Kryeministri falënderon tatimorët dhe doganierët për kontribut të veçantë
ARD KOLA
Për të tretën herë radhazi, Kryeministri lançon projektin e rritjes së pagave, por ende pa një variant final. Duke e proklamuar si sukses të madh në kohë krize, qeveria nuk ishte në gjendje të zbardhte vendimin e rritjes së pagës për 90 mijë buxhetorë, por u mjaftua vetëm me atë çfarë deklaroi Kryeministri në mbledhjen e radhës. Drafti i plotë nuk është akoma gati, pra po punohet nga Ministria e Financave, për të “sqaruar” me detaje se ku dhe sa do të bëhet rritja e pagave, por sakaq Kryeministri mbajti një fjalim të gjatë para mediave, që transmetonin “live” listën e kategorive që përfitonin shtesa.
Ja çfarë tha zyrtarisht Kryeministri për rritjen e pagave:
“Në këtë vendim ne bëjmë që paga mesatare në nivel vendi, të rritej nga 273 mijë në 513 mijë lekë;
– Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm të rritet nga 268 mijë lekë që ka qenë në vitin 2005, në 594 mijë lekë me shtesën që bëhet këtë vit, apo 2,2 herë krahasuar me vitin 2005.
– Paga mesatare e arsimtarit, në arsimin 9-vjeçar rritet nga 227 mijë lekë që ka qenë në 2005-n, në 567 mijë lekë ose 2,2 herë krahasuar me vitin 2005.
– Paga mesatare e mjekut në vitin 2005, ishte gjithsej 226 mijë lekë, ndërsa në korrik të vitit 2012, kjo pagë bëhet 557 mijë lekë apo rritet 2,5 herë.
– Paga mesatare e infermierëve në vitin 2005 ishte 150 mijë lekë, ndërsa në korrik të këtij viti kjo pagë do të jetë 367 mijë lekë, me një rritje pra 2,4 herë krahasuar me vitin 2005.”
Në fund, Berisha tha se “raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9-vjeçar zbret në raportin 1:4, krahasuar me pagën e Kryeministrit dhe 1:6 krahasuar me pagën e infermierit, në një kohë që me pagën e infermierit ishte në raportin 1:17”.
Pra, duket qartë se nuk ka një diferencë të qartë për të kuptuar masën e rritjes, në rast se nuk është duke kryer indeksim mbi nivelin e inflacionit. Për këtë çështje, Kryeministri përpiqet të japë një përgjigje: “Vendimi i rritjes së pagave dhe pensioneve është më reali, po të kemi parasysh normat më minimale të inflacionit në vitin 2012. Rritja e pagave dhe pensioneve tejkalon me 3 deri në 5 herë indeksimin apo inflacionin e këtij viti.” Niveli mesatar vjetor i inflacionit, në rastin më të mirë është 2.5 për qind, që i bie një rritje nga 7.5 për qind, deri në 15 për qind rritje, dhe kjo masë vjen në kohë krize, pa marrë asnjë borxh, sikurse pranon vetë Kryeministri. Sipas tij, qeveria që ai drejton është kampione e reformave të suksesshme, pasi modeli i ndjekur ia doli mbanë të frenonte krizën, ku ndryshe nga vendet e tjera të botës, po rrit pagat dhe pensionet.
“Ndaj dhe është një moment vlerësimi për të gjithë ata punonjës, që me përkushtim të madh në sistemin e tatimeve dhe të doganave na bëri të mundur të rrisim rrogat”, përfundoi kreu i qeverisë.
Nano: Pseudorritje pagash
“Me populizmin e pseudorritjes së pagave e pensioneve, përballë alarmit të mbingarkesës së borxhit sovran e të mosrritjes së qëndrueshme ekonomike, regjimi i Berishës na ka sjellë në buzë të greminës. Sali Berisha nuk konkurron dot me askënd, as me ritmin e integrimit të vendeve të rajonit”, thuhej në deklaratën e lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve”.
