Ministri i financave, Schäuble: “Tashmë Eurozona ka mekanizma mbrojtjeje”. Ministri i Jashtëm, Westervelle: “Mjaft me ndihmat, pa reforma”


Eurozona është në gjendje ti bëj ballë një daljeje të mundshme të Greqisë. Pohimi ka ardhur nga ministri i financave gjermane, Wolfgang Schäuble, gjatë një interviste për të përditshmen “Rheinische Post”. “Europa nuk zhytet kaq lehtë”, ka siguruar ministri i pyetur për rreziqet që do të sillte një dalje të mundshme e Greqisë nga Eurozona.


“Në dy vitet e fundit kemi mësuar shumë dhe kemi krijuar mekanizma mbrojtjeje”, shpjegon Schäuble, sipas së cilit është zvogëluar edhe rreziku për prekjen nga kriza të vende të tjera të zonës Euro.


“Ideja se ne nuk do të jemi në gjendje të reagojmë brenda një kohe të shkurtër përpara diçkaje të paparashikuar, është  false. Europa nuk mund të fundoset kaq shpejt”, ka thënë ai. Më tej Schäuble ka paralajmëruar Greqinë: “Duam që të qëndrojë  në Eurozonë. Por duhet të respektojë detyrimet e saj dhe ne nuk mund të detyrojmë asnjë ti përmbushë këto detyrime”.


Edhe ministri i jashtëm gjerman, Guido Westervelle, ka përdorur tone të ashpra gjatë fjalimit të sotëm në Bundestag. Ai ka paralajmëruar se ndihmat e reja nga Europa do të jenë të mundshme, vetëm nëse do të respektohen detyrimet e marra përsipër:


“Ne do të vijojmë të mbajmë premtimet e dhëna për ndihmë. Por kjo nuk do të thotë se Greqia të vonojë reformat për të cilat kemi rënë dakort . Pakti fiskal është vendosur. Marrëveshjet mes shteteve nuk mund të cënohen nga zgjedhjet e reja. E ardhmja e Greqisë në Eurozona, tashmë është në duart e Greqisë”, ka thënë Westervelle.


Deklaratat e zyrtarëve gjermanë kanë shprehur të njëjtin qëndrim, që ka mbajtur ditën e enjten edhe kreu i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso. Ai është shprehur se Greqia duhet të braktisë Eurozonën, nëse nuk respekton detyrimet e saj përballë anëtarëve të tjerë.


11 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)