Artan Lame sfidon kryeministrin. Olldashi: Matini me metër


Tjetër skandal konsiderohet fakti se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk ka faqe interneti


berisha olldashiE nisi si bast personal Erjon Braçe, i cili pak ditë më parë zbuloi me anë të të dhënave se kryeministri kishte gënjyer me ndërtimin e rrugëve, por dje, Partia Socialiste, përmes Artan Lames, publikoi zyrtarisht shifrat që nxjerrin zbuluar gënjeshtrën më monumentale, siç e cilëson opozita. Nga verifikimet e kryera, mbi të dhënat e vetë institucioneve kompetente të sektorit të rrugëve, Lame thotë se në këto 8 vjet nuk janë ndërtuar 10 mijë km rrugë, por shumë herë më pak, afro 1515 km. I njohur si ekspert i fushës së urbanistikës, Lame pranon se gjetja përfundimtare mund të ketë pasaktësi të shifrës me 100 km, për shkak “të territ të informacionit në disa institucione”, por është i bindur se “Berisha dhe ministri i tij, Olldashi, kanë mashtruar”.


Sikurse shikohet nga tabela e përgatitur nga anëtari i grupit të punës në PS, rezulton se gjithsej janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1515 km rrugë duke filluar nga ato me 4 korsi e deri te rrugët rurale me 1 korsi. “Ne po sfidojmë publikisht qeverinë dhe Kryeministrin, të publikojnë tabelën e tyre të rrugëve të shtruara nga Tirana deri në Tokio”, deklaroi dje Lame nga selia rozë. Sipas ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, lideri i PS-së nuk është në gjendje t’i dallojë rrugët e ndërtuara, pasi ngatërron km me m², megjithatë çdokush, sipas tij, është në gjendje të provojë ndërtimin e 10.800 km në këto 8 vjet. Sakaq, Olldashi reagoi dje duke thënë se, e “fton (Ramën) t’i lërë llogjet, po të marrë metrin dhe të dalë e të masë rrugët”.


Analiza sipas kategorive


Autostrada (rrugë të kategorisë “A”), të ndërtuara, sipas PS-së janë 0 Km. “Ato që ne në të folurën e përditshme i quajmë autostrada, jo me standardet europiane, por as me Kodin Rrugor të RSH nuk janë të tilla”, tha Lame.


Rrugë kombëtare me 4 korsi, (rrugë të kategorisë “B”), ose superstrada, janë ndërtuar gjithsej 135 km. Anëtari i grupit të punës në PS citon deklaratën e ministrit, dhënë më 29 mars 2012, sipas të cilit, “…nuk do të merrem me ato që po investohen, do të merrem vetëm me ato që janë bërë, me punët e kryera. Janë 302 km autostradë, rrugë me katër korsi të kategorisë A”.


“Ne e sfidojmë publikisht qeverinë dhe Kryeministrin, të publikojnë tabelën e tyre të superstradave të ndërtuara në Shqipëri në këto 8 vjet, emër për emër, dhe me gjatësitë përkatëse”, vijoi më tej Lame. Sa u takon rrugëve kombëtare me 1 dhe 2 korsi, ose rrugë të kategorisë “C”, gjithsej, janë 560 km të ndërtuara.


Terri informativ


PS ngriti dje një tjetër shqetësim, atë të mungesës së informacionit nga institucionet kompetente. Duke marrë në konsideratë faktin e ndonjë gabimi në llogaritjen e të dhënave, Lame thotë se, kjo vjen për shkak të mungesës së informacionit.


“Përtej shifrës që lëshon Berisha, asnjë institucion shtetëror nuk jep asnjë informacion për rrugët: as portali i Ministrisë së Transporteve; as Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve; as Fondi Shqiptar i Zhvillimit; dhe as Instituti i Statistikave”, thotë Lame, i cili nënvizon faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk ka faqe interneti, “tjetër skandal ky”.


Berisha prej kohësh flet për Shqipërinë dixhitale, por në fakt, institucioni më i rëndësishëm për sektorin më prioritar të kryeministrit nuk ka faqe interneti, ndërsa opozita kritikon me faktin se “nuk bëhet fjalë fare për transparencë në tenderë”.


Tjetër analizë i bëhet faqes së internetit të Ministrisë së Transporteve. Aty, sipas Lames, gjen 5 deklarata njëra pas tjetrës të Ministrisë kundër deklaratave të Edi Ramës për çështjen e rrugëve. “Po mirë, nuk ka punë tjetër kjo Ministri, përveçse të zgjohet sa herë flet Edi Rama?! Do kishin një mënyrë shumë të thjeshtë me një deklaratë të vetme: Të publikojnë rrugët që kanë shtruar”, përfundon ai analizën mbi gjendjen reale të rrugëve.


A.K.