Financat
Oferta monetare është ngadalësuar, kurse BSH-ja përpiqet të nxisë bankat

Kredia për individët që dëshirojnë të nisin apo zgjerojnë biznesin e tyre është në nivelet më të ulëta që kur këto statistika filluan të mbahen në vitin 2007. Burimi: Banka e Shqipërisë
Rritja vjetore e ofertës monetare u ngadalësua në 8.3 për qind në muajin qershor, duke reflektuar reduktimin e financimit të sektorit publik nga sistemi bankar dhe kërkesën e ulët për mjete monetare të sektorit privat. Për BSH-në, ky fenomen shikohet me shqetësim. Vendimet e bankës për uljen e normës bazë të interesit nuk kanë reflektuar sa duhet në tregun financiar në vend, megjithatë guvernatori shprehet optimist se reflektimi mbi politikën monetare do të vijë shumë shpejt.
“Sektori privat i ekonomisë, i ndikuar nga pasiguritë e shtuara për zhvillimet makroekonomike brenda dhe jashtë vendit, ka shfaqur një kërkesë të ulët për kredi bankare”, tha dje Fullani.
Në të njëjtën kohë dhe për të njëjtat arsye, bankat vazhdojnë të tregojnë kujdes të shtuar në procesin kredidhënës. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes vjetore të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 6.8 për qind në muajin qershor.
Nxitja e kreditimit të shëndoshë ka qenë dhe mbetet një prioritet konstant i politikave të Bankës së Shqipërisë, por megjithatë rezultatet nuk kanë qenë ato të pritshmet. Në mbështetje të tij, BSH-ja ka ulur në nivele minimale historike normën bazë të interesit, në 4 për qind, ka rishikuar kuadrin mbikëqyrës dhe rregullator, si dhe ka furnizuar sistemin bankar me të gjithë likuiditetin e kërkuar. Këto lëvizje kanë shërbyer jo për rritjen e kreditimit, por të paktën për forcimin e tij. BSH-ja vëren se, sistemi bankar shqiptar është ndër të paktat sisteme bankare në rajon që ka mbajtur një normë pozitive ekspansioni të kredive gjatë viteve të fundit.
Të dhënat e fundit tregojnë se normat e interesit të monedhës vendase kanë vijuar prirjen rënëse edhe në muajin korrik, në ndjekje të ciklit lehtësues të politikës monetare dhe të përmirësimit të raporteve të kërkesës e ofertës në tregun e brendshëm të borxhit publik. Janë kushtet e vendosura nga bankat që e bëjnë biznesin dhe individin më pak të interesuar për të marrë financime. Në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë është vënë re frenimi i rritjes së yield-eve dhe ka sinjale për reduktimin e tyre në të ardhmen. Në tërësi, zhvillimet në tregjet financiare tregojnë për prime të ulëta të rrezikut të likuiditetit dhe të inflacionit në ekonomi.
A.K
Bonot
Vihet re frenimi i rritjes së yield-eve dhe ka sinjale për reduktimin e tyre
Janë kushtet e vendosura nga bankat që e bëjnë biznesin dhe individin më pak të interesuar
Tregtia me jashtë
Eksportet – Pas tkurrjes së shënuar në tremujorin e parë, eksportet e mallrave kanë regjistruar një rritje nominale vjetore prej 19.2%.
Importet – Nga ana tjetër, importet e mallrave në vlerë janë tkurrur me 4.4% në terma vjetorë, duke sjellë ngushtimin me 16.5% të deficitit