67% e kompanive shprehen pro masave. 43% shprehen: Që nga vizita e Merkel, asnjë hap para
Zamir Alushi
Rreth 67% e bizneseve gjermane mbështesin aksionin e qeverisë kundër informalitetit, 83% janë për sanksionet e ashpra, por 50% mendojnë se masat duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Po ashtu, ata shprehen se aksioni kundër evazionit duhet të fillonte nga biznesi i madh, ndërsa sanksionet po godasin biznesin e vogël. Ndërkohë 79% e kompanive gjermane deklarojnë se po provojnë konkurrencë të pandershme nga tregu informal. Këto konkluzione i përcjell për gazetën “Shqip” drejtorja e DIHA-s, Anette Kasten. “Anëtarët e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) në Shqipëri, kanë pikëpamje të ndryshme për pyetjet që kemi marrë nga gazeta ‘Shqip'”, deklaron Kasten, e cila preferoi të përgjigjet pasi të merrte opinionet e anëtarëve, të cilat më poshtë jepen në përqindje sipas grupeve të përgjigjeve.
Kompanitë vlerësojnë mjedisin e përgjithshëm të biznesit në Shqipëri, masat e qeverisë, por edhe mënyrën e të bërit biznes mes njëri-tjetrit. “Një rezultat i përgjithshëm i hulumtimit tonë të shpejtë është, se deklaratat më negative vijnë nga bizneset e mesme dhe të vogla (SME), si dhe nga ato kompani, të cilat janë ekspozuara në një konkurrencë të fortë. Të dyja grupet kanë nevojë për mbrojtje më të madhe nga ana e shtetit. Shqetësimet më të mëdha kanë të bëjnë me: shtrembërimin e konkurrencës për shkak të tregjeve informale dhe nevojën për një reformë të sistemit gjyqësor”, deklaron Kasten.
- Cili është perceptimi i anëtarëve të Dhomës Gjermane të Tregtisë për kushtet e të bërit biznes në Shqipëri?
Biznesi është bërë shumë i vështirë, ka pasiguri të mëdha, arbitraritet. Biznesi është përkeqësuar, treg i destabilizuar, vështirësi, stanjacion. | Tregu është i qëndrueshëm, me potenciale | Kushte më të mira, vlerësim pozitiv. Mirë. | Por këta që kanë pikëpamje pozitive, theksojnë një kufizim: lufta kundër korrupsionit, reforma e gjyqësorit – të domosdoshme |
50% | 14% | 36% | 100% |
- Biznesi është në situatë stanjacioni. Presioni i politikave të qeverisë kundër informalitetit, të cilat ishin të nevojshme, por jo të gjithë bizneset mund të reagojnë menjëherë për të reflektuar ndaj ndryshimeve të tilla. Ka një shqetësim për shkak të sistemit bankar jo bashkëpunues për financimin e biznesit ose financimin e investimeve. Niveli i ulët i pagesave ka dëmtuar bashkëpunimin mes bizneseve në zinxhirin e shërbimeve. Ka vështirësi për të ndërmarrë investime afatgjata për shkak të pasigurisë së skemave fiskale.
- Sipas perceptimit tonë, kushtet e të bërit biznes në Shqipëri janë përmirësuar dhe përgjithësisht kemi vlerësim pozitiv mbi situatën e përgjithshme ekonomike, ka pritshmëri pozitive në lidhje me të ardhmen e ekonomisë. Megjithatë, sipas mendimit tonë, duhet të bëhet më shumë në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe marrjes së masave konkrete në kuadër të reformës së gjyqësorit për të dhënë garanci ligjore dhe për të nxitur investimet.
- Gjatë vizitës së kancelares Merkel, u përmend çështja e sigurisë dhe garancive së investimeve. Sipas jush, a janë bërë hapa para në këtë drejtim?
Asnjë hap para, ndonjëherë edhe e kundërta. Nuk ka strategji të qartë. Nismat potenciale po tërhiqen për shkak të pengesave. | Rruga është shtruar. Ne shohim hapa pozitivë, por reforma në drejtësi mbetet vendimtare | S’kemi informacion, nuk mund të bëjmë vlerësim. |
43% | 29% | 28% |
- Nuk ka strategji të qartë nga shteti për të bërë këtë dhe madje nismat Projekti Ndërkufitar dhe Zonat e Lira Ekonomike po humbin mundësitë potenciale për shkak të rritjes së kufizimeve të vendosura nga dita në ditë nga shteti dhe mungesa e vizionit për investime afatgjata në partneritet me biznesin.
