Kryeministri Sali Berisha ka përuruar paraditen e sotme hidrocentralin e Ashtës, një investim i qeverisë dhe i një konsorciumi austriak. Në fjalën e tij, Berisha ka vlerësuar maksimalisht investimin, që sipas kryeministrit, përveçse është i teknologjisë së fundit, përbën edhe një bazë solide për zhvillimin. Për kryeministrin, ky hidrocentral është investimi më i madh që bëhet në Shqipëri në 30 vitet e fundit, për sa i përket fushës së energjisë.
“Ne inaugurojmë sot këtu një kryevepër të vërtetë të energjetikës në Shqipëri, Europë e më gjerë, hidrocentralin Ashta, që është më i madhi që ekziston sot me teknologjinë e turbinave ‘matrix’”, – ka deklaruar Berisha.
Më tej kryeministri theksoi edhe vlerat ekologjike që bart hidrocentrali i sapoinauguruar, i cili përveçse do të prodhojë një sasi shumë të madhe energjie në vit, të mjaftueshme për 100 000 familje, nuk do të shkaktojë dëme në mjedis.
“Por hidrocentrali përbën edhe një kryevepër të zhvillimit të qëndrueshëm. Ai ka respektuar standardet më të larta të mbrojtjes, respektit dhe zhvillimit të mjedisit. Është parashikuar lëshimi konstant i ujit ekologjik”, – ka thënë kryeministri.
Më tej Berisha falënderoi investitorët austriakë për ndërtimin e një vepre të tillë energjetike me vlera madhore për vendin tonë, duke shprehur mbështetjen e tij për investime të mëtejshme të biznesit të huaj në vendin tonë.
“Me kënaqësi them se në këtë projekt austriak, kompania ‘Ashten’ ka hedhur hapin e parë. Qeveria do bëjë diçka tjetër për të lehtësuar biznesin dhe për ta bërë Shqipërinë vendin më tërheqës për investitorët”, – shtoi ai.
Hidrocentrali i Ashtës i jepet me koncesion për 35 vjet kompanisë austriake, ndërsa në fund të kësaj periudhe i kalon në pronësi Republikës së Shqipërisë.
18 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)