Kryeministri Sali Berisha ka qenë në Shkodër ditën e sotme, ku inspektoi ecurinë e ndërtimit të hidrocentralit të Ashtës. Kreu i qeverisë e ka vlerësuar si investimin më të madh të qeverisë në fushën e energjetikës këtë projekt, për të cilin, sipas Berishës deri më tani është bërë një punë e shkëlqyer.
Kryeministri më tej ka theksuar faktin se ky HEC është ndër më modernët në rajon, për faktin se përdor teknologjinë më të fundit dhe më të avancuar, dhe në të njëjtën kohë është tepër i dobishëm në rrafshin mjedisor, duke qenë se do të prodhojë energji pa shkaktuar dëme në mjedis. Nga ana tjetër, Berisha ka vlerësuar edhe faktin se HEC i Ashtës do të shërbejë si front i ri pune për një numër të madh njerëzish.
Vetë kreu i qeverisë ka qenë i pranishëm në vënien për herë të parë në punë të turbinave Hydromatrix të HEC-it Ashta 1, dhe në këtë mënyrë ka nisur testimi i prodhimit të energjisë në këtë hidrocentral, afërsisht 27 muaj pas fillimit të ndërtimit të HEC-it të Ashtës, ku turbinat e para Hydromatrix të stacionit elektrik Ashta 1 sinkronizohen në rrjetin shqiptar të energjisë.
HEC-i Ashtës, i përbërë nga stacioni elektrik Ashta 1 dhe Ashta 2, ka një kapacitet të instaluar prej 53 MW. Duke filluar nga viti 2013, në HEC-in e Ashtës do të prodhohen 240 milionë kWh energji elektrike, duke furnizuar me energji 100.000 familje. Vlera e investimit shkon në më se 200 milionë euro. Nga viti 2012, energjia e gjeneruar do të ushqejë rrjetin shqiptar 110 kV.
Ky projekt nuk ka asnjë ndikim në mjedis. Energjia do të prodhohet pa shkaktuar ndotje të ajrit, duke kursyer 114.000 tonë CO2 në vit. HEC-i i Ashtës zhvillohet bazuar në Mekanizmin për Zhvillim të Pastër (CDM) bazuar në Protokollin e Kiotos, në Kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (UNFCCC). Në fund të periudhës 35-vjeçare të koncesionit, HEC-i do t`i kthehet Shqipërisë.
15 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)