Banka e ShqiperiseOficerët e kredive nëpër bankat shqiptare ka gjasa të kenë qenë njerëzit me më shumë kohë të lirë në Shqipëri gjatë muajve të fundit. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë flasin për një volum kredish të reja në nivelet më të ulëta në shumë vite. Kreditë për biznesin të dhëna në muajin shkurt psh, qenë vetëm 8.6 miliardë lekë, (rreth 62 milionë euro), ndërsa mesatarja mujore për vitin e kaluar qe 19 miliardë lekë, (rreth 138 milionë euro). Rënia e ndjeshme e volumit të kredive të reja të tërhequra nga biznesi është shenja e fundit e krizës së thellë ekonomike që ka përfshirë vendin, krizë që ka bllokuar dëshirën e bizneseve për të investuar dhe për të zgjeruar aktivitetin. Portofoli i kredive të biznesit të bankave shqiptare në fund të muajit shkurt qe 399 miliardë lekë. Volimi i kredisë aktive ka shënuar rënie neto në krahasim me shtatorin 2012 kur qe 403 miliardë lekë. Duke u nisur praktikisht nga një ekonomi pa kredi një dekadë më parë, bankat krijuan me kalimin e viteve një portofol kredish të konsiderueshëm, i cili rezultoi me probleme të rënda në cilësi. Aktualisht një në katër lekë të dhëna kredi konsiderohet si “me probleme” gjë që do të thotë se ka vonesa në shlyerjen e rregullt të kësteve prej së paku 90 ditë.


Ndërkohë, kredia për individët duket gjithashtu e bllokuar, por për një kohë edhe më të gjatë se sa kredia për bizneset. Në fund të shkurtit, portofoli i kredisë për individët qe 148 miliardë lekë, ndër nivelet më të ulëta të regjistruara që nga koha e fillimit të krizës në vitin 2009.