Vrojtimi


Situata ekonomike në rënie, rritet kostoja e jetesës


Banka e ShqiperiseSipas Bankës së Shqipërisë, besimi i konsumatorëve për situatën aktuale financiare të familjeve dhe atë të përgjithshme ekonomike në vend vlerësohet në rënie, përkatësisht me -3.4 dhe -0.9 pikë përqindjeje. Konsumatorët shprehen se kostoja e jetesës është rritur në tremujorin IV 2015. Treguesi i ndjesisë ekonomike mbeti pothuajse i pandryshuar në tremujorin e katërt, duke shënuar një rritje të lehtë me vetëm 0.1 pikë përqindjeje në krahasim me tremujorin e tretë. Sipas BSH, ecuria e treguesit të besimit gjatë tremujorit të katërt u ndikua nga zhvillime me kahe të kundërta të sektorëve që e formojnë atë. Nga njëra anë, në rritje kontribuuan përmirësimi i besimit në sektorin e industrisë dhe të ndërtimit dhe disi më pak rritja e besimit konsumator dhe të sektorit të tregtisë. Nga ana tjetër, rënia e besimit të shërbimeve dha kontribut negativ. Bizneset në sektorin e shërbimeve e vlerësojnë të përkeqësuar situatën e punësimit. Pritjet e bizneseve lidhur me ecurinë e këtij treguesi në tremujorin e parë të këtij viti sugjerojnë gjithashtu rënie të punësimit. Bizneset janë shprehur se faktorët me ndikim më negativ për aktivitetin e firmave të tyre në sektorin e shërbimeve mbeten korrupsioni, ekonomia informale dhe kuadri ligjor e institucional. Bizneset e sektorit të industrisë vijojnë të vlerësojnë praninë e korrupsionit dhe të ekonomisë informale, si dhe problemet me energjinë elektrike, si faktorët që pengojnë ushtrimin normal të aktivitetit të tyre.