Konfindustria
Bizneset e sektorit të industrisë të përfaqësuar nga Konfindustria vlerësojnë pranimin nga ana e opozitës të miratimit në parim të paketës së ligjeve dhe veçanërisht të ligjit për Gjykatën e Lartë, që i hap rrugën funksionimit të Gjykatës Administrative. “Konfindustria, duke vlerësuar marrëveshjen ndërpartiake në parim për miratimin e paketës së ligjeve njëkohësisht kërkon, që historia e papranueshme dhe e pashembullt e bllokimit politik dhe të paarsyeshëm profesionalisht për një kohe mbi 5-vjeçare të funksionimit të Gjykatave Administrative, nuk duhet të përsëritët më në historinë e vendimmarrjes së legjislativit shqiptar. Pasojat e vonesës së mësipërme janë me kosto mjaft të rënda për biznesin dhe qytetarët shqiptarë, aq më shumë në kushtet e pasojave të krizës globale, që ka prekur ndjeshëm dhe ekonominë e vendit”, shprehet administratori, Gjergj Buxhuku. Biznesi kërkon gjithashtu, që tashmë t’i kushtohet vëmendje e veçantë përzgjedhjes së gjykatësve administrativë sa më cilësorë nga pikëpamja profesionale dhe njëkohësisht krijimin e kushteve, si dhe marrjen e masave sa më të ashpra për shmangien e dukurive të korrupsionit, aq shumë të përhapur në punën e drejtësisë shqiptare.