- Siguria e investimeve do të thotë krijimi i një klime ku legjislacioni nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm.
- Ne përjetojmë një trajtim të drejtë dhe profesional nga zyra e taksave (zyra e taksave VIP që mbulon kompaninë tonë). Shqetësimi kryesor i cili ende ekziston dhe është një kërcënim për bizneset është sistemi juridik. Nga përvoja jonë, ne gjykojmë që gjyqtarët janë jo profesionalë (të padrejtë, jo të pavarur) në vendimet e tyre.
- Lidhur me sigurinë e investimeve, absolutisht që janë bërë hapa përpara në krahasim me vitet e kaluara. Megjithatë, vendi ende vazhdon të jetë një vend në zhvillim, prandaj është e rëndësishme vazhdimësia e politikave të biznesit që qeveria aktuale po ndjek për të inkurajuar dhe për të krijuar klimë të favorshme dhe kushte për investitorët e huaj, tek të cilët, aktualisht fokusi kryesor është përqendruar në ndërmarrjet e vogla të mesme, veçanërisht në sektorin e prodhimit me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës.
- Me cilat forma të informalitetit përballen anëtarët e dhomës suaj?
Mungesë gare në tenderë/ Projektet janë targetuar që më parë | Shërbimet e ofruara nga shteti nuk i justifikojnë taksat e tarifat | Deklarim i pavërtetë në faturim, për punësim; certifikata akreditimi false | Informaliteti është në të gjitha nivelet. Është mirë të luftohet evazioni, por qeveria duhet të synojë bizneset e mëdha, jo të voglat | Çfarë është informale duhet të nxirret jashtë tregut | Pa përgjigje |
43% | 7% | 7% | 7% | 7% | 29% |
- Informaliteti kryesor është ai fiskal, ku në të njëjtin ambient operojnë kompanitë që zbatojnë rregullat dhe ligjet, bashkë me kompanitë e tjera që i shkelin. Zbatimi i rregullave prodhon kosto për kompanitë që veprojnë në përputhje me ligjin, duke i bërë këto shoqëri më pak konkurruese në krahasim me ato që veprojnë jashtë kuadrit ligjor.
- Informaliteti konstatohet në gara të ndryshme për projekte, që të japin përshtypjen se kërkesat e tenderëve janë hartuar për subjekte konkrete.
- Nisma e re e qeverisë është e mirë, sepse ka shumë informalitet. Megjithatë, kjo nuk duhet të fillojë duke shënjestruar biznesin e vogël, por të nisë me kompanitë e mëdha.
- A jeni njohur me masat e qeverisë në kuadër të operacionit kundër informalitetit?
Po, shqetësime të mëdha. Shembuj: korrupsioni, informaliteti, inkompetenca, mungesa e mbështetjes së qeverisë për garantimin e konkurrencës së ndershme për biznesin | Jo, asnjë shqetësim. |
79% | 21% |
- Konkurrenca e padrejtë është e pranishme kudo, për shkak se kompani të veçanta të afërta me qeverinë apo institucionet e saj, fitojnë trajtim preferencial.
- Konkurrenca e padrejtë shihet në dy pikëvështrime: Pabarazia në zbatimin e legjislacionit aktual fiskal, e cila bën që kompani të njëjta të operojnë me modele të ndryshme të shpenzimeve; Pabarazia në tenderë.
- A jeni njohur me masat e qeverisë në kuadër të operacionit kundër informalitetit?
Ne kemi dëgjuar, por mendojmë se kjo nuk është e mjaftueshme | Duken si masa hakmarrëse | Shteti nuk është duke shqyrtuar efektin që shkaktohet te të varfrit | Më mirë do të ishte një fushatë informuese e përgjithshme | Po dhe e mbështesim | Pa përgjigje |
7% | 6% | 7% | 7% | 67% | 6% |
- Po, ne jemi të vetëdijshëm dhe ndjekim nga afër masat që qeveria ka marrë kundër informalitetit.
- Pjesërisht. Do të ishte më e drejtë nëse operacioni kundër informalitetit të shoqërohej me një fushatë të përgjithshme informative. Fushata do të duhej të ishte më e gjerë dhe më e detajuar në mënyrë që të shërbejë jo vetëm për informim dhe vërejtje, por edhe si një trajnim dhe tregues i asaj që një subjekt duhet t’i nënshtrohet për të qenë në rregull me ligjin.
