimi i paketës kërkon kohë procedurale (përgatitja, kalimi në qeveri, në komisione dhe në seancë-Kuvend), Ministria e Financave duhet të mblidhet më parë me grupet e interesit. Këta të fundit, sidomos Dhoma e Tregtisë, në fillim të muajit maj ka parashtruar një variant të paketës, por nga sa mësohet, pas propozimeve të bëra publikisht dhe përcjelljes në rrugë zyrtare në instancat kompetente, nuk kanë marrë deri më tani asnjë përgjigje.


Duhet thënë se ministria ka dy variante të ligjit për amnistinë, ose më saktë disponon kopjen e variantit (ndryshe e cilësuar amnistia e plotë – legalizim i kapitalit) që nuk u miratua në prill 2011, për shkak të mungesës së mjaftueshme të votave, duke hartuar më pas (variantin e dytë, që më pas u zbatua) ligjin, ku konsistonte në faljen e gjobave dhe një pjesë të detyrimeve.


Pra, në rast se Berisha jep urdhër për kalimin në formë të përshpejtuar të amnistisë së plotë (varianti i parë), koha për paraqitjen e draftit nuk do të ishte problem, pasi projekti ekziston në sirtarët e ministrisë, pra është i gatshëm.


Megjithatë, si në kohë fushatash, deklaratat e politikanëve, aq më keq të kryeministrave, marrin vlera përkohësisht dhe shumë shpejt shumohen.


Amnistia e parë nisi në korrik dhe u mbyll në dhjetor 2011, për t’u shtyrë në mars 2012, por rezultati ishte tepër zhgënjyes. Nga afro 500 milionë dollarë detyrime dhe gjoba të papaguara, u paguan rreth 20 milionë dollarë, pra më pak se 10 për qind. Ajo çfarë rezultoi në fund të procesit ishte se përfituesit e vetëm ishin individët.


A.K.