Tremujori 2013


Sektori


Huaja – Bankat dhanë rreth 100 milionë euro kredi për qeverinë, kurse për ekonominë, kredia e re ishte 2.6 milionë euro, me një rritje 0.1 për qind në raport me fundin e vitit 2012


Likuiditeti – Kredia e re për bizneset është përdorur në pjesën më të madhe për financim likuiditeti afatshkurtër (rreth 66 për qind), dhe më pak për investime, raporton Shoqata e Bankave


Probleme – Kreditë me probleme vazhduan të rriten gjatë tremujorit të parë të 2013-s duke arritur në gati 23.7 për qind të totalit të kredive në fund të muajit mars (afro 1 miliard euro)


Biznesit i tkurren depozitat, merr kredi për të shlyer borxhet, “harron” të investojë


41% e kredisë së re është disbursuar në lekë ndërsa pjesa tjetër në monedhë të huaj, kryesisht në Euro


Fitimi në sistemin bankar, ishte 1.3 miliardë lekë, por 32% më i ulët se fitimi i tremujorit të parë 2012


ARD KOLA


PrintGjendja e krijuar me mungesën e likuiditeteve po e fut ekonominë në një rreth vicioz. Bankat kanë para në dispozicion, për shkak të depozitave, por shikojnë me risk financimin e bizneseve, ndërsa të dhënat tregojnë se kanë më me leverdi t’i japin kredi qeverisë. Të paktën në tremujorin e parë të 2013-s, nëse për qeverinë përmes ankandit të bonove, bankat dhanë rreth 100 milionë euro kredi, për ekonominë, kredia e re ishte 2.6 milionë euro, me një rritje 0.1 për qind në raport me fundin e vitit 2012.


Shoqata Shqiptare e Bankave raportoi dje situatën e sektorit për periudhën janar-mars 2013, duke analizuar gjendjen e aseteve, ecurinë e depozitave dhe kredive, e deri te huat me probleme.


E thënë nga vet shoqata, se niveli i kredisë për privatin është rritur me vetëm 0.35 për qind, kjo nuk është aspak një shenjë e mirë dhe vjen pikërisht në periudhën kur guvernatori i BSH ndezi motorët e propagandës për të stimuluar moralisht palët. BSH uli disa herë normën bazë, por të paktën në shifra duket se leverdinë po ia shikon qeveria, e cila në kushtet kur interesat kanë zbritur nën 6 për qind, kanë luksin për të marrë sa më shumë hua.


Kështu, teprica e kredisë për sektorin privat ishte 0.35 për qind më e lartë në fund të muajit mars 2013 krahasuar me fundin e vitit 2012. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori në total shënoi 40,890 milionë lekë dhe përbëhet në pjesën më të madhe (rreth 78 për qind) nga kredia për biznese. 41 për qind e kredisë së re është disbursuar në lekë ndërsa pjesa tjetër në monedhë të huaj, kryesisht në Euro. Kredia e re dhënë individëve është përdorur në mënyrë pothuajse të barabartë si për financimin e pronave të paluajtshme ashtu edhe të konsumit.


“Ndërkohë, kredia e re për bizneset është përdorur në pjesën më të madhe për financim likuiditeti afatshkurtër (rreth 66 për qind), dhe më pak për investime, si rrjedhim i kërkesës më të ulët për financim investimesh nga bizneset”, thotë Shoqata e Bankave. Sikurse shikohet nga të dhënat, biznesit shqiptar po u sosen të gjitha idetë apo mundësitë për të investuar, dhe se mendojnë për të mbyllur hesapet e ditës me likuidimin e faturave, borxheve apo për qarkullim malli.


Me shqetësim shikohet niveli i depozitave, sërish për sektorin e sipërmarrjes private. Kështu, totali i depozitave është rritur me ritme më të ngadalta se një vit më parë gjatë këtij tremujori. Stoku i depozitave është rritur me 0.5 për qind krahasuar me 1.5 për qind që ishte kjo rritje në të njëjtin tremujor një vit më parë. Sakaq, depozitat e individëve u rritën me 0.7 për qind në krahasim me një rritje prej 3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012, ndërsa depozitat e bizneseve vazhdojnë të paraqiten në rënie, raporton Shoqata e Bankave. “Ritmet më të ulëta të rritjes së depozitave kanë shoqëruar uljen e normave të interesave të depozitave të sistemit bankar, në përgjigje të transmetimit të sinjaleve të politikës monetare”, thotë shoqata, ndërkohë, ky ngadalësim, sipas saj, vlerësohet të jetë në linjë me situatën financiare të konsumatorëve dhe krijimin më të pakët të parasë në ekonomi.


Tjetër problem, tashmë për vet bankat, që për rrjedhojë ka shkaktuar tkurrjen e kreditimit, janë huat me probleme. Kreditë me probleme vazhduan të rriten gjatë tremujorit të parë 2013 duke arritur në 23.7 për qind të totalit të kredive në fund të muajit mars (afro 1 miliard euro). Natyrshëm që kjo rritje ka ndikuar në fitimin e sistemit bankar, i cili edhe pse paraqitet pozitiv në shumën prej 1,331 milionë lekë për tremujorin e parë të vitit 2013, është rreth 32 për qind më i ulët se fitimi i të njëjtit tremujor një vit më parë.


 


 


Debati


Sugjerohet një tjetër ulje


e normës së interesit nga BSH-ja


 


 


Nga muaji shtator 2011, Banka e Shqipërisë e ka ulur 6 herë normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin historik, 3.75 për qind. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, është treguar i duruar, duke shprehur optimizmin se ulja e normës do të reflektojë edhe në tregun bankar. Në fakt, ndikimi erdhi, por jo në drejtimin ku pritej, pasi bankat kanë ulur interesat e depozitave, dhe kanë mbajtur në nivele gati të njëjta ato të kredive sa i takon privatit. Ajo që po përfiton më tepër është qeveria me ankandin e saj të bonove.


“Duke parë situatën ku jemi dhe duke parë dhe situatën çfarë po ndodh në Europë, ku normat bazë të interesit janë relativisht shumë të ulëta 0.5, 0.25 për qind dhe ku inflacioni është rreth 1.7 për qind, do të ishte e rekomandueshme që BSH ta vazhdojë këtë trend, ndoshta me një ritëm pak më të përshpejtuar, për të arritur në norma shumë të ulëta bazë të interesit”, thotë Edvin Libohova, ekspert i sistemit bankar. Në fund të muajit mars 2013, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në sistemin tonë bankar rezultoi me rritje në nivelin 16.8 për qind nga 16.2 për qind, raportuar në fund të vitit të shkuar. Aktivet arritën në 1.193 miliardë lekë duke shënuar në fund të marsit një rritje vjetore prej 4.7 përqindësh.