Rreziqet
Skenarët e Bankës Botërore: Fatkeqësisht, pasojat janë në disa drejtime. Ekonomia, 0.8%
ARD KOLA
“Rreziku i çmimeve të ushqimit mund të thellojë varfërinë dhe të vendosë në presion klasën e mesme”
Borxhi në 2013-n do të arrijë në 895 miliardë lekë, afro 63% e PBB-së, me rritje 70 miliardë lekë.
Tendenca e rritjes së çmimeve do t’i varfërojë gjithnjë e më shumë shqiptarët, kurse skenarët flasin për vijim të krizës ekonomike, me borxhe të shumta. Ekonomistët e Bankës Botërore kanë analizuar treguesit ekonomikë të vendit dhe dalin në konkluzionin se Shqipëria nuk do të ketë një rritje ekonomike më të lartë se 0.8 për qind, kurse në vitin 2013 parashikohet të jetë 1.6 për qind. Këto vlerësime vijnë gjithnjë në ulje, pasi për 2012-n, BB parashikonte rritje 1 për qind dhe rreth 2 për qind për vitin e ardhshëm. “Fatkeqësisht situata me krizën po jep pasoja më të rënda sesa parashikonim dhe nuk po del ende nga rruga ku është futur”, u shpreh dje ekonomisti i BB-së në Tiranë, Erjon Luçi. Në kuadër të prezantimit të raportit ekonomik të Europës Juglindore “Nga recesioni i dyfishtë në reforma të përshpejtuara”, Kseniya Lvovsky tha se kriza ka prekur prodhimin, dhe se industria pësoi rënie në 6-mujorin e parë, me afro 20 për qind. “E rëndësishme është që përveç faktorëve të shkaktuar nga eurozona, Shqipëria të mos shkaktojë ndikime të tjera shtesë në menaxhimin e krizës”, tha më tej Luçi.
Ekspertët e BB-së vlerësojnë se lëndët e para do të vijojnë rritjen e çmimeve dhe nisur nga fakti se pjesa dërrmuese e shqiptarëve konsumojnë më tepër ushqime (kryesisht nga importi), atëherë parashikohet një thellim i varfërimit. “Rreziku i një shoku të ri të çmimeve të ushqimit mund të përkeqësojë varfërinë dhe të vërë në presion klasën e mesme”. Deklaroi më herët Zheljko Bogetiç, ekonomist në Bankën Botërore dhe koordinator për politikën ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se mbi 300 mijë persona jetojnë në varfëri, por me parashikimet e BB-së, ky raport pritet të rritet në rast se qeveria nuk merr masat e nevojshme. Rezultatet e anketave të zhvilluara nga INSTAT-i tregojnë se niveli i varfërisë absolute, i matur mbi bazën e një konsumi mujor për frymë nën 4891 lekë ose rreth 2 USD për frymë (me çmimet e vitit 2002) u ul në 12.4 për qind ose në 373 mijë banorë në vitin 2008, nga 18.5 për qind ose 575 mijë banorë që ishte në vitin 2005. Varfëria absolute ekstreme e matur mbi bazën e një konsumi mujor për frymë nën 3047 lekë (me çmimet e 2002) u ul nga 4.7 për qind që ishte në 2002, në 3.5 për qind në 2005, ndërsa në vitin 2008 arriti në 1.2 për qind. Këto janë të dhëna që i përkasin periudhës të para krizës ekonomike. Sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë rreth 45 mijë familje shqiptare (7 për qind) marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë dhe më shumë se gjysma e familjeve (54 për qind) kanë aktualisht një borxh për të shlyer (vrojtim mbi kampion prej 1200 familjesh).
Afro 32 për qind e të pyeturve nuk plotësojnë dot as nevojat më jetike.
Tjetër shqetësim i BB është borxhi publik, që sa vjen dhe rritet. Ekspertët thonë se vendi ynë ka borxhin publik më të lartë në rajon dhe se qeveria duhet ta ulë me patjetër. “Mes kësaj pasigurie, veçanërisht Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi do t’u duhet të këmbëngulin në reduktimin e deficiteve fiskale dhe uljen e borxhit publik, në të njëjtën kohë që duhet të vazhdojnë me përmirësimin e klimës së investimeve dhe të reformave të tregjeve të punës dhe sektorit publik”, Bogetiç. Për Shqipërinë, ai tha se fatkeqësisht nuk shikohet tendencë e uljes së deficitit, që për këtë vit pritet të arrijë në 3.6 për qind, nga 3 për qind që kishte në plan qeveria. Borxhi në vitin 2013 do të arrijë në 895 miliardë lekë, afro 63 për qind e PBB-së, me rritje gati 9 për qind, ose 70 miliardë lekë.
Privatizimet – BB vijon t’i bëjë thirrje qeverisë që të ardhurat nga privatizimi duhet të shkojnë për uljen e borxhit publik dhe likuidimin e faturave të prapambetura
CEZ-i – Drejtues të BB-së në Tiranë e shikojnë situatën e krijuar me CEZ si shumë komplekse dhe se garancia 60 milionë USD mund të preket pas disa diskutimeve ligjore