“Faji? I të gjithëve. Kompania nuk arriti planet, kurse shteti nuk pagoi borxhet”
ARD KOLA
Ditët e fundit janë shtuar dilemat dhe pikëpyetjet se kujt i takon përgjegjësia për situatën e krijuar te kompania CEZ, gjiganti çek, i cili në Shqipëri dështoi për realizimin e objektivave. CEZ bën me faj qeverinë, kurse kjo e fundit kompaninë. Për Bankën Botërore, institucioni financiar ndërmjetës mes palëve për realizimin e privatizimit në vitin 2009 dhe monitorimit të vazhdueshëm të procesit, fajin e kanë të dyja palët. Natyrisht, banka shpreh zhgënjimin për faktin se si u arrit në këtë pikë, duke mos dashur të fshehë përgjegjësinë edhe të saj, pasi ishte konsulenca e BB (përmes IFC-së) që bëri të mundur shitjen e OSSH-së për 102 milionë te çekët në maj të 2009-s. “Për fat të keq, në ikën ku jemi, divorci mes qeverisë dhe CEZ-it është i pashmangshëm”, deklaroi shefja e lartë e BB-së.
Jane Armitage, drejtoresha rajonale e bankës, një ndër drejtuesit kryesorë, e cila ka ndjekur nga afër procesin, zhvilloi dje konferencën e fundit me mediat në Shqipëri, duke shfrytëzuar kështu të jepte qëndrimin rreth procesit, i cili rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda në asketin ekonomik dhe politik të vendit.
Shkaktarët
Drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, Jane Armitage, ka pohuar gjatë një takimi me mediat se institucioni ndërkombëtar është shumë i zhgënjyer nga rezultatet e privatizimit të operatorit të shpërndarjes. Sipas saj, kompania “CEZ Shpërndarje”, që privatizoi Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në maj 2009 nuk ka arritur as të ulë humbjet në rrjet dhe as të rrisë faturimet. Kjo është pjesa që bën me faj kompaninë çeke. Në vitin 2009, CEZ trashëgoi një bilanc me nivel humbjeje prej 33 përqindësh, me planin për ta ulur çdo vit me 3 për qind. Sot, humbjet duhet të ishin rreth 25 për qind, por në fakt, janë 52 për qind. Diferenca mes këtyre të dhënave është minus për CEZ dhe ERE nuk ia njeh shpenzimet shtesë. Kjo ka shkaktuar konflikt, acarim mes palëve dhe kosto të larta financiare.
Nga ana tjetër, Banka Botërore bën me faj edhe qeverinë shqiptare, pasi institucionet publike kanë shtuar problemet, duke mos paguar faturat e energjisë dhe duke mos lejuar rritje të tarifave. Sa i takon garancisë, Armitage deklaroi se, “në këtë moment nuk jemi të gatshëm për të lejuar ekzekutimin e garancisë prej 60 milionë eurosh për CEZ”. Ky qëndrim të bën të kuptosh se për BB-në, fajet më të mëdha i ka kompania private dhe se vendimet e ERE-s kanë qenë të drejta. Pra, edhe në rast largimi, shanset e CEZ për të prekur garancinë 60 milionë euro janë të pakta. Problemi qëndron te gjykata e arbitrazhit, ku duket se do të jetë beteja e vërtetë ligjore.
100 milionë USD
Banka Botërore ka pranuar në parim të ndihmojë shtetin shqiptar për t’i akorduar KESH-it një kredi 100 milionë dollarë, me synim importin e energjisë elektrike. Akordimi i shumës do të kalojë përmes një procesi konsultimi të thellë, nga ku mendohet se raportet e aksioneve shtet-CEZ të ndryshojnë, pikërisht për shkak të shpenzimeve që po bën qeveria, të cilat duhet t’i kishte kryer kompania çeke, kontrolluesja kryesore e paketës.
“CEZ Group”, prodhuesi më i madh i energjisë në Republikën Çeke, po shikon seriozisht të lërë vendin, pas “shkopinjve mbi rrota” në planet e tyre të biznesit, sikurse deklaroi njëri nga anëtarët e bordit drejtues. Lajmin e bëri të ditur anëtari i bordit të CEZ, Tomas Pleskac në një konferencë shtypi në Pragë, pasi kishte takuar Kryeministrin Berisha në Tiranë, që me sa duket nuk është se palët kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit.
CEZ-i në Pragë nuk e mohon faktin se kompaninë në Shqipëri mund të lërë në fund të muajit dhjetor, nga ku do të merret vendimi final, dhe më tej të shikojë një blerës të mundshëm të aksioneve. CEZ kontrollon 76 për qind të aksioneve, por qeveria synon t’i rimarrë pa shumë kosto, pavarësisht se çekët e kanë bërë të qartë se largimi do të kushtojë shumë dhe aksionet do të jepen vetëm nëse paguhet “një çmim i lartë”.
CEZ kontrollon 76 për qind të aksioneve, por qeveria synon t’i rimarrë pa shumë kosto
Bilanci
Plani – Kompania CEZ duhet t’i ulë humbjet në rrjet (vjedhjet) me të paktën 3 për qind në vit, nga 33 për qind e nivelit kur bleu OSSH-në
Fakti – Të dhënat e raportuara nga vetë kompania tregojnë një nivel humbjesh prej të paktën 52 përqindësh, ku gati gjysma e faturave nuk paguhet
Humbjet – Borxhet e kompanisë CEZ po thyejnë rekordin e gati gjysmë miliard dollarëve, ndërsa shoqëria deklaron se nuk ka ndërmend të importojë
Investimet – CEZ duhet të kishte investuar për këtë vit të paktën 6.5 miliardë lekë, por faktet tregojnë se nuk ka investuar më shumë se një 1 për qind
Prurjet
Reshjet lehtësojnë rezervën e KESH-it
Prej disa ditësh, vendi është shoqëruar me reshje të dendura dhe se i vetmi lajm i mirë, përveç dëmeve nga moti i keq është shtimi i prurjeve në liqenin e Fierzës, aty nga varet sistemi ynë energjetik. Importet duket se kanë zbritur në nivelin e 7 milionë kilovatëve, nga 12 milionë të disa ditëve më parë. Megjithatë, situata mbetet ende e vështirë. KESH-it i nevojiten të tjera para, ndërsa CEZ e ka të pamundur t’i përgjigjet në çdo kohë për sigurimin e importeve shtesë. Korporata mundohet të ruajë rezervën, por përballë nevojave të vendit për konsum energjie, e cila është rreth 19 milionë kilovat/orë, e bën të pamundur mospërdorimin në nivel të lartë të kaskadës. Tashmë kur vlerat e importit kanë zbritur në 500 mijë euro në ditë, nga 800 mijë euro, KESH mund të marrë pak frymëmarrje. Ditët e ardhshme, kompania pritet të hyjë në diskutime me ERE-n për rishikimin e tarifës së energjisë elektrike që shet te CEZ. Këtu priten diskutime të forta, pasi CEZ kërkon një çmim më të ulët të blerjes me shumicë, në mënyrë që të rrisë të ardhurat. Aktualisht, niveli në liqenin e Fierzës është rreth 263 metra mbi nivelin e detit, diçka më mirë se një javë më parë, kur ishte gati 10 metra më poshtë.