Procedurat


Jaka: Nuk mund të funksionojë. Zusi: Tarifa 39 euro dyfishon kostot 


nikolin jakaBizneset e mbështesin dhënien me koncesion të shërbimit doganor të kontrollit të kontejnerëve, por ngrenë dyshime mbi procedurat e ndjekura nga qeveria sa i takon përzgjedhjes së shoqërisë private koncesionare dhe tarifës së vendosur.


“Nuk mundet që një shoqëri private të kontrollojë një tjetër kompani private. Ku qëndron siguria këtu”, ngre pikëpyetje kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Ministria e Financave thotë nuk e përballon dot financiarisht blerjen e skanerëve me rreze x të kontrollit të kontejnerëve dhe mirëmbajtjen e tyre.


“Nëse është kështu, pra nëse doganat nuk janë në gjendje financiare për të blerë një skaner, apo dy-tre, pra aq sa i nevojiten, atëherë të na vendoste një tarifë, në formë takse, me të ardhurat e së cilës të bliheshin pajisjet dhe të menaxhoheshin nga autoritetet shtetërore”, shton më tej Jaka për gazetën.


Sa i takon vlerës së skanerit, një i tillë u dhurua 4 vjet më parë nga qeveria kineze dhe kushtonte 3 milionë dollarë, por aparati u prish dhe qeveria nuk kishte mundësi ta rregullonte, ose ta mirëmbante më pas.


Alban Zusi shpreh me shqetësim faktin e tarifës, 39 euro për çdo deklaratë, e vendosur tashmë nga qeveria në kontratën koncesionare. “Nga doli kjo tarifë, nga cili studim, çfarë u mor për bazë, etj., duhet të ishin sqarimet ndaj nesh, si komunitet që mbajmë shtetin me taksa”, thotë Zusi për gazetën, i cili përfaqëson Shoqatën e Eksportuesve. Sipas tij, tarifa e vendosur e çon në dyfish koston operacionale.


Projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoriteti kontraktues dhe shoqërisë ‘Rapiscan Security’ si koncesionar për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, ishte akti i fundit i qeverisë shqiptare, të cilin e vulosi dje Kuvendi, me forcën e kartonit, por që për deputetët demokratë, nga fusha e shkencës ekonomike, kuptojnë fare mirë njollën e sapokrijuar.


Për 15 vjet, në 5 pikat doganore kryesore në vend, do të instalohen skanerë, të cilat do të bëjnë të mundur kontrollin e mallrave, më saktë të kontejnerëve. Ky shërbim do të ofrohet nga një shoqëri private, “Rapiscan Security”, me seli qendrore në Kaliforni (SHBA), përkundrejt tarifës prej 39 euro për çdo deklaratë. Sipas numrit të deklaratave, prej 300 mijësh dhe tarifës së vendosur, të ardhurat për koncesionarit do të jenë të paktën 12 milionë euro në vit, kurse në arkën e shtetit do të derdhë 2 për qind, plus taksat sipas ligjit.