Manipuloi LIBOR-in, norma referuese e interesave të kredive
Banka gjigande e Zvicrës USB pranoi të pagojë 1.5 miliardë dollarë gjobë për llogari të qeverive të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës për përpjekjet e saj në manipulimin e interesave referuese të kredive në tregun botëror të financave, Libor, njofton BBC. Kjo është banka e dytë e madhe që paguan një gjobë për skandalin LIBOR pas bankës britanike Barclays që u gjobit me 450 milionë dollar. Autoritetet në të gjithë botën po hetojnë disa banka për manipulimin e interesave në tregun ndërbankar.
LIBOR (Norma Ndërbankara e Interesit në Londër) përmbledh të dhënat e deklaruara të bankave kryesore të planetit për të publikuar çmimin mesatar të parasë me të cilin bankat mund të marrin kredi apo të vendosin depozita paratë e tepërta. Shumica dërrmuese e kredive të botës, përfshirë edhe kreditë e dhëna në Shqipëri, kanë për referencë formulën LIBOR plus, ku LIBOR është norma e interesit me të cilin banka mund të sigurojë kapital dhe plus është interesi që i shtohet për të mbuluar kostot lokale të kreditimit dhe fitimet ee bankave. USB pranoi gjithashtu se ka manipuluar edhe Tibor-in, ekuivalenti i liborit në TOKIO.
1.2 miliardë dollarë nga gjoba e vënë do t’i shkojë Departamentit të Drejtësisë në SHBA, 160 milionë sterlina do t’i shkojnë Britanisë së Madhe dhe 59 milionë franga zvicerane do t’i shkojnë Zvicrës.
Autoritetet kanë gjobitur rëndë bankat gjatë kohëve të fundit pas hetimeve për manipulim interesash dhe pastrim parash. Këtë muaj, banka britanike HSBC pranoi të paguajë 1.9 miliardë dollarë gjobë për lejimin e pastrimit të parave të drogës nga degët e saj.
Bankave u është dhënë mundësia të paguajnë gjoba, në këmbim të mbylljes së hetimeve të mundshme penale për zyrtarët e tyre.