RAPORTI/ Në 9 muaj, vlera e transfertave 40 për qind më e vogël nga viti 2012
Bien në nivele drastike transfertat e emigrantëve. Në raport me 2007-n, vitin më të mirë, prurjet e emigrantëve në Shqipëri janë përgjysmuar. Vetëm për tremujorin e tretë, rënia është 40% me bazë vjetore, duke thelluar ndjeshëm ritmet e tkurrjes. Në tremujorin e tretë të këtij viti, kohë kur tradicionalisht shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë sjellin më shumë para në shtëpi, ata kanë dërguar drejt të afërmve të tyre 119 milionë lekë, një shumë që është 40% më e ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat bëhen të ditura nga bilanci i pagesave për tremujorin e tretë të Bankës së Shqipërisë. Për nëntë muajt e 2013-s, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike, në 345 milionë euro, me një tkurrje prej 32% me bazë vjetore, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë. Remitancat e emigrantëve përdoren kryesisht për financimin e konsumit në vend. Tkurrja e tyre u ndie dhe në verën e këtij viti, teksa monedha vendase nuk fitoi pikë ndaj euros, siç ndodhte rëndom në këtë periudhë, kur një pjesë e emigrantëve vinin për pushime në vendin mëmë. Janë rreth 300 milionë euro në vit, që pas krizës që nisi në 2008-n, që po i mungojnë ekonomisë shqiptare, vetëm si rrjedhojë e reduktimit të transfertave të emigrantëve në vend, duke bërë dhe më të prekshme pasojat e ngadalësimit ekonomik të vendit. Nevojën për të mos u mbështetur më në remitancat e emigrantëve e përsëriti dhe Kryeministri Rama, i cili u shpreh se ekonomia shqiptare tashmë duhet të kthejë sytë nga zhvillimi i brendshëm dhe se duhet të nxisë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe të investojnë këtu.