- Masat nganjëherë duken hakmarrëse dhe agresive ndaj bizneseve. Ato duken të pastudiuara me kujdes, me qëllim për të vendosur rendin dhe sundimin e ligjit të njëjtë për të gjitha bizneset, si dhe edukimin e biznesit për respektimin e rregullave.
- A e mbështesin anëtarët e Dhomës ashpërsimin e sanksioneve për subjektet që gjenden me shkelje dhe evazion?
Absolutisht jo. | Ne jemi dakord. Por kemi frikë, se jo të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë. Masat duhet të jenë më tepër procedurale (jo vetëm penalizim). Sanksionet duhet të jenë në proporcion me madhësinë e biznesit. Më shumë po penalizohen bizneset e vogla | Po, pa kufizim. |
7% | 50% | 43% |
- Po, në parim ne mbështesim fuqimisht sanksione të tilla, por procedurat duhet të jenë të qarta dhe në krye duhet gjithmonë të ketë përparësi mbështetja për zgjidhjen e problemeve bashkërisht dhe jo vetëm penalizim.
- Zbatimi i sanksioneve është “thembra e Akilit”, jo ashpërsia. Ashpërsia ka më tepër efekte negative, sesa pozitive.
- Ne i mbështesim sanksionet mbi evazionin fiskal, në mënyrë që të rriten mbledhja e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe të minimizohet ekonomia informale në përgjithësi.
- Lufta kundër evazionit është e rëndësishme dhe disiplina vjen përmes masave dhe dënimeve, prandaj ne mbështesim plotësisht reformat që qeveria ka ndërmarrë kundër informalitetit. E rëndësishme është që objektiv i disiplinës duhet të jenë të gjitha subjektet që shkelin ligjin dhe bëjnë evazion tatimor Për më tepër, ne mendojmë se ky disiplinim duhet të fillojë së pari me biznesin e madh, ku informaliteti shkakton evazionin më të madh dhe duhet të përfundojë me biznesin e vogël, jo anasjelltas.
Ne, gjithashtu, mendojmë se sanksionet duhet të jenë në proporcion me madhësinë e biznesit, në mënyrë që të mos ndikojnë në ekzistencën e biznesit të vogël. Ajo për të cilën jemi optimistë, është se qeveria po bën hapa në drejtimin e duhur për zbatimin e ligjit dhe luftën kundër evazionit dhe informalitetit.
- Cili është niveli i marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Gjermani?
Sasia: Mjaft e ulët | Cilësia: 1. Probleme të mëdha mes mënyrës gjermane dhe shqiptare të të bërit biznes 2. Ishin më mirë më parë | Është duke u përmirësuar, tregtia është rritur. Shumë mirë | Pa përgjigje |
50% | 7% | 21% | 14% |
- Numri i investimeve gjermane në Shqipëri është shumë i ulët krahasuar me vendet fqinje në rajon. Sipas opinionit tonë, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve duhet të vazhdojnë të intensifikohen në të ardhmen.
- Marrëdhëniet ekonomike duhet të forcohen më tej. Klima është shumë pozitive, jemi mirëpritur nga publiku dhe qeveria, por investimet duhet të rriten në aspektin praktik.
- Marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar dhe aktiviteti tregtar është rritur duke iu referuar kredive dhe granteve që janë dhënë në mbështetje të sektorit të energjisë, furnizimit me ujë dhe financimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme në sektorin e bujqësisë. Vizita e kancelares Merkel shënon një eveniment me rëndësi historike në lidhje, jo vetëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe të Shqipërisë në progresin drejt integrimit europian.
- Në cilat fusha të ekonomisë shqiptare janë të interesuar investitorët gjermanë?
Investimet gjermane janë përqendruar aktualisht në transport dhe logjistikë, infrastrukturë (Port, aeroport, “Business Center”), telekomunikacion,
prodhimi i tekstileve, materialeve të ndërtimit, pajisjet kabllore, tregti dhe inxhinieri e arkitekturë. Në të ardhmen synohet zgjerimi në infrastrukturën e pastrimit të ujërave, në energjetikë, furnizime për projektet e mëdha (TAP, industria e naftës), farmaceutikë, menaxhimi dhe konsultimi i projekteve, formimi profesional, prodhimi i pjesëve elektrike dhe industritë e lehta.