Analiza
Prej kohësh, niveli i punësimit dhe pagat qëndrojnë të njëjta; dhe do të vijojnë
Biznesi në vend nuk po investon aq sa duhet ose në raport me pritshmëritë. Kjo duket nga ulja e kërkesës për kredi apo drenimi i ritmit rritës së importit për makineri dhe pajisje. Shqetësimi i kahershëm i Bankës së Shqipërisë se ekonomia po rritet nën potencial u referohet fakteve se shumë resurse nuk po vihen në funksion.
Në raportin e fundit të politikës monetare për tremujorin e parë 2013, analistët e BSH konstatojnë se tregu i punës është pothuajse në stanjacion. “Shikojmë se kemi një rënie të lehtë të papunësisë, sakaq nga të dhënat e marra nuk pritet të kemi përmirësim të punësimit edhe për një kohë tjetër afatmesme. Gjendja do të mbetet e tillë edhe për nivelin e pagave, ku nuk priten ndryshime. Pra jemi në pikën e ‘ngrirjes’ së sektorit, nga ku nuk presim zhvillime”, thonë ekspertët e bankës.
Sipas tyre, në tre muajt e parë të vitit, konstatohet një aktivitet i dobët investues, për shkak të dobësisë ciklike të ekonomisë, pasigurisë së bizneseve në lidhje me ecurinë e ekonomisë në të ardhmen, sikurse konstatohet një normë e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve.
BSH vë re se kushtet e kreditimit ndaj bizneseve mbeten të shtrënguara. Norma e papunësisë qëndroi në 12.8 për qind në fund 2012, ku punësimi është rritur në sektorin privat jobujqësor, është ulur në sektorin shtetëror dhe nuk ka ndryshuar në sektorin bujqësor.
“Pritshmëritë për zhvillimet në tregun e punës për periudhën pasardhëse nuk vlerësohen pozitive për sektorin e industrisë dhe atë të ndërtimit, por shfaqen më optimiste për sektorin e shërbimeve”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar, 6-mujori i dytë 2012. Më konkretisht, sipas Indeksit të Besimit të Bizneseve për tremujorin e katërt 2012, treguesi i pritshmërive për punësimin ka një vlerë prej -2.3 për industrinë, -6.5 për ndërtimin dhe 4.6 për sektorin e shërbimeve.