Ministria e Zhvillimit Urban ndryshon procedurat: Qytetarët, afat 1 muaj për kontratën
Nëse nuk bëhet zëvendësimi brenda një periudhe 5-mujore, atëherë apartamenti shitet në tregun e lirë
Qytetarët me të ardhura të ulëta që duan të përfitojnë nga programi përkatës duhet t’i nënshtrohen rregullave të reja për të përfituar, si dhe të jenë më rigorozë në pagesën e kësteve me qëllim moshumbjen e banesës.
Udhëzimi i Ministrisë së Zhvillimit Urban, i botuar në Fletoren Zyrtare, vendos afatin prej 1 muaj në dispozicion të qytetarit përfitues, të miratuar në Këshillin Bashkiak, nga njoftimi i Entit Kombëtar të Banesave për lidhjen e kontratës, në të kundërt ky përfitim shkon te një qytetar tjetër.
Nëse nuk bëhet zëvendësimi brenda një periudhe 5-mujore, atëherë apartamenti shitet në tregun e lirë. Sipas vendimit në fjalë “Vlera e apartamentit të ndërtuar apo të blerë llogaritet nga Enti Kombëtar i Banesave dhe shlyhet nga familja me këste nga 25 deri në 35 vjet, me normë interesi prej 2.0% në vit, në bazë të nivelit të të ardhurave familjare, me kusht që kësti mujor të mos jetë më i madh se 35% e të ardhurave mujore. EKB-ja harton planin e amortizimit për çdo familje përfituese, i cili do të jetë pjesë përbërëse e kontratës”.
Një pikë e vendimit përcakton se në rastet kur qytetari/familja kërkon të shlyejë në mënyrë të menjëhershme vlerën e mbetur të çmimit të apartamentit, detyrohet të paguajë shumën e kësteve të përcaktuara deri në momentin e likuidimit, kamatëvonesat (nëse ka), si dhe vlerën e detyrimit të mbetur deri në këtë moment, i llogaritur në formë principali.
Kur familja shlyen vlerën e banesës, duke u bërë pronare e saj, enti lidh kontratën përfundimtare me kushtet e përcaktuara në ligj. Në rastet e pamundësisë së shlyerjes së kësteve, Enti bën vlerësimet përkatëse dhe zgjat afatin deri në 35 vjet.
Kur vlera e apartamentit nuk është shlyer brenda afateve të përcaktuara në kontratë, lidhet një kontratë shtesë për shlyerjen e detyrimit të mbetur, me një afat kohor 5–10 vjet, në varësi të nivelit të të ardhurave familjare, me interes 2% në vit, me këst mujor jo më të vogël se 2.500 lekë.
Afati i shlyerjes fillon me nënshkrimin e kontratës shtesë. Në vendim thuhet se, në të gjitha rastet, nëse pas rillogaritjes rezulton se kësti është më i lartë se 35% të të ardhurave mujore, familja kalon në kontratë qiraje sociale.